2011-06-01 16:02:13

Barnabiti Atë Peragine: rregulltarët në Shqipëri janë dhuratë e Zotit për Kishën dhe shoqërinë.


Muajin e kaluar e saktësisht më 13 e 13 maj në Tiranë është mbajtur Asambleja e Përgjithshme e Eprorëve të lartë dhe Rregulltarëve e Rregulltareve të pranishëm në Shqipëri. Qëllimi i këtij takimi ishte që të jetohej një përvojë bashkimi Kishtar, me pjesëmarrjen e ipeshkvijve të Shqipërisë, të eprorëve rregulltarë të Shqipërisë e të eprorëve të lartë nga Italia e vendet tjera. Asambleja reflektoi mbi veprën misionare në realitetin aktual të Shqipërisë, mbi problematikat dhe potencialitetin që ofron realiteti i rregulltarëve e i rregulltareve për një ungjillëzim të ri ndër shqiptarë. Rregulltarët e rregulltaret janë të ndërgjegjshëm prania, veprimtaria e dëshmia e tyre në shoqërinë shqiptare ka një mision të veçantë, është shfaqje e dashurisë së Zotit për çdo njeri pa dallim e pa përjashtim.
Më hollësisht mbi këtë takim, të dëgjojmë intervistën me presidentin e KSHEL-it rregulltarin Barbanit Atë Giovanni Peragine në mikrofonin e Radio Vatikanit... RealAudioMP3

Ja relacioni i presidentit të KSHEL-it atë Giovanni Peragine mbajtur në takimin e përmendur në Tiranë.
Me ndjenja gëzimi dhe mirënjohjeje ju drejtoj përshëndetjen time të gjithë juve këtu të pranishëm. Falënderoj secilin prej jush sepse e keni pranuar ftesën tonë, e mendoj që nuk ka qenë pa vështirësi.
Një përshëndetje të përzemërt për Sh. T. Mons. Ramiro Igles, Nuncin Apostolik në Shqipëri. Pjesëmarrja e tij e vazhdueshme në asambletë tona, vëmendja e përzemërt ndaj aktiviteteve të rregulltarëve në Shqipëri dhe interesimi për problemet dhe vështirësitë tona ju bëjnë një person të afrueshëm dhe që jep siguri. Në personin tuaj, e ndjejmë afërsinë atërore të Atit të Shenjtë Benediktit XVI. Shkëlqesi e nderuar, pranoni përshëndetjen e përzemërt të kësaj asambleje dhe shoqëroni këto punimet tona me bekimin tuaj atëror.
Në emër të të gjithë asamblesë, i drejtoj përshëndetjen time Sh. T. Mons. Rrok Mirditës, kryeipeshkëv i kryedioqezës Tiranë – Durrës, që na mikpret, dhe president i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare.
Shkëlqesi, duam t’ju falënderojmë që tani për gatishmërinë, për përshëndetjen që do të na drejtoni dhe për fjalët tuaja me të cilat do të na ndriçoni në kremtimin eukaristik të ditës së nesërme.
Me të njëjtën përzemërsi përshëndes edhe Sh. T. Mons. Cristoforo Palmieri-n, president i komisionit të Konferencës Ipeshkvnore për Jetën e Kushtuar. Do të dëgjojmë me kënaqësi fjalët tuaja në kremtimin eukaristik të kësaj mbrëmjeje. Që tani ju falënderojmë për praninë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me ne rregulltarët.
Falënderoj gjithashtu edhe shkëlqesitë e nderuara që janë të pranishëm këtu: Mons Angelo Massafra, arqipeshkëv i Shkodrës, Mons Mihill Kabashi, ipeshkëv i Administratës së Jugut, Mons. Ottavio Vitale ipeshkëv i dioqezës së Lezhës, Mons. Lucjan Avgustini ipeshkëv i dioqezës së Sapës dhe mons. George Frendo ipeshkëv ndihmës i Tiranë -Durrësit. Prania e të gjithë hierarkisë së Kishës në këtë Kuvend shpreh edhe në mënyrë të dukshme bashkimin e Kishës e në të njëjtën kohë dëshirën për të dashur që të bashkëndajmë gëzimet dhe problemet që çdo ditë na prekin me qëllim që të bëjmë sa më të fortë dhe cilësor veprimin baritor dhe ndërtimin e Mbretërisë së Hyjit në këtë shoqëri në të cilën Zoti na ka dërguar. Mirënjohja ime dhe e jona është për ju, të nderuara Eprore Gjenerale dhe të nderuar etër Provincialë, që keni pranuar këtë ftesë tonën. I kuptojmë shumë mirë mundimet që keni bërë që të jeni të pranishëm në këtë asamblenë tonë: pa mendjemadhësi, kemi qëllimin që t’ju bëjmë të kuptoni gjatë vijimit të punimeve se sa e fortë ka qenë dëshira dhe gëzimi ynë t’ju takojmë në këtë tokën tonë shqiptare, në të cilën çdo ditë ofrojmë vetveten, dëshminë tonë si bashkësi dhe punën misionare sipas karizmave specifike. Prej më shumë se një viti konferenca jonë ka menduar që të takojë drejtpërdrejt eprorët e lartë të bashkësive rregulltare që punojnë në Shqipëri. Ky takim, që realizohet për herë të parë, është paraprirë nga pjesëmarrja jonë në vitin e kaluar, tek konferencat e USMI-t në fillim e më pas të CISM. Që në ato vende kemi eksploruar mundësinë për të arritur në këtë takim domethënës. Janë të shumta arsyet që na kanë shtyrë të programojmë këtë takim. Si eprorë të lartë dhe përgjegjës të bashkësive do ta keni vizituar shumë herë Shqipërinë. Por, ka mundësi që vizitat tuaja të jenë kufizuar vetëm me njohjen e territorit në të cilin janë të vendosura bashkësitë specifike. Në këtë takim do të angazhohemi që t’ju paraqesim një panoramë më të zgjeruar të realitetit në të cilin të gjithë jemi të angazhuar. Për të hapur këtë perspektivë do të na ndihmojë relacioni i Mons. George Frendo që do të vijojë pas kësaj ndërhyrjes sime. Ja disa pika që unë vetë dua t’ju paraqes, vizita në Muzeun kombëtar, që do të bëjmë pasdite dhe bashkëndarja e eksperiencave reciproke, që mund të bëjmë si në sallë ashtu edhe në momentet e lira. Pikërisht për të favorizuar këtë shkëmbim, kemi menduar që të organizojmë takimin në këtë vend, me formulën rezidenciale, në mënyrë që edhe momentet e lira të mund të jenë rast për një bashkëndarje spontane. Para së gjithash ky takim i ynë do që të jetë një moment bashkimi, një moment i Kishës. Ripohoj që prania e barinjve të kësaj Kishe përforcon këtë dëshirën tonë dhe është pikërisht në këtë shpirt bashkimi që duam sëbashku të ndërgjegjësohemi për ecjen e kësaj kishe duke ia lartësuar Hyjit “Madhërimin “ - “Manjifikatin” tonë të bekimit dhe të lavdit për veprat që ai vazhdon të bëjë në mesin tonë. Por në të njëjtën kohë duam edhe të vetëdijesohemi për vështirësitë që hasim çdo ditë në veprën tonë të ungjillëzimit, që të mund të përballojmë së bashku, duke përcaktuar udhëzime operative që mund t’i japin veprimit tonë më shumë cilësi dhe efikasitet.
Po përmend shkurtimisht disa nga bindjet që na kanë mbështetur në përgatitjen e këtij kuvendi.
Konferenca Shqiptare e Eproreve të lartë është e formuar me tepër nga delegatët. Janë të paktë eprorët e lartë që banojnë në Shqipëri. Nëse nga njëra anë punohet me besimin se interpretojmë besnikërisht qëllimet e eprorëve të lartë, shpesh delegatët gjenden në pamundësinë që të mund të marrin, mbi disa problematika, vendime që do t’u takonin eprorit të tyre.
Në këtë takim nuk kemi pretendimin që do të arrijmë, në disa çështje, tek një fazë vendimtare, por me siguri dëshirojmë që të jetë një ballafaqim nga i cili mund të dalin udhëzime vepruese. Kësaj do t’i kushtohet veçanërisht mëngjesi i ditës së nesërme. Në realitetin e kësaj Kishe pasqyrohet ecja që vetë shoqëria shqiptare është duke bërë. Me vështirësi të shumta, për ta shkundur nga vetvetja atë të kaluar të afërt që e kishte hedhur në një degradim njerëzor, kulturor dhe fetar, që mund të haset me shumë vështirësi në vendet e tjera. Pushtimi turk, së pari, dhe gati pesëdhjetë vitet e diktaturës së egër komuniste kanë lënë shenja të thella në ndërgjegjen njerëzore dhe fetare të këtij populli. Me fundin e diktaturës populli u gjend i papërgatitur të hidhte bazat e një vendi demokratik dhe mbi të gjitha që të përballonte impaktin e botës perëndimore, impakt me siguri jo i padhembshëm, por vendimtar në procesin e rilindjes që vendi po bën. Ballafaqimi me perëndimin, me gjithçka që kjo sjell, përfaqëson një sfidë që mund të jetë ndërtuese vetëm nëse veprohet në formimin e ndërgjegjes njerëzore, të bazuar në vlerat themelore të njeriut dhe që frymëzohen nga parimet e krishtera, për shumë vite të ndaluara nga një kulturë e deklaruar ateiste. Përpjekja e Kishës katolike vendoset pikërisht në këtë kontekst pasigurie kulturore, sociale dhe fetare.
Kisha në Shqipëri, jeton, për shumë aspekte, nga zelli misionar i aktualizuar nga rregulltarë të shumtë që nga vitet ’90. Pjesa më e madhe e personelit rregulltar të pranishëm në Shqipëri vjen nga vendet e tjera. Shugurimet e para meshtarake të të rinjve shqiptarë kanë ndodhur vetëm në vitet 2000, dhe deri në këtë kohë kleri vendas ishte i përbërë nga meshtarë të moshuar që u mbijetuan lodhjeve dhe torturave që u bëri regjimi. Pra puna e misionarëve nga vendet e afërta në Shqipëri ka rezultuar vendimtare për rilindjen e Kishës dhe mbetet akoma sot domethënëse, duke konsideruar edhe vështirësitë për të patur thirrje vendase, mbi të gjitha meshkuj. Kisha në Shqipëri është dhe mbetet një Kishë misionare dhe ka nevojë sot, e më shumë se dje, për bujarinë e misionarëve të rinj.
Duke filluar nga ky vit 2011 shumë bashkësi rregulltare po i afrohen kremtimit të XX vjetorit të pranisë tyre në Shqipëri. Njëzet vite në të cilat jeta rregulltare është në shërbim të kësaj Kishe të dashur në Shqipëri. Njëzet vite histori. Çdo institut në veçanti, çdo bashkësi rregulltare, çdo rregulltar/e kontribuon për të shkruar një faqe të kësaj historie nëpërmjet bujarisë së vet, entuziazmit të vet, sakrificës së vet dhe edhe të vetë jetës. Në këtë vit është përvjetori i dhjetë i vdekjes së Atë Hektorit, i vrarë në shtëpinë e tij në Durrës. Një meshtar i familjes së etërve Jozefinë, që i shtohet listës së shumë martirëve që në të kaluarën jo të largët, e kanë lagur me gjakun e tyre tokën e këtij vendi e procesi kanonik i të cilëve e ka kaluar fazën dioqezane që t’i transmetohet selisë së Shenjtë.
Në këto njëzet vite të shumta kanë qenë kongregatat që kanë hapur të paktën një bashkësi të vogël në Shqipëri. Aktualisht mund të numërojmë rreth 100 familje rregulltare, pa konsideruar lëvizjet, për një total të rreth 500 rregulltarëve.
Për këtë duhet të pranojmë që konferenca jonë përpiqet që të mbajë të gjallë angazhimin në fushën e formimit të kandidatëve në jetën rregulltare, nëpërmjet organizimit të takimeve të përbashkëta, të tërheqjeve shpirtërore dhe ditëve të studimit.
Por ndihet nevoja që të kemi në vend për personel rregulltarësh akoma më të kualifikuar. Në këto vite kanë patur mundësi të punojnë në Shqipëri rregulltare dhe rregulltarë të përgatitur në fushën e formimit, por këta janë transferuar pas pak kohe. Për këtë ju referoj shprehjen e disave nga ipeshkvijtë tanë, që flasin po për një Kishë të gjallë, por akoma shumë e re dhe e paaftë që të ecë vetëm. Një Kishë që ka nevojë për më shumë vëmendje dhe më shumë kujdes. Në fakt ipeshkvijtë ankohen për vendimin e disa eprorëve që bëjnë transferime të lehta të rregulltarëve tashmë ekspertë dhe të futur mjaft mirë në fushën e baritores (mendoni për problemin e gjuhës dhe inkulturimit) apo që të ndalin në Itali rregulltarë shqiptarë që mund të bëjnë shumë në këtë fazë, e mund t’i japin një kontribut vendit për jetën e Kishës vendase. Konferenca Ipeshkvnore prej vitesh shpreson, e së bashku me të edhe ne, nevojën që formimi, aty ku është e mundur, përfshirë edhe vitin e noviciatit, të jetohet në Shqipëri. E kuptojmë mirë dëshirën dhe urgjencën e kongregatave të shumta që të mbështesin edhe me ndihmën e rregulltarëve të rinj strukturat e tyre tradicionale, por kjo provokon një lodhje të mëtejshme të kësaj Kishe të re, përveçse tradhton atë shpirt të vërtetë e të pastër misionar që e kishte shtyrë Kongregatën të arrinte tokën shqiptare. Edhe pse në këto vite janë shtuar bashkësitë rregulltare, mbi të gjitha femërore, dhe kemi një prani diskrete të rregulltarëve shqiptarë, fillohet të vihet re një pakësim të personelit rregulltar. Në fakt vihet re kthimi i misionarëve të “orës së parë”. Sëmundja, lodhja, vështirësitë baritore, perspektiva e përvojave të reja, i shtyn rregulltarët të lenë Shqipërinë, pa sigurinë e një zëvendësimi të sigurt. Pra nëse nga njëra anë kemi bashkësi të reja me një numër të mjaftueshëm rregulltarësh për një jetë të rregullt bashkësie, kemi edhe shumë përvoja të bashkësive të kufizuara në numrin e anëtarëve, situatë që vë pikëpyetje serioze mbi vlefshmërinë baritore dhe institucionale të këtyre pranive. Këto të dhëna e hapin reflektimin jo vetëm mbi cilësinë e apostullatit por mbi të gjitha mbi identitetin e jetës sonë rregulltare që gjen specificitetin (veçantinë) e saj në jetën në bashkësi. Nuk duhet të harrojmë që shërbimi ynë në Kishë shprehet nëpërmjet karizmës specifike të çdo instituti të jetuar në bashkësi.
Mons. George Frendo në ndërhyrjen e tij do të na flasë për sfidat që jeta e kushtuar është e thirrur që të përballojë në kontekstin aktual. Personalisht besoj se njëra nga këto është sfida e bashkimit: bashkimi në bashkësi, bashkimi me kishën dhe bashkimi i karizmave. Në këto dy vitet e fundit, si rregulltarë jemi duke reflektuar pikërisht mbi temën e bashkësisë dhe të jetës vëllazërore, si edhe si bashkësi rregulltare, nëpërmjet jetës vëllazërore, të mund të jemi shenjë dëshmie e dashurisë së Krishtit. Vepra e parë e ungjillëzimit ndodh në bashkësi dhe nëpërmjet dëshmisë së një jete me të vërtetë vëllazërore.
Por jeta në bashkësi, aktualizimi i karizmës specifike të çdo instituti duhet të ndodhë në bashkim me Kishën, në personin e barinjve të saj. Aktiviteti i çdo instituti të veçantë i shkëputur nga një kontekst kishtar e humbet forcën e saj jetësore dhe arsyen e ekzistencës së saj. Shpesh, disa bashkësi, të zëna nga aktivitetet e tyre, bëhen kisha të vogla brenda Kishës. Projekti baritor i institutit të veçantë mbizotëron mbi atë dioqezan. Ka bashkësi që pothuajse në mënyrë sistematike nuk marrin pjesë në takimet dioqezane apo dezertojnë nga momentet e shumta të bashkimit dhe të ballafaqimit, si ky, sepse janë tërësisht të zënë nga aktiviteti i tyre, disa të tjera që nuk informojnë ipeshkvin përkatës për nismat e programuara në vend, kështu siç ndodh që eprorët e lartë, në vizitat e tyre kanonike, nuk ndiejnë as nevojën që të takojnë ordinarin e vendit.
Nga ana tjetër është e nevojshme që edhe barinjtë të inkurajojnë e të ushqejnë këtë bashkim. Shpesh mungesa e programeve baritore dioqezane të përcaktuara mirë, mungesa apo koha e shkurtër e vizitave baritore, mungesa e vlerësimit të pranisë dhe veprës së një instituti, edhe në një fushë sociale bëhen një frenim i bashkimit dhe i dëshmisë.
Jeta rregulltare është pjesë esenciale e jetës së Kishës, dhe karizmat e instituteve të veçanta janë një pasuri e çmueshme që duhet vlerësuar për të mirën shpirtërore të vetë Kishës.
Duke dalë nga shumë vite diktaturë, Shqipëria po përpiqet, me mundim të vihet në të njëjtin hap me vendet perëndimore. Nëse në shumë aspekte jo gjithmonë pozitive kjo pikëmbërritje në pjesën më të madhe është arritur, të shumta janë akoma emergjencat dhe pasiguritë për t’u ardhur në ndihmë nga bujaria dhe përkushtimi i shumë rregulltarëve dhe rregulltareve. Pa dyshim mund të pohojmë që rregulltarët, nëpërmjet veprave të tyre misionare, janë afër shumë varfërive të pranishme në këtë vend.
Ndalem shpesh të imagjinoj këtë numër të madh të shguruarish, që çdo ditë, duke dalë nga banesat e tyre pushtojnë rrugët dhe rrugicëzat e ngushta të maleve, që t’u jenë pranë nevojave shpirtërore, njerëzore dhe materiale të shumë njerëzve. Veprimi misionar është shumë i ndryshëm dhe kompleks, pasi i ndërlikuar dhe i shumëllojshëm është realiteti i këtij vendi. Ajo që vlen për zonën e veriut të vendit, shpesh nuk vlen për jugun dhe ajo që vlen për qendrën, nuk shkon mirë për veriun. Jeta në qytet kërkon një vëmendje baritore të ndryshme nga ajo që ofrohet në zonat rurale. Përveçse në famullitë e shumta dhe në qendrat baritore, rregulltarët punojnë në fushën e edukimit dhe të formimit nëpërmjet kopshteve, shkollave, instituteve profesionale, oratoreve dhe qendrave të dëgjimit: janë të pranishëm në fushën e shëndetësisë dhe veprave të bamirësisë. Punojnë në ambjente tërësisht katolike, por edhe atje ku katolikët janë vetëm një pakicë; le të mendojmë për shërbimet e shumta që zhvillohen në ndihmë të mysilimanëve dhe pakicës së romëve.
Por Shqipëria është një vend i ri dhe në rritje e pra i hapur për perspektiva të reja. Në kontekstin ndërkombëtar po përpiqet të marrë një rol të rëndësishëm për pozicionin e saj strategjik. Nga hera e konsideruar dera për perëndimin, prej pak kohësh ka hyrë në Nato dhe pas ndonjë viti me siguri do të hyjë e të bëhet pjesë e bashkimit evropian. Këto perspektiva të reja janë duke i bërë kongregatat e shumat që të rishqyrtojnë strukturat e tyre, duke i vendosur bashkësitë e pranishme në Shqipëri brenda një province apo konfederate evropiane. Vetë shqiptarët, që në vitet e kaluara i kemi parë të arrijnë brigjet italiane me mjete të rastit, sot në Itali janë një realitet i integruar mirë. Këto konsiderata na çojnë të pohojmë që Shqipëria është një fushë pune e hapur dhe me perspektiva të reja e pjellore, që vështirë të hasen në kontekste tradicionale si mund të jetë ai italian. Le të mendojmë për grupet e shumta rinore apo të vullnetarëve laikë që mobilizohen gjatë të gjithë vitit për të jetuar përvoja misionare, apo të simotrave e bashkëvëllezërve që duke u ndalur vetëm pak ditë në bashkësitë tona kanë mundësinë që të bëjnë përvoja shpirtërore dhe baritore domethënëse. E gjithë kjo bëhet një pasuri për vetë bashkësitë italiane. Për të mos përmendur, më pas, kushtet e favorshme në të cilat mund të krijohet e jetohet një dialog konstruktiv ndërfetar, tani që besimi mund të shpallet haptazi, në një klimë akoma jo të ngurtësuar nga pozicione fundamentaliste. Në këtë fushë një, kontribut i madh mund të vijë nga bashkësitë tona, mbi të gjitha femërore, të angazhuara që të thurin marrëdhënie, të krijojnë lidhje me ndjeshmërinë dhe përvojën që vijnë nga një jetë vëllazërore e fortë. Por e rëndësishme është që vepra e misionarëve, kaq e çmueshme dhe e nevojshme, të bëhet më domethënëse dhe më cilësore, për një përgjigje më të mirë ndaj sfidave aktuale dhe nevojave baritore.
Për këtë qëllim këshilli kombëtar po inkurajon kongregatat e ndryshme që punojnë në Shqipëri të aktualizojnë atë që prej kohësh dokumentet e Kishës urojnë e d.m. th. bashkimin e karizmave.
Në lidhje me këtë ju përmend n. 30 të dokumentit “Të rinisemi nga Krishti”: “Bashkimi që të shuguruarit dhe të shuguruarat janë të thirrur që të jetojnë shkon përtej familjes së tyre rregulltare apo institutit të tyre. Duke iu hapur bashkimit me Institutet e tjera dhe formave të tjera të kushtimit, mund të zgjerojnë bashkimin, të rizbulojnë rrënjët e përbashkëta ungjillore dhe sëbashku të kuptojnë me një qartësi më të madhe bukurinë e identitetit të tyre në shumëllojshmërinë karizmatike si shermendet e të njëjtës hardhi. Takimi dhe solidariteti ndërmjet instituteve të jetës së kushtuar duhen favorizuar, me vetëdijen që bashkimi është “lidhur ngushtë me aftësinë e bashkësisë së Krishterë që t’i bëjë vend të gjitha dhuratave të Shpirtit. Mund të jetë fillimi i një kërkimi solidal i udhëve të përbashkëta për shërbim në Kishë. Faktorët e jashtëm, si ai i nevojës për t’u përshtatur me nevojat e Shteteve, dhe shkaqeve të brendshme të Instituteve, si pakësimi i anëtarëve, që tani orientojnë që të koordinohen përpjekjet në fushën e formimit, të administrimit të të mirave, të edukimit, të ungjillëzimit. Edhe në këtë situatë mund të kuptojmë ftesën Shpirtit për një bashkim gjithmonë e me të thellë. Në këtë punë mbështeten Konferencat e Eprorëve dhe Eproreve të Lartë dhe Konferencave të Instituteve shekullore, në të gjitha nivelet. Nuk mund të përballohet më e ardhmja të shpërndarë. Është nevoja që të jemi kishë, të jetojmë së bashku aventurën e Shpirtit dhe duke ndjekur Krishtin, të komunikojmë përvojat e ungjillit, duke mësuar që të duam bashkësinë dhe familjen rregulltare të tjetrit sikur të ishte e jona. Gëzimet, dhimbjet dhe sukseset mund të bashkëndahen dhe mund të jenë të të gjithëve.”
Besoj thellësisht që bashkimi i karizmave, që realizohet në bashkëpunimin konkret ndërmjet kongregatave të ndryshme, përfaqësojnë një nga sfidat e jetës së kushtuar sot dhe një pasuri për të ardhmen e saj. Eksperimente të vogla në këtë drejtim janë duke u bërë. Në fushën e formimit janë kongregata që kanë filluar të bashkëpunojnë, kështu si edhe në shërbimin e edukimit të të rinjve, në atë kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe edhe në disa përvoja baritore.
Prania e shumënumërt e eprorëve të lartë në këtë takim do të na lejojë që të vlerësojmë mundësinë e realizimit të përvojave të tjera. Do të kufizohem vetëm duke renditur disa propozime që sipas mendimit tonë duken më urgjente:
Për sa i përket formimit është e nevojshme që të integrohet grupi i atyre që tashmë angazhohen në këtë sektor me rregulltarë ekspertë që të shoqërojnë kandidatët në momentet e ndryshme të formimit të tyre: nga postulati tek juniorati e me tej.
Në sektorin e shkollave (niveli i shkollave të mesme) rregulltarët janë angazhuar në zonën e Shkodrës dhe Tiranës. Prandaj ndihet nevoja për të hapur një shkollë të mesme në zonën e Durrësit apo në një zonë më qendrore ndërmjet Shkodrës e Tiranës.
Tashmë ekziston një Institut i Shkencave Fetare në Shkodër. Rezulton e vështirë pjesëmarrja në këtë institut nga ana e atyre që janë në zonën e Tiranës.
E nevojshme është edhe formimi i një ekipi ndërkongregacional që të punojë në sektorin e baritores universitare. Qytetet e Shkodrës dhe të Tiranës gjatë vitit akademik mbledhin të rinj të shumtë që vijnë nga çdo vend i Shqipërisë. Ka përvoja baritore që po zhvillohen, por për shkak të gjerësisë së veprës kërkohet një kujdes më i veçantë.
Edhe në fushën e bamirësisë janë të shumtë rregulltarët e angazhuar që të bëjnë të lulëzojnë mijëra fytyrat e dashurisë edhe në këtë vend por pasi u kapërcye periudha e emergjencës ka arritur koha që të thërrasim një fantazi të re të dashurisë. Disa bashkësi p. sh. janë duke marrë në shqyrtim mundësinë për të hapur një mensë për të varfrit. Mungon, apo thuajse, prania e rregulltarëve në sektorin e mass-mediave dhe të mjeteve të ndryshme të komunikimit. Tashmë edhe Shqipëria zotëron mjetet më moderne të komunikimit, televizori, gazetat dhe rrjeti internet kanë ndikuar shumë në formimin kulturor të brezave të rinj.
Si po thosha nuk kemi pretendimin që të marrim në këto ditë vendime të prera, por shpresoj që të fillohet të flitet dhe që në ditën e nesërme të mund të skicojmë rrugë operative.
Shumë të dashur, nëse shohim pasiguritë e bashkësive tona, të gjitha problemeve që çdo ditë na duhet të përballojmë, dhe nëse shohim bashkimin e Provincave tona rregulltare apo të Kongregatave tona, të flasim në këto terma, projekti mund të duket një iluzion e diçka naive.
Nuk ju fsheh faktin që, me kalimin e viteve të entuziazmit fillestar, edhe në Shqipëri rregulltarët po kalojnë një periudhë dremitje: e ndiejmë lodhjen fizike dhe shpirtërore që shpesh shoqërohet nga zhgënjime apostolike, nga mungesa e mbështetjes, në përballimin, ndonjëherë të problemeve burokratike që lidhen me mbajtjen e strukturave tona të paguara dhe të ripaguara, shqetësimeve ekonomike, pakësimi apo mungesa totale e thirrjeve të shenjta rregulltare që nuk na lejon të shohim me qetësi të ardhmen tonë. E gjithë kjo nuk duhet të rrezikojë që të na bëjë të biem në pesimizëm aspak ungjillor, por në të kundërt duhet të na japë nxitjen për të punuar më me vendosmëri për ndërtimin e një bashkimi të vërtetë, që të na dhurojë, një efikasitet më të madh apostolik dhe sigurinë që ndihemi më shumë të mbështetur dhe të shoqëruar. Është e nevojshme, pra që të ndërtojmë një rrjet të bashkësive që punojnë në të njëjtin sektor, dhe sëbashku të përpiqemi që t’u përgjigjemi problemeve dhe nevojave.
Ndoshta ka arritur koha që të bashkojmë disa nga veprat tona që të jenë më domethënëse dhe të mbështetura nga burime njerëzore të vlefshme.
Nuk është e fundit, konferenca jonë e rregulltarëve, nuk ka akoma as një seli dhe as një sekretari të nevojshëm për të krijuar një koordinim të aktiviteteve të instituteve.
Formimi i një sekretarie, mund të favorizojë këtë punë në rrjet ndërmjet aktiviteteve të ndryshme apostolike. Jemi duke bërë përpjekje në këtë drejtim, por kërkohen persona që në kohë të plotë të zhvillojnë këtë angazhim.
Në ditët e kaluara kemi marrë pjesë të gjithë në një moment gëzimi të madh: lumturimi i Papës Gjon Pali II i përkufizuar “njeri i shpresës”.
Do të më pëlqente të bëjë të rijehonin në këtë sallë dhe në zemrat tona fjalët tashmë të famshme në fillim të pontifikatit të tij:
Mos kini frikë! Hapjani, përkundrazi hapjani gjerë dyert Krishtit!
Pushtetit të tij shpëtues hapini kufijtë e shteteve, sistemet ekonomike si dhe ato politike, fushat e gjëra të kulturës e të zhvillimit. Mos kini frikë! Krishti e di “çfarë ka brenda njeriut”. Vetëm ai e di! Sot kaq shpesh njeriu nuk e di se çfarë mban brenda, në thellësi të shpirtit të tij, të zemrës së tij. Kaq shpesh është i pasigurt kuptimi i jetës së tij në këtë tokë. Është i pushtuar nga dyshimi që kthehet në dëshpërim. Më lejoni pra - ju lutem, ju përgjërohem me përvujtërinë dhe me besimin - lejojeni Krishtin t’i flasë njeriut. Vetëm Ai i ka fjalët e jetës! Po të jetës së amshuar!
Ne kemi nevojë që të shpresojmë. Kemi nevojë që të fitojmë çdo lloj frike, që të shohim me besim të ardhmen tonë. Duam të angazhohemi të lexojmë ato shenja të shumta shprese që pavarësisht nga gjithçka ky realitet na ofron. Pikërisht prania e numërt dhe e cilësorë e ju eprorëve të lartë sot, dhe ajo që sëbashku do të përpunojmë, mund të sjellë përsëri në ne ndjenjën e gëzimit dhe virtytin e shpresës. Të imagjinohemi si dishepujt e Emausit, të siguruar dhe të shoqëruar nga prania e të Ringjallurit. Si ata, kemi dëshirën e madhe të “ecim në shoqëri”, të krahasojmë drejtimin e ecjes sonë, të bashkëndajmë atë që na shqetëson dhe atë që na ngushëllon. Ju falënderoj akoma që e keni pranuar ftesën që “të bëni rrugën “ sëbashku me ne. Të gjithëve urimi i sinqertë dhe i përzemërt për një punë të qetë dhe konstruktive.







All the contents on this site are copyrighted ©.