Kryeqyteti i Kroacisë, aktualisht me 1.250.000 banorë, njihet që nga Neolitiku. Megjithëse
gjurmët e Andautonisë së lashtë, që ruhen edhe sot, na çojnë në epokën romake, historia
moderne e qytetit dokumentohet nga shekulli XI. Në vitin 1094, një seli ipeshkvnore
në kodrën e Kaptolit ngrihet nga mbreti i Hungarisë Ladislavi. Në kodrën ngjitur të
Gradecit zhvillohet bashkësia me të njëjtin emër, e pavarur nga ipeshkvi. Të dyja
ngulimet pushtohen nga mongolët më 1242. Me fundin e periudhës së mongolëve, mbreti
Bela IV e deklaron Gradecin si qytet mbretëror, duke ia hequr nga duart zotërinjve
feudalë e duke thirrur aty artizanë të huaj. Duke filluar nga shekulli XIV, Gradeci
dhe Kaptoli jetojnë në një gjendje të përhershme lufte deri në fillim të shekullit
XVII, kur formojnë një qytet të vetëm, Zagrebin (që do të thotë “pas kodrës”). Kjo
bërthamë historike përbën qendrën e sotme kulturore të kryeqytetit kroat, ndërsa poli
ekonomik ndodhet më në jug. Nga selia ipeshkvnore e Kaptolit e pati zanafillën Kryeipeshkvia
aktuale e Zagrebit. Gjatë shekullit XVII e XVIII, Zagrebi përfshihet nga zjarri e
kolera. Në vitin 1621, qyteti bëhet seli e mëkëmbësve të mbretërve të Kroacisë e,
në vitin 1664, etërit jezuitë ngritën aty tipografinë e parë. Në vitin 1776, qeveria
zhvendoset nga Varazhdini në Zagreb. Shekulli XIX përfaqëson një periudhë ndryshimesh
të mëdha: hapet lidhja e parë hekurudhore me Slloveninë e sotme (1862); ndërtohet
një impant gazi; përurohet ujësjellësi (1878); rindërtohet vendi pas tërmetit (1880);
fillojnë të qarkullojnë tramet e para të tërhequra nga kuajt (1891); ndërtohet centrali
i parë elektrik (1907); fillojnë transmetimet e para radiofonike (1926). Nga viti
1941 deri më 1945, Zagrebi është kryeqyteti i Shtetit të Pavarur Kroat, me në krye
Ante Paveliçin, lider i ultranacionalistëve kroatë, ustashëve. Në fund të Luftës II
Botërore, Zagrebi bëhet kryeqytet i Republikës Socialiste të Kroacisë, pjesë e Republikës
Federale të Jugosllavisë. Në vitin 1991, Franjo Tuxhman deklaron pavarësinë e Kroacisë
nga Republika Federale Jugosllave. Lufta ndërmjet trupave indipendentiste dhe ushtrisë
jugosllave përfundon në vitin 1995 me marrëveshjen e paqes e me pavarësinë e Kroacisë,
e cila mban si kryeqytet Zagrebin. Ai është qyteti më i populluar i Kroacisë dhe
i vetmi që kapërcen milionëshin. Sipas të dhënave të vitit 2001, kroatët përbëjnë
grupin etnik mazhoritar me 91,94% të popullsisë. Të tjerët janë serbë, boshnjakë,
shqiptarë, sllovenë, maqedonas, malazez, rom, etj.. Në planin fetar, shumica e popullsisë
është katolike, por ka edhe një pakicë serbësh ortodoksë dhe një bashkësi islamike.
Para Luftës II Botërore, ekzistonte edhe një bashkësi e vogël hebrenjsh sefarditë
dhe ashkenazitë.