2011-06-05 16:32:43

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


Sot e diel 5 qershor, Kisha kremton të dielën e 7-të Pashkëve dhe solemnitetin e të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell, festë që tek shqiptarët njihet me ermin të Shëlbuemit.
Po sot më 5 qershor kalendari kishtar përkujton edhe Shën Bonifacin, ipeshkëv e martir dhe shën Pjetri i Korishës së Prizrenit, Oshënar, nga Kosova. Zoti na i dhuron të mirat e çmueshme që i ka premtuar, në mënyrë që të marrim pjesë në natyrën e tij hyjnore.
Të hënën më 6 qershor, kalendari liturgjik i Kishës do të përkujtojë Shën Norbertin, ipeshkëv të Magdeburgut, themelues i Kanonikëve të Rregullt Premostratenës; Shën Klaudion, abat e ipeshkëv, Shën Paolinen e tjerë.“Presim qiellin e ri e tokën e re” pohon psalmi. Zoti i shndritë ditët tona me shpresë.
Të marten e ardhshme më 7 qershor, kalendari liturgjik i Kishës përkujton Shën Antonin Gjanelli, ipeshkëv i Bobbios, themeluesin e Bijave të Marisë. “Zoti nuk na e ka dhënë shpirtin e frikës, por përkundrazi shpirtin e virtytit, të dashurisë dhe të urtisë”, pohon liturgjia e ditës. Vetëm duke u mbështetur në Krishtit Shëlbues, mund t’i mposhtim të këqijat që kërcojnë jetën e njerëzve.
Të mërkurën që vjen më 8 qershor, kalendari liturgjik i Kishës, përkujton Shën Medardin, ipeshkëv. “E vërtetë është kjo fjalë: ‘Nëse ne vdiqëm bashkë me Të, bashkë me Të edhe do të jetojmë’ – pohon shën Pali. Jezusi na paraqet rregulloren e artë të jetës së re, që vlenë kurdoherë e për këdo: ‘të duash krejtësisht e në mënyrë integrale Zotin e Vetëm dhe të afërmin prosi veten. “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde e me gjithë fuqinë tënde! Dhe “ duaje të afërmin tënd porsi veten” .
Të enjten më 9 qershor, kalendari liturgjik i Kishës përkujton Shën Efremin, diakon e doktor i Kishës; Shën Prenkën e Feliçanin, martirë.‘Ligji ytë, o Zot, është burim paqeje’, pohon psalmi i kësaj dite. Liturgjia e Fjalës e kësaj së dite, na ftojnë ti dëgjojmë e ti pranojmë mësimet e Jezu Krishtit që rrij në të djathtën e Atit Qiellor. Vetëm Jezusi është mjeku që i shëron plagët e shpirtit tonë.
Të premtën e ardhshme, më 10 qershor, kalendari liturgjik i Kishës përkujton Shën Landerikun, ipeshkëv i Parisit. “Me jetën time do t’i këndojnë lavdet tua o Zot”, pohon psalmi i ditës e pjesa e Ungjillit nxjerrë në dritë vlerën e bujarisë e të zemrës së mirë para syve të Zotit. Mos të harrojmë se bujaria, zemërgjërësia nuk matet me sasi por me mirësi.
Të shtunën, më 11 qershor, bie e diela e solemnitetit të Trinisë Shenjte e kalendari liturgjik i Kishës në këtë ditë përkujton edhe Shën Barnabën, apostull e shën Paolen Frassinetti, themeluesen e Motrave të Shën Dorotesë. Jezusi kërkon prej nesh të zgjohemi e të punojmë seriozisht për ndërtimin e Mbretërisë së Zotit në jetën e përditishme përmes veprave të mira, të drejta e plotë dashuri ndaj çdo njeriu që takojmë në jetë.
Të dielën e ardhshme më 12 qershor Kisha do të kremton solemnitetin e festës së Rrëshajëve. Këtë ditë pra bie festa e ditëlindjes së Kishës, sepse kremtimi i Rrëshajëve, festa e Zbritjes së Shpirtit Shenjtë Zot mbi Apostujt në Cenakull së bashku me Marinë, shënon plotësimin e premtimeve të Krishtit: dërgimin e Shpirtit Shenjtë për t’i ndihmuar dishepujt e vet në misionin dhe veprimtarinë e tyre të përhapjes së Lajmit të Mirë, Ungjillit. Jezus u tha: “Do të ju dërgojë Shpirtin Shentjë. Ai do të ju japë forcë, guxim dhe entuziazëm”! Në Zemër të Krishtit është burimi i asaj dashurie që Shpirti Shentjë e derdhi në zemra tona duke na bërë të aftë ta duam Atin sikur e deshti Krishti e duke na nxitur ti duam vëllezërit e çdo njeri, sikur Ai na ka dashur ne.







All the contents on this site are copyrighted ©.