Papa në takimin me përfaqësuesit e Kishës kroate: “Në se jemi katolikë, duhet të dallohemi
në çdo fushë të jetës sonë”.
Në takimin e lutjes pranë varrit të kardinalit të Lum Stepinac, duke kujtuar me nderim
të thellë martirin e madh të fesë së krishterë në Kroaci, Papa theksoi: “Martirizimi
i krishterë është masa më e lartë e shenjtërisë e mbetet gjithnjë, në sajë të Krishtit,
e përmes dhurimit të tij, përgjigje ndaj flijimit të Zotit, të cilin e marrim në Eukaristi.
I lumi Alojzije Stepinac iu përgjigj këtij flijimi të Zotit, me meshtarinë e tij,
me ipeshkvninë, me dhurimin e jetës”. Më pas Ati i Shenjtë kujtoi vitet,
jo të largëta, të dimrit të acartë, që shfryu me të gjithë egërsinë e vet mbi Kishën
kroate, viktimë e të cilit qe i Lumi Stepinac: “Martirizimi i tij shënon
kulmin e dhunës kundër Kishës, që vijoi gjatë gjithë stinës së tmerrshme, dimrit vërtet
të gjatë e të acartë, të persekutimit komunist. Katolikët kroatë, e posaçërisht kleri,
qenë viktima të shtypjes e të padrejtësive sistematike, që synonin ta shkatërronin
përgjithnjë Kishën, duke u nisur nga Autoriteti më i lartë vendas”. Në
këtë kohë, tejet të vështirë, një brezni e tërë ipeshkvijsh e meshtarësh qe gati të
vdiste, për të mos e tradhtuar Krishtin, Kishën, Papën. Njerëzit e panë me sytë e
vet se meshtarët e tyre nuk e humbën kurrë fenë, shpresën, dashurinë e krishterë,
e kështu mbetën gjithnjë të bashkuar: “Ky bashkim shpjegon atë që,
parë me sy njerëzor, mund të duket fare e pashpjegueshme: as regjimet më mizore, nuk
munden ta mposhtin Kishën!". Në vijim, një sërë inkurajimesh, duke nisur
nga barinjtë, të cilët Papa i porositi të jenë gjithnjë të bashkuar me njëri-tjetrin
e me Pasardhësin e Shën Pjetrit, t’i shërbejnë pajtimit ndërmjet të krishterëve e
dialogut me myslimanët, duke ecur në gjurmët e Krishtit, që është paqja jonë. E,
për ta theksuar këtë, citoi kardinalin Stepinac, që shprehej kështu: “Një
nga sëmundjet më të rrezikshme të kohës sonë, është mediokriteti në çështjet e fesë.
Të mos e gënjejmë veten: “O jemi katolikë, o nuk jemi. E në se jemi, kjo duhet të
duket në të gjitha fushat e jetës sonë”. Pastaj Benedikti XVI i porositi
meshtarët t’i mësojnë besimtarët, t’i shenjtërojnë e t’u prijnë; rregulltarëve u kujtoi
misionin për ta dëshmuar në çdo epokë formën e jetës, të cilën e jetoi vetë Jezusi,
duke ua propozuar edhe dishepujve, që e ndiqnin. Të rinjve, që përgatiten për jetë
meshtarake e rregulltare, u kujtoi se Mjeshtri Hyjnor vijon të veprojë vazhdimisht
në botë e t’u thotë të gjithë atyre, që i zgjedh për vete: “Më ndiq!”. Fjalët e
fundit të mbrëmësores, Papa ia drejtoi mbarë Kishës, duke e ftuar: “Kishë
e dashur e Kroacisë, merre mbi vete, me përvujtëri e guxim, detyrën për të qenë vetëdije
morale e shoqërisë, kripë e tokës e dritë e botës. Uroj të jesh gjithnjë besnike ndaj
Krishtit e ndaj lajmit të mirë, në një shoqëri, që ka prirjen t’i relativizojë e t’i
shekullarizojë të gjitha fushat e jetës. Të jesh strehë e gëzimit në fe e në shpresë”.