2011-06-04 16:16:33

Kroacia


Republika e Kroacisë (kroatisht: Hrvatska), ndodhet në veri të gadishullit ballkanik, buzë Detit Adriatik. E pavarur nga 8 tetori i vitit 1991, pasi u shkëput nga ish-Republika e Jugosllavisë, kufiri i saj aktual është përcaktuar përfundimisht vetëm në vitin 1995. Sipërfaqja e përgjithshme arrin në 56,542 km2. Kroacia kufizohet nga Hungaria, Serbia, Sllovenia, Bosnjë-Hercegovina e Mali i Zi. Gjeografikisht, dallohen mirë tri pjesë: bregdeti dalmat me mëse njëmijë ishuj; në veriperëndim Dinara, zgjatje e Alpeve, ndërsa juglindja është fushore. Lumenjtë kryesorë janë tre: Sava, që përshkon edhe Zagrebin e përcakton një pjesë të kufirit me Bonsjë-Hercegovinën; Drava, në kufi me Hungarinë: dhe Danubi, pjesërisht në kufi me Serbinë. Nga pikpamja klimaterike, dy janë zonat kryesore: brezi bregdetar me klimë mesdhetare dhe pjesa tjetër, me klimë kontinentale. Në zonën dalmate ndodhet edhe qyteti arbëresh Zara dhe disa venbanime tjera të banuara nga arbëreshët, ose nën ndikimin e kulturës së tyre.
Sipas Kushtetutës së vitit 1990, Kryetari i shtetit zgjidhet drejtpërdrejt. Presidenti i sotëm, Ivo Josipoviç e ka filluar mandatin më 18 shkurt 2010. Parlamenti, presidenti i të cilit është Luka Bebiç, përbëhet nga Dhoma e Deputetëve e nga Dhoma e Distrikteve. Shumica e deputetëve janë anëtarë të partisë “Bashkimi Demokratik” (HDZ). Që nga 6 korriku 2009, kryeministre është Jadranka Kosor (HDZ). Kroacia ka paraqitur kërkesën për integrimin në Bashkimin Evropian më 21 shkurt 2003. Bisedimet filluan më 3 tetor 2005 e duhet të përfundojnë gjatë këtij viti. Pas Sllovenisë, Kroacia do të jetë republika e dytë ish-Jugosllave, që do të hyjë në Bashkimin Evropian ndoshta në vitet 2012/2013. Ajo është anëtare e OKB-së, e Këshillit të Evropës dhe e NATO-s.
Kryeqyteti i Kroacisë është Zagrebi me 1.250.000 banorë në një popullsi të përgjithshme vendore prej 4.500.000 banorësh. Qytete të tjera të rëndësishme janë Spliti me 230.000 banorë, Rijeka me 170.000, Osijek me 120.000, Zara me 75 mijë, Pola me 70.000, Sllavonski Brod me 50.000 dhe Dubrovniku me rreth 50.000 banorë.
Zhvillimin ekonomik të Kroacisë për një kohë të gjatë e ka përcaktuar bujqësia. Faza e parë e industrializimit filloi pas Luftës I Botërore, por zhvillimin më të madh e pati pas Luftës II Botërore. Vetëm industria realizon një të katërtën e të ardhurave të përgjithshme ekonomike. Rëndësi të madhe për ekonominë e Kroacisë, sidomos për Dalmacinë, ka turizmi. Prodhimi i brendshëm brut për frymë arrin në 12.191 dollarë amerikanë në vit, sipas të dhënave të vitit 2004. Monedha quhet Kuna e ndahet në Lipa (1 euro=7,40 Kune).
Përsa i përket fesë, popullsia e Kroacisë është 87,8% katolike, 4,4% ortodokse, 1,3% myslimane dhe pjesa tjetër protestantë e hebrenj. Katolikët ndahen në 1.598 famulli, nën 25 ipeshkvij. Shërbejnë në vend 1.540 meshtarë dioqezanë e 803 meshtarë rregulltarë. Murgeshat kapin numrin 3.536, ndërsa katekistët 1.912. Seminaristët, që përgatiten për meshtari, janë 438. Qendrat edukative të Kishës Katolike janë 41, ndërsa ato bamirëse e shoqërore, 120.
Në Kroaci, përveç pakicave serbe, humgareze dhe boshnjake, jetojnë edhe 15.082 shqiptarë, ose 0,34% e popullsisë së përgjthshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.