2011-06-01 17:20:13

Papa në mbyllje të muajit maj: guximi i fesë në
Po-në e pakushtëzuar të Virgjërës Mari


Në këtë kohë Pashkësh, ndërsa i lutemi të Ngjallurit për dhantinë e Shpirtit Shenjt, ia besojmë ndërmjetësimit amtar të Zojës së Bekuar Kishën e mbarë botën”- kështu u shpreh Papa mbrëmë, në përfundim të Rruzares, kryesuar nga kardinali Komastri gjatë procesionit me qirinj të ndezur, drejt Shpellës së Zojës Lurdë, në Kopshtet e Vatikanit. Kremtim tejet prekës, që përsëritet çdo vit në fund të majit, muaj kushtuar Nënës së Krishtit.
Nën një qiell, ku peneli i Krijuesit luante me ngjyrat mahnitëse të muzgut romak, në rrugicat dredha-dredha, stolisur me bimësi të dendur, që gërsheton mahnitshëm degë, gjeth e lule, duke formuar herë herë edhe forma të dukshme kryqi, besimtarët, kryesisht vatikanas, thanë me devocion të thellë Rruzaren, paraprirë nga Misteret e Dhimbshme, shoqëruar me këngë të përshpirtshme e meditime. Dalëngadalë mbi Kopshtet ra nata e qirinjtë e ndezur krijuan një qiell të ri me yje, në mes të blerimit. Deri tek Shpella, që të krijon idenë se je pikërisht në Lurdë, atje ku Zoja u duk e i foli njerëzimit, me gojën e një Bareshe të vogël. Në përfundim, prania, fjala e lutja e Papës, që u prit me emocion të thellë. Ati i Shenjtë kujtoi figurën e Gjon Palit II, me lumnimin e të cilit u hap muaji marian:
“Ç’dhuratë e madhe hiri ishte, për mbarë Kishën, jeta e këtij Pape të madh! Dëshmia e tij vijon t’i ndriçojë jetët tona e na nxit të jemi dishepuj të vërtetë të Zotit, ta ndjekim pas me guximin e fesë, ta duam me të njëjtin entuziazëm, me të cilin ai i dhuroi Krishtit gjithë jetën”.
E pikërisht mbi guximin e fesë e vuri theksin Benedikti XVI, kur foli për figurën e Marisë, që besoi në kumtimin e Engjëllit dhe iu përgjigj me fe të gjallë, duke pranuar me guxim planin e Hyjit për jetën e saj e duke mirëpritur, kështu, Fjalën Hyjnore, që do të mishërohej në kraharorin virgjëror:
“Siç nënvizonte paraardhësi im në Enciklikën “Redemptoris Mater”, Maria e shqiptoi atë “fiat” – u bëftë vullnesa e jote - me guximin e fesë; me këtë guxim u lëshua pa asnjë ngurrim në dorën e Zotit dhe ia kushtoi gjithë vetveten, si shërbëtore e Hyjit, Vetjes e veprës së Birit të Tij”.
Ndërmjet besimtarëve ishin disa kardinaj, prelatë, priftërinj, rregulltarë e rregulltare. Ata e besimtarët, të kryesuar nga kardinali Komastri, thanë së bashku këtë lutje:
“O Mari, Nëna e mëshirës, nganjëherë, ashtu si fëmijët, edhe ne kemi frikë nga errësira: nga errësira e pandershmërisë, që është aq e përhapur; errësira e familjes, pa vlera; errësira e të rinjve, pa ideale”.
E Papa, duke i këshilluar të gjithë t’i luten Marisë, që t’i ndihmojë t’i thonë “po” thirrjes së Zotit me të njëjtën fe të përvujtë, uroi:
“Ajo që, duke mirëpritur në kraharorin e saj Fjalën e Hyjit, e lëshoi plotësisht vetveten në duart e Tij, na priftë që t’i japim përgjigje gjithnjë më bujare e të pakushtëzuar planeve të tij, edhe kur të na thërrasë të rrokim Kryqin”. O Zoja e Bekuar, që në Çenakull iu lute, së bashku me Apostujt, Shpirtit Ngushëllues të Zotit – u lut në përfundim Shenjtëria e Tij, duke ia besuar Zojës së Bekuar Kishën e mbarë botën - jepu gjithë të pagëzuarve hirin e një jete të ndriçuar nga misteri i Zotit të kryqëzuar e të ngjallur, dhuratën ta pranojnë gjithnjë më shumë në jetë, sundimin e Atij që, me ngjalljen e vet, e mundi vdekjen”.







All the contents on this site are copyrighted ©.