2011-06-07 15:50:54

Papa na fton gjatë qershorit t'i lutemi Shpirtit Shenjt për thirrje të reja misionare


“Të lutemi, që Shpirti i Shenjtë të dikojë në bashkësitë tona thirrje të shumta misionare, të gatshme t’ia kushtojnë plotësisht jetën përhapjes së Mbretërisë së Zotit”: ky është ndjeti misionar i lutjes së Benediktit XVI për muajin qershor. Lutje, që na e çon natyrshëm mendjen në Solemnitetin e Rrëshajve, i cili do të kremtohet të dielën e ardhshme. Po ju propozojmë sot disa reflektime të Papës mbi natyrën misionare të Kishës.
“Misioni e përtërin Kishën, e gjallëron fenë dhe identitetin e krishterë”: në Mesazhin për Ditën Misionare të këtij viti, Benedikti XVI përmend fjalë nga enciklika “Redemptoris Missio” e të Lumit Gjon Pali II për të nënvizuar se Kisha është misionare për natyrën e vet. Prandaj, shkruan Papa, Kisha “nuk mund të mbyllet kurrë në vetvete”. Të krishterët, ashtu si dishepujt e Çenakullit, janë të thirrur të kumtojnë Lajmin e Mirë të Ungjillit, të mbështetur në Shpirtin Shenjt:
“Kisha duhet të bëhet sërish ajo që është: duhet t’i hapë kufijtë ndërmjet popujve e t’i shembë muret ndërmjet klasave dhe racave. Në të, nuk mund të ketë as të harruar, as të përçmuar… Fryma e flaka e Shpirtit të Shenjtë duhet të kapërcejnë pa pushim ato kufij, që ne njerëzit vazhdojmë t’i ngremë ndërmjet nesh; gjithnjë, duhet të kalojmë sërish nga Kulla e Babelit, nga mbyllja në vetvete, në Rrëshajët”. (Mesha e Rrëshajve, 15 maj 2005)
Detyrë e Kishës, vëren Papa në 40-vjetorin e Dekretit konciliar “Ad Gentes”, është të komunikojë vazhdimisht dashurinë hyjnore, falë veprës jetësore përtëritëse të Shpirtit të Shenjtë. E ripohon se çdo i krishterë duhet të bëhet misionar, çdo i pagëzuar është i thirrur t’ua shpallë Ungjillin të gjithë njerëzve. Kjo, paralajmëron Ati i Shenjtë, nuk është diçka fakultative, pra, nuk varet vetëm prej nesh, por është thirrja, së cilës duhet t’i përgjigjet Populli i Zotit:
“Kumtimi dhe dëshmimi i Ungjillit janë shërbimi i parë që të krishterët mund të bëjnë për çdo person e për krejt njerëzimin, të thirrur siç janë, për t’u komunikuar të gjithëve dashurinë e Zotit, që u shfaq plotësisht në të vetmin Shëlbues të botës, në Jezu Krishtin” (Audienca me pjesëmarrësit në kuvendin për 40-vjetorin e dekretit “Ad Gentes”, 11 mars 2006)
Nga ana tjetër, Papa nënvizon se, sidomos sot, impenjimi misionar duhet harmonizuar me dialogun:
“Kisha sot, është e thirrur të përballohet me sfida të reja dhe është e gatshme të dialogojë me kultura e me fe të ndryshme, duke u përpjekur të punojë me çdo person vullnetmirë për bashkëjetesën paqësore ndërmjet popujve” (Audienca me pjesëmarrësit në kuvendin për 40-vjetorin e dekretit “Ad Gentes”, 11 mars 2006)
Me ndihmën e Shpirtit të Shenjtë, këshillon Papa, duhet të impenjohemi në mision. Kjo kërkon durim e largpamësi, guxim e përvujtëri, kërkon ta dëgjosh Zotin e të dish t’i kuptosh shenjat e kohëve:
“Shpirti misionar i Kishës nuk është tjetër, veçse nxitja për të komunikuar gëzimin, që na është dhuruar. Qoftë ai gjithnjë i gjallë brenda nesh e u rrezatoftë mbi botën e travajet e saj” (Fjalimi para Kuries Romake, 22 dhjetor 2008)







All the contents on this site are copyrighted ©.