2011-06-06 14:49:17

Reflektim mbi Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore: interneti ka nevojë për marrëdhënie të vërteta njerëzore


U kremtua dje Dita e 45-të Botërore e Komunikimeve Shoqërore me temë “E vërteta, kumtimi dhe vërtetësia e jetës në epokën digjitale”. Në mesazhin e rastit, publikuar që në janar, Benedikti XVI i fton të krishterët të hyjnë në internet me besim e krijimtari, duke dëshmuar Ungjillin edhe në “kontinentin digjital”. Mbi ungjillëzimin në kohën e internetit, të dëgjojmë jezuitin redaktor të revistës “Qytetërimi Katolik”, atë Antonio Spadaro, ekspert i teknologjive të reja të komunikimit:
Në mesazhin e tij, Papa pohon diçka shumë të rëndësishme: nëse përdoren me maturi, teknologjitë e reja të komunikimit mund të kontribuojnë në plotësimin e dëshirës për të gjetur kuptimin e të vërtetën e jetës, që mbetet aspirata më e thellë e njeriut – shkruan Papa. Prandaj, rrjeti i internetit nuk është opinion, ose diçka që sot është, nesër s’është: rrjeti është tashmë një ambient antropologjik, i cili bën pjesë në zhvillimin e njerëzimit. Sfida e Kishës, sot më tepër se kurrë, nuk duhet të jetë thjesht përdorimi i mirë i internetit, por në përgjithësi, përjetimi i mirë i epokës së rrjetit. Pra, sfida e vërtetë, që mesazhi i Papës e thotë shumë qartë, është të mësojmë të lidhemi në mënyrë të rrjedhshme, të natyrshme, etike e madje gati shpirtërore.
Revoltat në vendet arabe qenë një rast tjetër për të parë sa forcë ka rrjeti shoqëror në internet. A mund të jetë Facebook, ose rrjete të ngjashme, mjet i ungjillëzimit të ri?
Po e, do të thosha se pikërisht zgjedhja e Benediktit XVI në fronin e Shën Pjetrit shoqëroi – nëse mund të thuhet kështu – shndërrimin e botës së internetit në rrjet shoqëror. Në këtë mesazh, krejt qartë, Benedikti XVI na ndihmon të kuptojmë se shoqëria digjitale nuk mund të mendohet e të kuptohet më përmes përmbajtjes, por duhet të marrë parasysh sidomos marrëdhëniet njerëzore: rrjetet shoqërore janë kryesisht rrjete marrëdhëniesh, brenda të cilave kemi tekste, pra përmbajtje, që i lexojnë të gjithë. Papa vëren se në epokën e internetit, ku të gjithë mund të marrin pjesë, njeriu përfshihet drejtpërdrejt dhe e merr personalisht përgjegjësinë për atë që komunikon. Për këtë arsye, Ati i Shenjtë i fton të gjithë besimtarët ta dëshmojnë me vërtetësi jetën e krishterë.
Ju, jo vetëm e studioni, por edhe keni përvojë të drejtpërdrejtë në internet. Si mund të dëshmohet krishterimi në “kontinentin digjital”?
Tashmë që prej 12 vjetësh, ndjek për revistën “Qytetërimi Katolik”, zhvillimin e internetit e, pikërisht nga përvoja, mund të them sa e drejtë është thirrja e Papës, kur vë në dukje se të dëshmosh nuk do të thotë vetëm të shkruash për fenë në rrjet. Fjalët e tij duan të na largojnë nga një këndvështrim tepër i ngushtë, tepër i kufizuar i kumtimit të Lajmit të Mirë e i ungjillëzimit. Të dëshmosh në rrjet do të thotë të dëshmosh në profilin personal digjital besimin në Krishtin. Që këtej, edhe detyra e rëndësishme për të reflektuar si po e ndryshon interneti mënyrën e të menduarit të fesë, pasi ai bën pjesë në jetën e përditshme e pa dyshim, ndikon mbi aftësinë për të kuptuar realitetin e pra, edhe mbi mënyrën si e mendojmë dhe e jetojmë fenë. Prandaj, që prej katër muajve, administroj blogun , pikërisht për të reflektuar mbi sfidat, që na venë përpara interneti e kultura e hapësirës kibernetike. A jemi të aftë të formulojmë e të dëgjojmë një gjuhë simbolike në rrjet, që të flasë për shenjat e transhendencës në jetën tonë të përditshme?







All the contents on this site are copyrighted ©.