2011-06-06 17:25:41

Papa përfundoi udhëtimin në Kroaci: familja burim i së ardhmes.


Papa përfundoi udhëtimin në Kroaci duke ftuar të krishterët të impenjohen për kulturën e jetës e për një shoqëri për të mirën e njeriut. Papa, gjatë shtegtimit në Kroaci, dha një kontribut jashtëzakonisht pozitiv për familjen.Vizitë baritore, nën shenjën e familjes, të Evropës e të figurës së të Lumit Stepinac. Një ditë pas përfundimit të shtegtimit apostolik në Kroaci, drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë atë Federiko Lombardi, flet për çastet kryesore e mesazhet më të spikatura të dy ditëve të Benediktit XVI në trojet kroate:

Përgjigje: - Mund të themi se shtegtimi u realizua me sukses të plotë, madje i kaloi parashikimet, që mund të kishin ipeshkvijtë kroatë. Ishte një përgjigje shumë e madhe, shumë e përzemërt, e unë do të thosha se Papa u mikprit jo vetëm na ana e Kishës, që ishte e impenjuar në plan të parë, e nga besimtarët vërtet të bindur, por edhe nga i gjithë populli. Ja, mund të them me plot gojën se populli kroat, me rrënjë të dukshme të krishtera, e priti me kënaqësi të thellë Pasardhësin e Shën Pjetrit. Ndjehej fort fryma e lidhjes së fuqishme, të vijueshme, të pashkëputur ndërmjet Selisë së Shenjtë e popullit kroat. Sidomos në çastet kryesore, si takimi me të rinjtë e me familjet – gjatë të cilave në qendër ishte Krishti, në sakramentin e Eukaristisë së adhuruar e të kremtuar.

Pyetje: - Nga Kroacia, Papa i foli mbarë Evropës, posaçërisht gjatë fjalimit në Teatrin kombëtar ku, duke u takuar me shoqërinë civile kroate, theksoi posaçërisht një nga temat shumë të dashura për të, temën e ndërgjegjes e të lidhjeve ndërmjet fesë e shkencës....

Përgjigje: - Kroacia i përket plotësisht historisë së Evropës e prandaj është e natyrshme që një fjalë, të cilën Papa ia drejtonte popullit kroat pak a shumë drejtpërdrejt, por në disa çaste, edhe shumë drejtpërdrejt, bëhej vetvetiu edhe fjalë mbi kulturën evropiane, mbi zhvillimin e bashkësisë së popujve të Evropës, mbi aspektet pozitive, por edhe mbi rreziqet. E sigurisht ishte fjalimi drejtuar botës së kulturës, të shoqërisë në përgjithësi, ai që preku pikat klasike të Magjisterit të Atit të Shenjtë. Edhe temën e ndërgjegjes, e cila bëhet, me sa më duket, gjithnjë më e thellë dhe e vijueshme. Unë mbeta tepër i prekur nga mënyra si foli Papa për Newman, për shembull... Në këtë fjalim gjeta një përgjigje, që m’u duk shumë origjinale: Papa e lidhi natyrshëm fjalimin me familjet, duke bërë pyetjet: “Cili është vendi? Ku formohet ndërgjegjja e njeriut, ajo ndërgjegje, e cila frymëzohet nga vlerat objektive, ajo ndërgjegje, që është vend i dialogut, në kërkim të së vërtetës e të së mirës?”. E dha edhe përgjigjen: Formohet përmes gjithë historisë së jetës së njeriut, duke nisur që nga mituria, nga mënyra si luan, si interesohet për të hyrë në lidhje, në marrëdhënie me miqtë, që ka rreth vetes. E formimi i ndërgjegjes së njeriut me frymën e së vërtetës e të së mirës, të dialogut pozitiv me të tjerët, është diçka që, pastaj, e shoqëron gjatë gjithë jetës e, posaçërisht, në mjedisin familjar, ku hidhen vërtet bazat më të thella të personalitetit.

Pyetje: - Në Meshën e madhe të Zagrebit, Papa bëri një thirrje të fuqishme për mbrojtjen e familjes. Në këtë rast, natyrisht, nuk i drejtohej vetëm shoqërisë kroate...

Përgjigje: - Papa dëshiron të propozojë bukurinë, madhështinë, thellësinë e idealit, të vizionit të krishterë mbi familjen, si ndihmë e vërtetë, përmes përshpirtërisë, përmes Sakramentit të martesës, për ta jetuar mirë jetën në familje, me gëzim, me krijimin e jetës së re, me frymë konstruktive, e për të dhënë, kështu, një kontribut pozitiv për realitetin e familjes, që është themelore për jetën e shoqërisë, por që duhet të përballojë edhe shumë probleme e vështirësi, siç e shikojmë, në mënyrë të veçantë, sot në shoqëri. Prandaj, kur Papa, siç bëri në Zagreb, vë në dukje rreziqet e jep edhe këshilla, këtë nuk e bën për të hapur polemika, por me qëllim që të gjithë ta kuptojnë se vizioni i krishterë, i thellë e pozitiv, për familjen e bazuar mbi dashurinë, mbështetur mbi dashurinë e Krishtit, mund të japë një kontribut, i cili shërben për t’i shpëtuar vlerat më të bukura të familjes, për të gjithë shoqërinë. Prej këndej, jo polemikë, por dëshirë për të dhënë një ndihmesë pozitive.

Pyetje: - Etapa përfundimtare ishte gjunjëzimi pranë varrit të të Lumit Stepinac. Kohët tashmë kanë ndryshuar por – tha Papa, duke kujtuar Ipeshkvin martir – katolikët janë të thirrur ta kumtojnë edhe sot Ungjillin me guxim, duke fituar mbi të keqen e mediokritetit...

Përgjigje: - Evokimi i figurës së kardinalit Stepinac, kujtimi i tij, ka të bëjë me kohët tejet të vështira, të errëta, të shekullit të kaluar: me dy totalitarizma kundërshtare, njëlloj të tërbuara, të tmerrshme e vrasëse; por mesazhi vijon! Na e ka thënë këtë vetë i Lumi Stepinac me fjalët, që Ati i Shenjtë i ka kujtuar e i kujton edhe sot. Është fjala për zellin misionar, përballë rreziqeve, që nuk janë aq të egra, aq të tmerrshme, aq gjakatare, si ato që jetoi i Lumi kroat në kohën e tij, por që mund të jenë tinzare, sepse minojnë elemente tepër të rëndësishme për bashkëjetesën tonë, për orientimin e breznive të reja. Duhet të kemi përsëri guximin për ta kumtuar misionin e respektit për njeriun. Është diçka, që duhet ta ndjejmë thellë, sepse na përket të gjithëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.