2011-06-07 12:27:54

Më 7 qershor kalendari Kishtar përkujton Shën Antonio Maria Gjanelli-n, ipeshkëv


Antonio Gjanelli lindi në vitin kur filloi Revolucioni Frëng, më 12 prill 1789, afër Chiavarit të Italisë. Qe edhe ai revolucionar, por në mënyrën e vet. Zgjodhi shpejt rrugën e meshtarisë, e pasi u shugurua meshtar, shërbeu si famullitar në Chiavari deri në vitin 1838.
Zhvilloi një veprimtari shumë të gjerë, që i kapërceu kufijtë e famullisë së tij kishtare, që ishte ndër më të mëdhatë e zonës. Një vit pas emërimit, hodhi bazat e një Kongregacioni mashkullor, të cilin e vuri nën mbrojtjen e Shën Alfons de Liguorit.
Mblodhi kështu meshtarë të rinj për misionet popullore e për t’u shërbyer kishave famullitare që kishin nevojë e probleme. Për veprimtarinë e tij të zellshme, për rigjallërimin e jetës baritore të bashkësive famullitare të Kishave, qe emëruar ipeshkëv i Bobios më 1838, që e shtyu t’i kushtonte me hov të ri veprimtarive ungjillëzuese.
Si ipeshkëv iu kushtua apostullimit dhe reformës së klerit, që ishte nën ndikimin e iluminizmit. Vdiq më 7 qershor 1846 në moshën 57 vjeçare, pas një jete të vrullshme, të jetuar me mendje e zemër prej misionari. La pas vepra të shquara të bamirësisë në fushën fetare e shoqërore. U shpall shenjt në vitin 1951 nga Papa Piu XII.







All the contents on this site are copyrighted ©.