2011-06-07 15:53:40

Në Pakistan, edhe Bibla në shënjestër


Edhe Bibla, në shënjestrën e fondamentalistëve në Pakistan. Lëvizja radikale islamike “Xhamiàt Ulema-e-Islam” i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të ndalojë përhapjen e leximin në publik të Shkrimit Shenjt, pasi sipas saj, ai është “libër pornografik” dhe “blasfem”. Krerët e lëvizjes kanë filluar një fushatë të fuqishme për të sensibilizuar myslimanët, e cila, në të vërtetë, dëmton rëndë bashkësinë e krishterë. Kjo e fundit, pakicë në vend, vuan pasojat e frikësimeve e të sulmeve, pas vrasjes së Osama Bin Ladenit, përveçse i nënshtrohet më shumë se të tjerët ligjit kundër blasfemisë, i cili dënon rëndë, edhe me vdekje, ata që flasin kundër Kuranit, kundër profetit Muhamet, ose kundër fesë myslimane.
Lëvizja “Xhamiàt Ulema-e-Islam” e ka filluar fushatën me një konferencë shtypi në qytetin e Karaçit, konsideruar kështjellë e myslimanizmit. Sipas eksponentëve të saj, në disa pjesë, Bibla i përshkruan si me vese e imoralë, disa personazhe, që myslimanët i konsiderojnë profetë të fesë së tyre. Për të krishterët, kjo fushatë mund të rrisë edhe më tej urrejtjen fetare, të kërcënojë bashkëjetesën paqësore e të sulmojë në zemër fenë e pakicave të krishtera.
Kjo dokumentohet që tani nga raporti “Një pyetje për fenë”, publikuar ditët e kaluara nga “Jinnah Institute”, qendër e rëndësishme kërkimore-shkencore në Pakistan, e cila kryesohet nga një myslimane. Sipas raportit, në vend është shtuar dhuna kundër pakicave fetare e të krishterët “janë viktimat e para të persekutimit”. I paraqiten qeverisë së Islamabadit, 23 rekomandime, që përfshijnë: shfuqizimin e ligjit mbi blasfeminë ose ndryshimin e tij, që të mos lejojë abuzime; miratimin e ligjeve për të dënuar ata, që nxisin urrejtjen fetare e dhunën; shfuqizimin e imunitetit për liderët myslimanë, që predikojnë në xhami; reformimin e policisë dhe të sistemit gjyqësor. Raporti e fton gjithashtu qeverinë të rishikojë sistemin e Gjykatave Islamike dhe të krijojë një autoritet të ri të pavarur, të ngjashëm me Avokatin e Popullit, i cili të jetë pikë referimi për mbrojtjen e grave e të pakicave.







All the contents on this site are copyrighted ©.