2011-06-06 17:25:57

Kardinali Sherer: duhen krijuar forma të reja, për t’ua çuar Ungjillin njerëzve.


“Në këtë çast të historisë, Kisha është e thirrur të ketë në qendër të vëmendjes ungjillëzimin e ri”: këtë porosi u dha Benedikti XVI pjesëmarrësve në asamblenë plenare të Këshillit Papnor për nxitjen e ungjillëzimit të ri, themeluar vitin e kaluar. Për punimet e dikasterit flet, në mikrofonin tonë, një nga anëtarët e tij më të shquar, kardinali Odilo Pedro Sherer, kryeipeshkëv i San Paolos së Brazilit:

Përgjigje: - Ishte një punë shumë interesante. U morëm sidomos me përkufizimin e atij misioni, që mund të jetë ungjillëzimi i ri. Të gjithë pyesin veten: po ç’duhet të kuptojmë me këtë term, me këtë ungjillëzim të ri? Si duhet të jetë? Prandaj menduam të sqarojmë mirë konceptet njëherë, e pastaj të kalojmë tek veprimtaria, tek strategjitë. Shkëmbyem mendime edhe për ato, që mund të jenë kompetencat dhe nismat e para të Këshillit Papnor, i cili po e fillon punën, i mbështetur fuqimisht nga vetë Ati i Shenjtë. Krijimi i këtij Këshilli Papnor ishte pikërisht ide e Benediktit XVI, përgjigje për shqetësimin e tij personal, përballë çkrishterizimit të Evropës, e akoma më parë, përballë përhapjes së ndjeshme të laicizmit dhe fenomeneve të tjera negative, me prirjen për t’iu kundërvënë jo vetëm fesë së Kishës, por edhe vetë ekzistencës së Zotit. Ka shumë mundësi që njeriu i sotëm ta ndjejë veten gjithnjë më larg fesë. Atëherë lind vetvetiu pyetja, madje pyetjet: ç’ të bëjmë? Të dorëzohemi para kësaj situate? Por Kisha nuk e ka aspak në mend të dorëzohet, e as që mund të dorëzohet. Nga ana tjetër, nuk është hera e parë që në historinë e njerëzimit vërehen fenomene të tilla, mohime të tilla, largime të tilla. Kishës i është dashur shumë herë të bëjë diçka krejt të ngjashme, të rifillojë me zell të ri ungjillëzimin, atje ku janë vërejtur zbehje të mesazhit të krishterë. Pikërisht ky lexim i historisë shumëshekullore të Kishës, na ndihmon të kuptojmë ç’duhet bërë sot. Kemi diskutuar për të gjitha këto çështje. Pak nga të gjitha.

Pyetje: - E takimi me Atin e Shenjtë?

Përgjigje: - Takimi me Atin e Shenjtë ishte shumë interesant. Ai ripohoi bindjen se ndjehet vërtet nevoja për ungjillëzimin e ri, si kumtim i ri, si detyrë për të shkuar përsëri ndërmjet njerëzve e popujve, për t’i ungjillëzuar. Pa hequr dorë kurrë nga kumtimi i Lajmit të mirë. Nga ungjillëzimi, që duhet vijuar në rrjedhë vitesh e shekujsh. Kisha, si në të kaluarën, edhe sot, është misionare, është ungjillëzuese. Por situata ka ndryshuar, subjektet kanë ndryshuar e, prej këndej, duhen ndryshuar edhe format, duhen krijuar forma të reja, duhen kuptuar kohët e reja, për të hapur një bisedë të re, edhe pse Ungjilli mbetet gjithnjë i njëjtë. Këtë na kujtoi Papa.

Pyetje: - Kontributi i Amerikës Latine dhe i Brazilit në këtë Këshill të ri Papnor?

Përgjigje: - Kontributi ynë mund të jetë me peshë, sepse tashmë ne e kemi bërë një copë udhë në ungjillëzimin e ri: nisëm të flasim për këtë ungjillëzim të paktën prej njëzet vjetësh. Kemi shumë nisma në vijim e sipër, por ajo që ka më shumë rëndësi, është krijimi i një mendësie të re, i një miratimi të përgjithshëm kishtar: të gjithë janë një medimi për nevojën e ungjillëzimit të ri. Sigurisht, ungjillëzimi i ri nuk është aksion i veçuar; ka të bëjë me vetë jetën kishtare, parë në tërësinë e saj, me Kishën, që duhet t’i përvishet me zell të ri misionit: mbarë Kisha duhet të rizbulojë natyrën e saj misionare. Prandaj ne, pas Konferencës së Aparesidës në 2007-tën, nisëm të ngulmojmë shumë mbi binomin dishepuj-misionarë: duhet të bëhemi dishepuj të vërtetë, të thellojmë jetën tonë të krishterë, përvojën e fesë, për t’u bërë, kështu, edhe misionarë. Nuk mund të bëhesh misionar, në se nuk je dishepull!







All the contents on this site are copyrighted ©.