2011-05-31 15:23:05

Udhëtimi i Papës në Kroaci më 4 3 5 qershor, familja dhe Evropa ndër temat e udhëtimit apostolik


Në Kroaci vazhdojnë përgatitjet për vizitën e Papës, në program më 4 e 5 qershorin e ardhshëm. Udhëtimi i 19-të apostolik ndërkombëtar i Benediktit XVI, me moton “Së bashku në Krishtin”, bëhet me rastin e Ditës Kombëtare të Familjeve katolike kroate. Sot paradite, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi u dha gazetarëve detajet e fundit mbi kontekstin dhe kuptimin e këtij udhëtimi. Pasi kujtoi se Jozef Racinger ka qenë dy herë si kardinal në Kroaci, atë Lombardi u ndal në kuadrin politiko-shoqëror të vizitës. Këtë vit bie 20-vjetori i pavarësisë së vendit e të shkëputjes së tij nga ish-Republika e Jugosllavisë. Kroacia pret me besim integrimin në Bashkimin Evropian, gjë që do të përmendet edhe nga Papa:
“Sigurisht, do t’i referohet kulturës, traditës, identitetit të popullit kroat dhe aspiratave të tij në perspektivën e integrimit në Bashkimin Evropian”.
Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit ilustroi çastet kryesore të udhëtimit. Të shtunën, më 4 qershor, pas ceremonisë së mirëseardhjes në aeroportin e Zagrebit, Ati i Shenjtë do të shkojë në Pallatin presidencial për t’u takuar me presidentin e Republikës, Ivo Josipoviç, i cili ka të përbashkët me Papën, dashurinë për muzikën klasike. Pasdite, dy ngjarje kryesore: takimi me eksponentët e shoqërisë civile, të kulturës dhe me krerët fetarë në Teatrin kombëtar kroat; Lutja e mbrëmjes me të rinjtë në sheshin qendror të Zagrebit, ku priten 50 mijë vetë. Të dielën paradite, çasti kulmor i udhëtimit: Mesha Solemne, që Papa do ta kremtojë në hipodromin e kryeqytetit, me rastin e Ditës Kombëtare të Familjeve katolike kroate. Priten 300 mijë vetë. Pasditen e 5 qershorit, Benedikti XVI do të shkojë në katedralen e qytetit për Lutjen mbrëmësore e për t’u gjunjëzuar para varrit të të Lumit Stepinac, protagonist e mbrojtës i lirisë së fesë gjatë diktaturës komuniste:
“Bari i madh i Kishës kroate, ipeshkëv e martir, vdiq si pasojë e sëmundjeve të marra në burg, prandaj konsiderohet martir. Sigurisht, është figura mbizotëruese në atmosferën e këtij takimi”.
Pas vizitës tek kardinali-kryeipeshkëv i Zagrebit, Bozaniç, Papa do të shkojë në aeroport për t’u kthyer në Romë. Të gjitha fjalimet e homelitë, shpjegoi atë Lombardi, do të shqiptohen në italisht, të ndërprera herë pas here nga përkthimi në kroatisht. Nuk do të mungojë edhe leximi i disa pjesëve drejtpërdrejt në kroatisht nga Benedikti XVI. Së bashku me Papën do të shkojnë në Kroaci edhe kryetari i dikasterit vatikanas për familjen, kardinal Antoneli dhe sekretari i përgjithshëm i Sinodit të ipeshkvijve, imzot Eteroviç, me kombësi kroate.







All the contents on this site are copyrighted ©.