2011-06-01 17:24:01

Konferencat ipeshkvnore katolike të Evropës: marrëdhëniet ndërmjet Kishës e islamit.


Në një takim që mbahet në Torino, Konferencat ipeshkvnore katolike të Evropës flasin mbi marrëdhëniet ndërmjet Kishës e islamit. Thellimi i islamofobisë apo i urrejtjes kundër myslimanëve në gjjrin e bashkësive të krishtera dhe në shoqërinë bashkëkohore, si dhe mënyra si trajtohen bashkësitë myslimane, në kuadrin e ligjeve që rregullojnë në vende të ndryshme, marrëdhëniet ndërmjet shteteve e bashkësive fetare, janë në qendër të vëmendjes në takimin e ipeshkvijve, me temë “Kisha dhe islami në Evropë; rritja e islamofobisë dhe përfshirja e bashkësive islamike në kuadrin ligjor të vendeve të ndryshme evropiane”. Takimi, që do të përfundojë nesër, u hap dje në Torino. Të pranishëm delegatë nga Konferencat Ipeshkvnore të Evropës, përgjegjës për marrëdhëniet me myslimanët.
Duke hapur takimin, kardinali Zhan Pierre Rishard, kryeipeshkëv i Bordosë dhe zëvendës-kryetar i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCee), kujtoi se shumë shtete përpiqen të hyjnë në dialog me bashkësitë e ndryshme myslimane. Por kjo përpjekje ndesh sot një sërë tensionesh etike, kombëtare e ideologjike, që përshkojnë vetë bashkësitë myslimane. Qëndrimi i disa politikanëve, pastaj, nxit shpesh edhe në bashkësitë e krishtera qëndrime të ashpra, mospranim të emigracionit në përgjithësi e të atij islamik, në veçanti.
Kryeipeshkvi i Torinos, imzot Çesare Nosilia, nënvizoi se ideologjitë dhe lëvizjet e partive të ndryshme të vendeve evropiane, e përdorin shpesh urrejtjen për islamin si element të rëndësishëm, për të fituar sa më shumë vota gjatë zgjedhjeve. Mbetet detyrë jo e lehtë – theksoi prelati – ta mendojmë e ta rimendojmë kuadrin ligjor të bashkëjetesës paqësore ndërmjet feve, në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Është detyrë e shtetit laik – pohoi në përfundim imzot Duarte Da Kuhna, sekretar i përgjithshëm i Këshilli të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës – t’u garantojë feve e njerëzve, lirinë e sigurinë. Ky impenjim – përfundoi - hamendëson krijimin e një kulture, që di t’i respektojë larmitë, gjithnjë më të ndjeshme në një botë, e cila vijon të bëhet më shumëngjyrëshe. E pyetëm sekretarin për ekumenizmin dhe dialogun ndërfetar të Konferencës Ipeshkvnore të Piemontit, në Itali, don Andrea Paçini, si konceptohet sot Islami në vendet evropiane. Don Andrea, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Në Evropë, dialogu ndërmjet katolikëve e myslimanëve është shumë aktiv e i organizuar, posaçërisht, në Francë. Në vende të tjera nuk ka takime të karakterit formal, por kryesisht në nivel dioqezan, me synim që të jepet ndihmesa për bashkëjetesën lokale, së paku në planin e njohjes së anasjelltë, në perspektivë për të krijuar një bashkëjetesë më të harmonishme. E unë mendoj se në Evropë ka disa mundësi për ta njohur më mirë islamin, sidomos përmes universiteteve e veprimtarisë së Konferencave ipeshkvnore. Varet, pastaj, nga jehona, që mund të bëjnë këto përpjekje në opinionin publik, i cili nganjëherë informohet keq e, natyrisht, pastaj, edhe reagon keq. Duhet kulturë, prandaj, e sidomos, nuk duhet identifikuar çdo fraksion fanatik i islamit në nivel ndërkombëtar, me myslimanët e veçantë, të cilët duhen dalluar nga grupet ekstremiste. E Kisha katolike impenjohet pikërisht për këtë dallim e për këtë njohje, që çon vërtet në krijimin e bashkëjetesës të domosdoshme për Evropën e botën e sotme, gjithnjë më shumëkombëshe.







All the contents on this site are copyrighted ©.