Në katekizmin e Benediktit XVI paraqitja e lutjes së Moisiut që shëmbëllen Jezusin.
Në maje të kryqit sy më sy me Zotin
Kryqi është urata e Jezusit. Mbi kryq ai vërtetë gjendet sy më sy me Hyjin. Të krishterët
janë të thirrur të identifikohen me kryqin “bashkëkohës i të njerëzve”. Ky është kuptimi
i lutjes sonë. Kështu tha Papa duke iu drejtuar sot paradite, më 1 qershor, besimtarëve
të pranishëm në takimin e zakonshëm të audiencës së përgjithshme të së mërkurës që
u mbajt në sheshin e shën Pjetrit në Vatikan.Pra, në audiencën e përgjithshme, mbajtur
në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, në praninë e 20 mijë vetëve, Papa vijoi katekizmin
kushtuar lutjes. Në qendër të vëmendjes, sot, figura e Moisiut, parë pikërisht si
njeri i lutjes. Episodi i viçit të artë, treguar në Librin e Daljes, ishte fill përcjellës
i gjithë audiencës. Ati i Shenjtë reflektoi edhe një herë për forcën e lutjes e, sidomos,
për mënyrën si Moisiu ndërmjetësoi, duke iu lutur Hyjit të mos e dënonte popullin
hebre, i cili kishte adhuruar një idhull, në vend të Zotit të vërtetë. Nuk ka asnjë
dyshim se popullin hebre, që marshonte drejt Tokës së Premtuar, e shpëtoi nga mijëra
rreziqe, që i dolën para gjatë këtij shtegtimi tejet të vështirë, ndëmjetësimi i vazhdueshëm
i Mosiut pranë Zotit. E Zoti iu përgjigj gjithnjë, duke mos ia kursyer mbrojtjen.
Kështu Moisiu, profeti i madh e prijësi i shquar në kohën e Daljes nga Egjipti,
luajti rolin e ndërmjetësuesit të popullit të vet pranë Zotit, duke u kumtuar hebrenjve
fjalët dhe urdhërimet hyjnore, për t’u prirë, pastaj kah Dheu i Premtuar. Mosiu i
mësoi izraelitët të jetojnë sipas urdhërimve të Tënzot. Ai ushqeu vazhdimisht besim
e shpresë në zemër të popullit të vet, që shpesh lëkundej e dëshpërohej gjatë ecjes
në rërën pa fund të shkretisë. E këtë e bëri posaçërisht duke i mësuar njerëzit e
tij të luten. Ai lutet për Faraonin, kur Zoti, me plagët e rënda, përpiqet t’i kthejë
zemrat e egjiptianëve (cfr Dal. 8-10); lutet edhe për shërimin e së motrës,
Marisë, që u sëmur nga gërbula (cfr Nr. 12, 9-13). Moisiu lutet kur zjarri
po shkrumbonte fushimin (cfr Nr. 11,1-2) e edhe kur gjarpërinjtë e helmatisur
nisën të bëjnë kërdi mbi njerëzit e tij (cfr Nr 21. 4-9). I drejtohet gjithnjë
Zotit e reagon duke protestuar, kur barra e misionit të tij nis t’i rëndojë përtej
fuqive (cfr Nr 11, 10-15). Moisiu e shikon Zotin e flet me të “sy më sy”, ashtu
si flet njeriu me mikun e vet (cfr Dal 24, 9-17; 33, 7-23;34,1-10.28-35. Ndërmjet
gjithë këtyre ngjarjeve, Papa theksoi më simboliken, atë të viçit të artë. Historia
njihet: ndërsa mbi majen e Sinait Zoti i dorëzon Moisut rrasat e Ligjit, në luginë
hebrenjë tërbohen. I lodhur nga shtegtimi me një Zot të padukshëm, tani që edhe Moisiu,
ndërmjetësuesi, është zhdukur, populli - kujtoi Papa – kërkon një prani të dukshme,
një zot, që i shkon më shumë për shtat njeriut, që mund të përkojë me prirjet e tij,
me qëllimet e tij: “Ky është tundimi i përhershëm në shtegtimin e fesë:
t’i shmangesh misterit hyjnor, duke ndërtuar një zot të kuptueshëm, që pajtohet me
skemat tona, me planet tona. E kur kjo ndodh në Sinai, tregon gjithë kotësinë e marrë
e të rreme të këtij pretendimi sepse, siç pohon me ironi Psalmi 106, “shkëmbehet lavdia,
me figurën e një viçi, që ha bar”. Zoti komunikon me Moisiun e i kumton
se ka vendosur t’i dënojë izraelitët, që e tradhtuan dashamirësinë e tij; Mosiu i
përgjigjet, duke kërkuar falje, në një ndeshje, që të kujton menjëherë atë të Hyjit
me Abrahamin, kur është fjala për shpëtimin e Sodomës e të Gomorrës. Ndeshje, në të
cilën – shpjegoi Benedikti XVI – vetë Zoti dëshiron që krijesa ta kuptojë, përmes
lutjes, se dëshira e vetme e Atij të Lumit, është pikërisht ‘të falë’ “Ky
është shpëtimi i Zotit, që mëshiron, por duke e shpallur të vërtetën mbi mëkatin,
mbi të keqen, kështu që mëkatari, si ta ketë pranuar, të pendohet, ta lërë veten në
dorë të Zotit, që ta falë e ta shndërrojë. Lutja e ndërmjetësimit e bën, kështu, veprues,
në realitetin e kalbur të njeriut mëkatar, mëshirën hyjnore, që gjen shprehje në përgjërimin
e lutësit, i cili kërkon falje, atje ku ka nevojë për shpëtim”. Papa u
ndalua edhe tek argumentet e përdorura nga Moisiu për ta bindur Zotin. I kujtoi, për
shembull se, duke e pasë çliruar Izraelin nga egjiptianët, për ta bërë pastaj të vdesë
në shkretirë, mund ta shtynte popullin të mendonte se Zoti ishte i paaftë të fitonte
mbi mëkatin e mbi të keqen: “Vepra e shpëtimit, që nisi, duhej çuar deri
në fund; në se Zoti do ta zhdukte popullin e vet nga faqja e dheut, kjo mund të shikohej
si paaftësi hyjnore për ta përmbushur pikërisht planin e shpëtimit. Zoti nuk mund
ta lejojë këtë: ai është Zot i mirë, që shpëton; është mbrojtës i jetës, është Hyj
i mëshirës e i faljes, Hyj i çlirimit nga mëkati, që vret. E kështu Moisiu i bën thirrje
Zotit, jetës së brendshme të Hyjit, kundër vendimit të tij të jashtëm”. Në
përfundim, duke folur lirisht, jasht tekstit zyrtar, Papa kujtoi se kjo faqe e Besëlidhjes
së Vjetër, na shoqëron tek Besëlidhja e Re, tek figura e ndërmjetësuesit të vërtetë,
të dërguar nga Hyji një herë e përgjithmonë për ta shëlbuar njerëzimin e të gjitha
kohëve, jo duke i imponuar një ligj, por duke flijuar jetën e vet: “Në figurën
e Moisiut, në maje të malit, që e shikon sy më sy Zotin e ndërmjetëson për popullin
e vet, duke dhuruar vetveten, Etërit e Kishës panë shëmbëllimin e Krishtit, i cili,
nga maja e lartë e kryqit, është vërtet para syve të Zotit, e jo vetëm si mik e si
bir, sepse ndërmjetësimi i tij nuk është thjesht solidaritet, por njëjtësim me ne:
na përfshin të gjithëve në korpin e vet. E kështu e gjithë jeta e tij si njeri e si
Bir, s’është tjetër, veçse një britmë drejtuar zemrës së Hyjit, është falje, por falje
që shndërron e rinon”. Për t’u kujtuar, ndërmjet përshëndetjeve, ajo në
gjuhën polake, gjatë së cilës Benedikti XVI kujtoi përsëri Lumnimin e Gjon Palit II,
duke ua paraqitur të rinjve si Atë, prijës, mik, e duke kujtuar ngulmimin e tij në
lutje, aftësinë për t’ia hapur zemrën të gjithëve e për të hyrë në zemrën e të gjithëve. Pastaj,
në gjuhën kroate, ceku shtegtimin e tij apostolik në Zagreb, më 4 e 5 qershorin e
ardhshëm, për Ditën e Familjeve kroate:
“Ndërsa e pres me gëzim këtë
takim, ju ftoj të luteni që shtegtimi im në këtë tokë të sjellë shumë fryte shpirtërore
e që familjet e krishtera të jenë kripë e tokës e dritë e botës”.