2011-06-04 19:31:34

Papa në Zagreb: Kroacia e ndihmoftë Evropën të gjallërojë vlerat e krishtera


Filloi sot vizita e Papës Benedikti XVI në Kroaci, me moton “Së bashku në Krishtin”. Është udhëtimi i 19-të apostolik i Atit të Shenjtë, në një tokë kryesisht të krishterë, që pret me padurim integrimin e saj në Bashkimin Evropian. Sapo mbërriti, në aeroportin e Zagrebit, Papa u bëri thirrje kroatëve të dëshmojnë vlerat morale themelore, që qëndrojnë në bazën e jetës shoqërore e të identitetit evropian, duke e përsëritur këtë më pas edhe në takimin me eksponentët e politikës, të kulturës e të fesë dhe në lutjen e mbrëmjes me të rinjtë, nga e cila sapo u largua.RealAudioMP3
“Srdačno pozdravljam ljubljenu hrvatsku zemlju”...
Benedikti XVI përshëndeti në kroatisht atë, që e quajti “tokë e dashur kroate” dhe falenderoi presidentin Josipoviç, i cili në fjalimin e mirëseardhjes në aeroportin e Zagrebit, kujtoi traditën e gjatë të krishterë të Kroacisë, duke folur për krishterimin, si për një element thelbësor të identitetit kombëtar e kulturor e, duke kujtuar rolin e rëndësishëm të Selisë së Shenjtë në historinë e në njohjen e pavarësisë së vendit, i cili tani sheh drejt Bashkimit Evropian.
Pas ceremonisë së mirëseardhjes, për të cilën do të flasim më gjerësisht më vonë, Papa shkoi në pallatin presidencial, në këmbët e malit Medvenica, për një vizitë kortezie tek presidenti i Republikës. Ekspert i ligjit, kreu i shtetit Ivo Josipoviç është autor i njohur i veprave të muzikës klasike bashkohore. Për këtë arsye, në shkëmbimin e dhuratave, Papa, edhe ai dashurues i muzikës, i dhuroi presidentit një vëllim të “Codices Cantorum Miniature”, që ilustron dorëshkrimet në miniaturë të Kapelës Sikstine. Nga ana e tij, presidenti i dhuroi Benediktit XVI gypin e parë të notës “do” të organos më të lashtë, që ekziston në pjesën veriore të Kroacisë.
Më pas, në Nunciaturën Apostolike, mbi kodrinën Ksaver, Papa takoi kryeministren Jadranka Kosor, e cila e falenderoi Atin e Shenjtë për njohjen e Kroacisë, që tashmë ka mbushur 20 vjet si shtet sovran, pas shkëputjes nga ish-Republika e Jugosllavisë. Gjatë bisedimeve u fol për familjen, të rinjtë e arsimin. Pasdite vonë, Benedikti XVI u takua në Teatrin Kombëtar me eksponentët e shoqërisë civile, të politikës, të kulturës e të shkencës, si edhe me Trupin Diplomatik e me krerët e feve të ndryshme. Në mbrëmje, Papa përqafoi idealisht të rinjtë kroatë, gjatë lutjes në sheshin Josip Jelaçiç.







All the contents on this site are copyrighted ©.