2011-06-04 20:36:38

Papa në aeroportin e Zagrebit: "Ripropozoni vlerat e familjes"


Vlera e ndërgjegjes u përmend edhe sot paradite nga Papa Benedikti XVI, në fjalimin e mbajtur në aeroportin e Zagrebit, sapo mbërriti në Kroaci. Pasi kujtoi vizitat e të Lumit Gjon Pali II në këtë vend, Ati i Shenjtë iu drejtua familjeve kroate, të cilat nesër kremtojnë për herë të parë Ditën Kombëtare të Familjeve Katolike, dhe përmendi kontributin e vlerave morale e shpirtërore të kroatëve në rrënjët e krishtera të Evropës, së cilës ky komb i përket. E pikërisht për rrënjët e Kontinentit të Vjetër, Ati i Shenjtë tha:RealAudioMP3
“Sfidat që rrjedhin nga kultura bashkohore, e karakterizuar nga diferencimi shoqëror, nga qëndrueshmëria e paktë dhe nga individualizmi, që favorizon një këndvështrim mbi jetën pa detyrime dhe kërkimin e vazhdueshëm të “hapësirave private”, kërkojnë një dëshmi të bindur e një dinamizëm të flaktë për promovimin e vlerave morale themelore, që janë në bazën e jetës shoqërore dhe të identitetit të Kontinentit të Vjetër”.
20 vjet pas shpalljes së pavarësisë e në prag të integrimit në Bashkimin Evropian, Kroacia e historia e saj mund t’i shtyjnë popujt e tjerë të kontinetit të reflektojnë, duke i ndihmuar ta gjallërojnë trashëgiminë e përbashkët të vlerave njerëzore e kristiane:
“Kontribuoftë kështu ky komb i dashur, i fortë në trashëgiminë e tij të pasur, që Bashkimi Evropian ta vlerësojë plotësisht pasurinë shpirtërore e kulturore”.
Benedikti XVI kujtoi moton e udhëtimit “Së bashku në Krishtin”, i cili është edhe motoja e Ditës së parë Kombëtare të Familjeve Katolike Kroate, që nesër paradite do të kremtojnë me Papën, Meshën e Shenjtë në Hipodromin e Zagrebit, kulmi i vizitës papnore në vend:
“Ky çast i rëndësishëm qoftë rasti për ripropozimin e vlerave të jetës familjare e të së mirës së përbashkët, për forcimin e unitetit, për gjallërimin e shpresës e për të na udhëhequr drejt bashkimit me Zotin, baza e bashkëndarjes vëllazërore dhe e solidaritetit shoqëror”.
Duke falenderuar të gjithë ata, që kanë kontribuar në organizimin e kësaj vizite e duke kujtuar sfidat që ka përpara Kroacia, Ati i Shenjtë kërkoi ndërhyrjen e ndihmën e të Lumit Alojzije Stepinac, kardinalit kroat martir, që u shuajt në vitin 1960, si pasojë e viteve të gjata të burgimit nën regjimin komunist:
“I shoqëroftë ai brezat e rinj, që të jetojnë në atë dashuri e bamirësi, e cila e shtyu Zotin tonë Jezu Krisht të japë jetën për të gjithë njerëzit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.