2011-06-05 17:30:39

Kroacia tokë e lashtë e krishterimit. Historia e ungjillëzimit


Rrënjët e krishtera në Kroaci janë të thella. Ungjilli në Kroaci: trashëgimi, që përballon çdo stuhi. E gjatë, historia e krishterimit që, në këtë vend, në zemër të Evropës, nisi para ardhjes së sllavëve e këndej të kroatëve, me predikimin e Timoteut, dishepullit të Shën Palit. Fara e Ungjillit u hodh në trojet perandorake të Dalmacisë e të Panonisë, para se kroatët t’i shkelnin këto vise, duke shkruar faqen e parë të historisë së tyre. E ata, sipas dëshmisë së Kostandin Porfirogjenit, nisën ta pranonin fenë e krishterë, që nga kohët e perandorit Erakli e të papës Agatoni, në shekullin VII. Në vijim, marrëdhëniet ndërmjet Kroacisë e Selisë së Shenjtë u thelluan vazhdimisht. Në mënyrë të posaçme, në shekullin IX, me konsolidimin e shtetit kroat, në kohën e dukës Branimiro e të papnisë së Gjonit VIII. Ishte koha, kur nisën misionin e tyre fisnik e largpamës, Shenjtorët vëllezër thesalonikas, Çirili e Metodi, që hodhën farën e begatë të Ungjillit në zemrat e popujve sllavë të Moravisë së madhe.Veprimtaria tyre ungjillëzuese do të linte gjurmë të pashlyeshme në gjuhë e në liturgji, posaçërisht në traditën glagolitike, edhe në disa zona të Kroacisë.
Ky vend i Evropës Qendore, i dhuroi Kishës figura të ndritura martirësh: Venancin, Domniun, Anastasinë, Kuirinin, Euzebin, Polionin, Maurin; e edhe shenjtorësh: Shën Nikollën Taveliç, të Lumin Agostin Kazotiç; të Lumi Marko nga Krizio, Shërbëtorin e Zotit Ivan Merc. Është një trashëgimi, që të detyron ta vijosh me përvujtëri e guxim, duke u mbështetur në të kaluraën, për aktualizmin e fesë në të sotmen e në të ardhmen.
E në këtë përpjekje, shkëlqen me dritë të veçantë, figura madhore kardinalit të Lum, Stepinac, hallkë e fuqishme, që lidh martirizimin e kohëve të lashta, me atë të kohëve krejt të reja, të cilat panë e jetuan dy nga diktaturat më të egra të historisë njerëzore: nazizmin e komunizmin.
Diktaturat lanë gjurmë të thella edhe në historinë e kombit e të kishës kroate, duke i shtuar historisë faqe të reja, të trishtuara, por edhe heroike. Në to, porosia e martirit të madh kroat, Alojzije Stepinac, vijon të ketë vlerë të madhe aktuale e përgjithësuse: “Nuk do të jeni të denjë për emrin e etërve tuaj, në se do të ndaheni nga shkëmbi, mbi të cilin Krishti e ndërtoi Kishën e vet”.
E vijojnë të kenë vlerë të madhe edhe porositë e të Lumit Gjon Pali II, gjatë tre shtegtimeve në këtë vend, që dëshiron të ecë në gjurmët e të parëve: “Shenjtëri e mision, për ta shndërruar botën! Pas kohëve të vështira të luftës, që hapi plagë të thella, ende të pashëruara, impenjim për pajtim, solidaritet, drejtësi shoqërore. Në botën që shkon drejt shekullarizmit, guxim e fe e gjallë, dashuri vëllazërore e mbrojtje e dinjitetit të njeriut, krijuar sipas shembëlltyrës së Zotit! E, sidomos, ungjillëzim i ri, duke mobilizuar të gjitha forcat e gjalla të Kishës, që duhet të shkojë tek njerëzit, për t’ua kujtuar përsëri e përsëri Lajmin e Mirë!
Prandaj ishte Benedikti XVI në Kroaci, në Ballkan, ku rrjedhin e takohen lumenjë Sava e Danubi, simbol i dy traditave të krishtera: katolike e ortodokse, që janë të thirrura të ecin në rrugën e afrimit e të bashkimit të plotë, për t’ia hapur Krishtit dyert e zemrave e të kombeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.