2011-06-06 18:29:15

Në Spanjë u shpall i Lum ipeshkvi Palafox.


Që dje, Kisha ka një të Lum të ri: është ipeshkvi spanjoll Huan de Palafox i Mendoza, që jetoi në shekullin XVII. Ceremonia e lumnimit, kremtuar në katedralen e El Burgo de Osama, në Spanjë, u kryesua nga kardinali Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, përfaqësues i Papës. Figurë poliedrike, i Lumi i ri ishte ipeshkëv e mëkëmbës i mbretit, murg e vetmitar në fshehtësinë e jetës së tij shpirtërore, me pesonalitet të jashtëzakonshëm e karizma të veçanta, me një rol jo indiferent në historinë e Botës së Re. Pasi arriti në majat më të larta të pushtetit, u largua vullnetarisht nga bota, për t’iu kushtuar jetës shpirtërore. Kardinali Amato na flet për aktualitetin e figurës së të Lumit të ri spanjoll:
“Ka elemente, që e bëjnë Palafoksin bari jashtëzakonisht aktual: për shembull, afërsia e tij me të varfërit, me të përbuzurit, të pastrehët, indianët; kujdesi për meshtarët, zelli baritor, përkushtimi për të njohur e për të përmbushur nevojat shpirtërore e materiale të besimtarëve të tij, fryma e vetmohimit, jeta asketike, dashuria e thellë për Zojën e Bekuar e për Rruzaren Shenjte”.
Mbi të gjitha, ipeshkvi i Lum ishte mbrojtës i indianëve lëkurëkuq dhe i të drejtave të tyre, jo pak të nëpërkëmbura, që ditën kur Kristofor Kolombi, duke u nisur nga Palos della Frontera, shkeli për herë të parë në një tokë, që u vu menjëherë nën sundimin e sovranëve të Spanjës, të cilëve u shërbeu edhe ipeshkvi shenjt. I Lumi i ri njihet edhe si mbrojtës i arteve, ndërtues i Katedrales së Pueblës dhe i Bibliotekës Palafoksiane, tejet të pasur me libra shkencorë e filozofikë
Jetoi vdiq me moton: “Ta shkulim me rrënjë të keqen, për të mbjellur në vend të saj, të mirën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.