2011-06-06 17:28:12

Papa, duke u larguar nga Kroacia: “Së bashku në Krishtin”, ta ndihmojmë Kombin të zhvillohet e të përparojë!”.


Duke përshëndetur popullin kroat, para largimit nga Kroacia, Papa sintetizoi ngjarjet kryesore, thellësisht prekëse, që jetoi gjatë këtij shtegtimi dhe shprehu admirimin për këtë popull, që e ruajti fenë edhe në situata tejet të vështira, duke derdhur edhe gjakun për Krishtin e për Ungjillin e tij. Këtë fe – nënvizoi Benedikti XVI – e pashë rishtas në zemrat tuaja, gjithnjë të gjallë e të sinqertë.
E pashë - vijoi Papa – në Meshën Shenjte, kremtuar sot paradite me rastin e Ditës kombëtare të familjeve, e në teatër, dje, kur u takova me përfaqësuesit e shoqërisë civile e të bashkësive fetare, për të reflektuar së bashku:
“Të rinjtë, pastaj, gjatë mbrëmësores së lutjes, më treguan fytyrën e ndritshme të vetë Kroacisë, me sytë drejt së ardhmes, nën dritën e një feje të gjallë, si flakë e një llambe të çmuar, trashëguar nga etërit, që duhet ruajtur e ushqyer gjatë udhëve të historisë”.
E duke theksuar lutjen pranë varrit të kardinalit të Lum Stepinac, i cili të kujton të gjithë ata që vuajtën e vijojnë të vuajnë edhe sot për shkak të besimit të tyre në Ungjillin e Krishtit, Benedikti XVI iu lut këtij dëshmitari të ndritur të fesë, të ndërmjetësojë që çdo flijim, çdo provë, e përballuar për dashuri të Zotit e të vëllezërve, të jetë si kokërr gruri që, duke rënë në tokë, vdes për të dhënë fryte të reja.
Ati i Shenjtë shprehu kënaqësinë e tij të thellë për flakën e ndezur të fesë në tokën kroate:
E preka me dorë posaçërisht në entuziazmin e njerëzve, që më pritën, ashtu si patën pritur tri herë me radhë të Lumin Gjon Pali II, me vetëdijen se Pasardhësi i Shën Pjetrit vjen për t’i përforcuar vëllezërit në fe”.
Papa e përfundoi përshëndetjen, duke theksuar, me bindje, se kjo gjallëri kishtare, që duhet ruajtur e forcuar, nuk mund të mos ketë ndikime pozitive mbi gjithë shoqërinë, falë bashkëpunimit sa më të frytshëm ndërmjet Kishës dhe institucioneve publike.
Ati i Shenjtë u nda nga Kroacia, duke e ftuar: “Së bashku në Krishtin, gur themeli, të vijojmë misionin, si shpirt i Kombit, për ta ndihmuar të zhvillohet e të përparojë”.
E pasi e bekoi edhe një herë tokën kroate, nisi shtegtimin e rikthimit në Romë, duke ia besuar Zotit e Virgjërës Mari kroatët e mbarë popujt e Evropës.







All the contents on this site are copyrighted ©.