Sot në Vatikan kremtohet Festa e të Shëlbuemit, solemnitet që na kujton se çdo njeri
është i thirrur për jetën e pasosur.
Më 2 qershor në Vatikan kremtohet solemniteti i solemnitetit të të Ngjiturit të Krishtit
në qiell, që në disa vende, ndërmjet të cilave edhe trevat shqiptare, do të kremtohet
të dielën e ardhshme. E shqiptarët këtë festë e quajnë të ‘Shëlbuemit’. Me festën
e të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, pra të Shëlbuemit, kujtohet përfundimi i qëndrimit
të dukshëm fizik të Zotit tonë Jezu Krishti ndërmjet njerëzve, që u pasua me përhapjen
e Ungjillit e kështu të krishterimit në mbarë botën. Ngjitja e Krishtit në qiell
ishte një ‘mirupafshim’ e nevojshme, një rikthimi tek Ati Hyjnor, që përmbushi, do
të thotë e realizoi veprën e shëlbimit: “Në se unë nuk shkoj, nuk do të vijë tek ju
Ngushëlluesi, por në se shkoj, do t’jua dërgoj” - kështu u tha Jezusi Apostujve, siç
na rrëfen Shën Gjoni. Në këtë festë, bashkësia e krishterë është e thirrur t’i
drejtojë sytë nga Ai që , dyzet ditë pas ngjalljes, në sa apostujt e ndiqnin të mahnitur,
u ngjit lart para syve të tyre e u zhduk pas një reje. Duke u ngjitur në qiell, Ai
na e rihapi udhën drejt atdheut tonë të përhershëm, që është parajsa. Tani, me pushtetin
e Shpirtit të tij, na ndihmon në shtegtimin tonë të përditshëm mbi tokë. Me këto fjalë
kujtojmë domethënien e solemnitetit të të Shëlbuemit. “Dyzet ditë pasi u qe shfaqur
apo dukur Apostujve me pamjen e Tij të zakonshme njerëzore, që fshihte lumturinë e
të Ngjallurit, shpjegon Katekizmi i Kishës Katolike – Krishti ngjitet në qiell e rri
në të djathtën e Atit. Ai është Zoti, që tashmë mbretëron me humanitetin e tij në
lumturinë e amshuar të Birit të Hyjit e ndërmjetëson pareshtur në favor të njerëzimit
pranë Atit Hyjnor. Na dërgon Shpirtin e Tij Zot dhe na jep shpresë se një ditë do
të arrijmë në vendin që Ai na e ka përgatitur”. Duke u ngjitur drejt ‘lartësive’,
Jezusi na zbulon pa kurrnjë dyshim hyjninë e vet: kthehet prej nga erdhi, domethënë
tek Ati, pasi e ka kryer misionin e Tij mbi tokë. Përveç kësaj, Krishti ngjitet në
qiell, pasi mori mbi vete natyrën njerëzore, të cilën e ngjalli prej së vdekurve:
kjo natyrë njerëzore është natyra jonë, e shndërruar, e hyjnizuar, e amshuar. Prandaj
themi se çdo njeri është i thirrur për jetë të pasosur në Mbretërinë e Hyjit, Mbretëri
e dashurisë, e dritës, e paqes. Duke kremtuar festën e të Shëlbuemit, ne duhet
të jemi të sigurt se Zoti nuk është larg nesh, nuk ndodhet në ndonjë vend të universit,
ku nuk mund të arrijë askush. Hyji e ka ngritur çadrën (tendën) e vet ndërmjet nesh:
në Jezusin, është bërë një prej nesh, me mish e gjak, si ne. Ai vetë, me Korpin e
vet, mbetet mes nesh si një prej nesh. Mund ta thërrasim me emër e të flasim me Të.
Ai na dëgjon, e në se ia vëmë veshin, edhe ne do ta dëgjojmë kur na përgjigjet. Në
Jezusin është Zoti që na pret!