2011-05-31 19:08:10

Përfundon muaji i majit, kushtuar Zojës së Bekuar: në Kopshtet e Vatikanit, me procesionin tradicional me pjesëmarrje të Papës.


Sonte, duke nisur nga ora 20.00, qindra besimtarë përshkojnë përsëri rrugëzat e Kopshteve të Vatikanit, duke thënë Rruzaren Shenjte, në përfundim të muajit marian. Në sa mbi Kopshtet e Vatikanit ka rënë dalë-nga-dalë muzgu, besimtarët po i shprehin, përmes lutjes, mirënjohjen Zotit Krijues.
Çdo vit, më 31 maj, qindra flakëza ndriçojnë rrugicat e bleruara të kopshteve të Vatikanit. Janë qirinjtë e besimtarëve, që i luten Zotit përmes ndërmjetësimit të Nënës Qiellore, dhe u këndon vetë zemra, në sa ecin nga Kisha e Shën Shtjefnit të Abisinëve, pas Bazilikës së Shën Pjetrit, për të arritur tek Shpella e Lurdës në maje të kopshteve vatikanase, ku është në kremtim e sipër Liturgjia e Fjalës së Zotit, kryesuar nga kardinali Anxhelo Komastri, Kryeprift i Bazilikës së Shën Pjetrit e Mëkëmbës i përgjithshëm i Papës për Qytetin e Vatikanit. Në përfundim të kremtimit, besimtarëve do t’u flasë personalisht Benedikti XVI i cili i bashkohet besimtarëve të mbledhur për lutjen e mbylljes së muajit maj në nderim të Virgjërës Mari.
E duke thënë uratën e Rruzares Shenjte, besimtarët kujtojnë lindjen e Jezusit dhe fëmijërinë e tij të parë, të udhëhequr në mënyrë pothuajse të dukshme nga Shpirti Shenjt. E Zemra e Zojës, në përkim të plotë me atë të Birit Hyjnor, është tempull i Shpirtit të së vërtetës, ku çdo fjalë e çdo ngjarje ruhet me fe, me shpresë e me dashuri.
Prej këndej, dëshira për t’i përngjarë Nënës së Jezusit, sepse në shkollën e Marisë edhe ne mësojmë ta njohim praninë e Shpirti Shenjt në jetën tonë, ta ndjejmë frymëzimin që vjen prej Tij e ta ndjekim përvujtërisht. Ai na bën të rritemi, sipas natyrës së Krishtit, e na dhuron frytet e mira, që Shën Pali Apostull i numëron në Letrën drejtuar Galatasëve: “Dashurinë, gëzimin, paqen, shpirtmadhësinë, dashamirësinë, butësinë, besnikërinë, maturinë, përvujtërinë” (Gal 5,22).
Kujtojmë se dita e fundit e muajit të Zojës kremtohet në qindra Kisha e kapela, kushtuar Nënës së Krishtit në të katër anët e botës, e po kështu edhe në Shqipëri, në Kosovë e në vise tjera shqiptare, posaçërisht në shenjtëroret kombëtare të Zojës së Këshillit të Mirë rrëzë Kështjellës Rozafa në Shkodër, në shenjtëroren e mirënjohur të Zojës në Letnicë të Vitisë, në Zymë të Prizrenit e vende tjera.







All the contents on this site are copyrighted ©.