2011-06-05 17:31:09

Katedralja e Zagrebit e të ngjiturit të Zojës në qiell


Katedralja, kushtuar të ngjiturit të Zojës në qiell dhe Shën Shtjefnit, mbret i Hungarisë, me 77 metra gjatësi e 105 lartësi, është ndërtuar në stilin gotik. Konsiderohet si ndërtesa më e lartë në vend. Ka tri navata, që mbështeten mbi një sërë shtyllash. Pranë saj ngrihet edhe kompleksi barok i ndërtesave të kryeipeshvnisë, ndërtuar në shekullin XVII mbi muret e fortesave të shekullit të XV. Vepër e mbretit hungarez Ladislav (1093-1220), në fillim ishte në stilin romanik. Por pastaj u bë rrafsh me tokë nga tartarët (1242).
Ipeshkvi Timoteu nisi rindërtimin, në stil gotik, nga ana lindore e ndërtesës (1264-84), ndërsa krahu perëndimor do të kryhej vetëm 300 vjet më pas. Në fund të shekullit XVI turqit otomanë pushtuan Bosnjën e Kroacinë dhe ngritën rreth katedrales, fortesat e tyre, që duken edhe sot e kësaj dite. Në shekullin XVII Katedralja u dogj disa herë. U rindërtua rishtas e u përfundua, duke i shtuar edhe kumbonaren jugore, që përdoret edhe si kullë vrojtimi. Aty nga fundi i shekullit XVIII, katedralja u pajis me vepra të rëndësishme arti. Rindërtimi u krye në shekullin XIX me dëshirën e ipeshkvit Juraj Haulik, që realizoi një elter të ri në stilin neogotik, vepër e skulptorit gjerman Sickinger i Mynihut. Solli edhe një organo të çmuar Walcker nga Ludwigsburgu, që përdoret edhe sot në katedrale. Në vitin 1880 një tërmet i madh e dëmtoi ndërtesën. Rindërtimi, në stilin neogotik, iu besua arkitektit Herman Bollé, i cili e pastroi plotësisht katedralen nga gjurmët e stileve të tjera. 28 elterë mermeri, në stilin barok, u hoqën, për t’u zëvendësuar me 11 të tjerë, më të thjeshtë. Dëmin më të madh katedralja e pësoi në vitin 1906, me shkatërrimin e ledheve e të kullave, për të krijuar një shesh të hapur. Në kremtimin e mbrëmësoreve, brenda katedrales, ishin të pranishëm më se një mijë vetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.