2011-06-03 16:48:58

Papa nesër në Kroaci, me rastin e Ditës së familjeve katolike kroate.


Kroacia është në pritje të Benediktit XVI, i cili nesër do të jetë në Zagreb. Shtegtimi i 19-të apostolik ndërkombëtar i Atit të Shenjtë i kushtohet Ditës së familjeve katolike kroate.
Një vend, që “ka jetuar gjithnjë në gjirin e qytetërimit evropian” . Kështu e përkufizoi Papa Kroacinë në korrik të vitit 2006, duke u takuar, në Vatikan, me ipeshkvijtë kroatë, në vizitë ‘ad Limina’. Pothuajse pesë vjet pas këtij takimi, Papa do të kalojë në Kroaci fundjavën, me moton: “Së bashku në Krishtin”. Mund ta quajmë edhe rikthim, sepse Jozef Racinger ka shkelur dy herë në trojet kroate, kur ishte kardinal, e edhe pse, për Kroacinë, ky shtegtim i Benediktit XVI është vizita e katërt e një pape. Kroatët patën fatin ta përqafojnë Gjon Palin II në shtator ’94-ës, në tetor të ’98-tës, për Lumnimin, në shenjtëroren e Marija Bistrica, të kardinalit Alojzije Stepinac, bari i madh i Kishës kroate, që vdiq martir në vitin 1960, si pasojë e burgimeve të gjata nën regjnmin komunist të Titos – e edhe në qershor të vitit 2003. Vizita e Benediktit XVI , me rastin e takimit kombëtar të familjeve kroate - siç e kujtoi vetë Papa në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar, duke cekur shtegtimin e tij apostolik në Zagreb - ka për qëllim që familjet e krishtera të jenë kripë e tokës e dritë e botës. Pikërisht për të theksuar rëndësinë që i jepet aspektit baritor të këtij shtegtimi, Papën do ta shoqërojnë, përveç sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone, edhe kardinali Enio Antoneli, kryetar i Këshillit Papnor për Familjen; zëvendës-sekretari i ri për çështjet e përgjithshme i Sekretarisë së Shtetit, kryeipeshkvi Gjovani Anxhelo Beçiu, për të cilin ky është udhëtimi i parë në këtë detyrë, si dhe kryeipeshkvi kroat, Nikola Eteroviç, sekretar i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve.
Papa shtegton në një çast politik vendimtar për Kroacinë. Vendi përgatitet të kremtojë 20 vjetorin e pavarësisë, fituar më 1991: asokohe pjesë e Republikës Jugoslave, Kroacia nuk e ka harruar ende luftën e viteve ’90, ndërsa përballon krizën ekonomike e shoqërore, që ka pushtuar jo vetëm Evropën, por mbarë botën.
Kujtojmë edhe se në vitin 2005 filluan bisedimet për pranimin në Bashkimin Evropian, por dialogu ndërmjet Brukselit e Zagrebit vijon akoma. E është pikërisht ky qytet vërtet evropian, me traditë të thellë të krishterë, që po i jep fund këto çaste përgatitjes entuziaste të një populli të tërë në festë. Megjithëse bie shi, Sheshi Josip Jelaçiç e pallatet e tij përgatiten t’i bëjnë një kornizë sa më të denjë Papës, që do të takohet këtu me të rinjtë, me të cilët, nesër mbrëma, do të kremtojë mbrëmësoren e lutjeve.Në hipodronim e Zagrebit, pak metra larg lumit Sava, po sheshohet terreni, ku familjet kroate do të mblidhen rreth elterit të një Meshe historike, kryesuar nga vetë Papa, me rastin e Ditës kroate të familjeve katolike. Në famullitë bëhen provat e fundit të këngëve e të leximeve, si mbrëmë në Kishën e Shën Marisë së Lirisë, kushtuar viktimave të luftës së ’91-95-sës. Mbi kodrën e Ksaverit i jepet dora e fundit selisë së re të Konferencës ipeshkvnore të Kroacisë, një ndërtesë tejet moderne, ku Ati i Shenjtë do të kalojë orët e drekës, së bashku me ipeshkvijtë e pranishëm në Zagreb. Rrugëve, posaçërisht rreth katedrales, vullndetarët shesin bluza me portretin e Benediktit XVI: fitimet do të përdoren për vepra bamirësie. E kalimtari nuk e ka aspak vështirë të takohet me njerëz, të cilët ndalohen me kënaqësi e flasin me zell e entuziazëm për figurat vigane të Kombit e të Kishës, që vijojnë ta frymëzojnë popullin kroat, si shkencëtari jezuit Rugjero Boskoviç, të cilit së shpejti do t’i kremtohet 300- vjetori i ditëlindjes; i Lumi i ri, Ivan Merc e, sidomos, kardinali i Lum, Stepinac.







All the contents on this site are copyrighted ©.