Në ditën e fundit të majit, muajit të nderimit të Zojës së Bekuar, në mbarë botën
mbahet procesionet e besimtarëve, për të na kujtuar se të gjithë kemi nevojë të mësojmë
nga feja e Zojës së Bekuar. Pse? Gjon Pali II, në Letrën “Kisha jeton nga
Eukaristia”, e ka quajtur Zojën e Bekuar “grua eukaristike”, sepse Zoja është ajo
që besoi në fjalët e thëna nga Zoti i cili, sa herë marrim Kungimin shenjt në Eukaristi,
na flet edhe ne e na thotë: “Ky është Korpi im, ky është Gjaku im!”. Ne kemi nevojë
të mësojmë nga feja e Marisë, në mënyrë që t’i afrohemi Eukaristisë me zemër të hapur
e kështu Eukaristia të sjellë në ne frytet që solli Jezusi në jetën e Marisë. Maji
përfundon, por kjo s’ do të thotë se nuk do të lutemi më. Si besimtarë nuk duhet
të pushojmë kurrë s’u luturi Zotit së bashku me Virgjërën Mari, duke thënë sidomos
Rruzaren, një lutje e thjeshtë dhe shumë e pasur, e cila mund të themi se është një
“përmbledhje e vërtetë e Ungjillit”.Besojmë se Rruzarja për familjen e krishterë është
një nga takimet më të bukura e më të rëndësishme për jetën shpirtërore. Është urata
që bashkon, është lutja që shëron e pajton shpirtrat. E tani dy fjalë për kremtimin
e sotëm në Vatikan. Kremtohet Rruzarja. Besimtarët janë nisur nga Kisha e
Shën Shtjefnit e, duke thënë Rruzaren, kanë përshkuar udhëzat e Qytetit të Vatikanit.
Edhe kjo ecje së bashku kopshteve të Vatikanit, është një dëshmi e bukur e fesë dhe
një lloj metafore e jetës, sepse jeta është ecje, shtegtim. Dita e sotme, 31 maj,
është dita në të cilën Kisha kujton Marinë, e cila shkon nga shtëpia e Nazaretit në
shtëpinë e Elizabetës. Pasi i ka thënë “po” Zotit dhe e ka pranuar Jezusin në zemrën
e vet, Maria nuk mund të rrijë në shtëpinë e saj, ndjen nevojën të shkojë në shtëpinë
e një tjetre, për t’iu gjendur pranë, për t’i shërbyer. Në përfundim të majit ne dëshirojmë
t’ia ngulim sytë Virgjërës Mari, që del nga shtëpia e Nazaretit, për të dalë edhe
ne nga shtëpitë tona, për të ecur në rrugët tona, me zemrën plot dashuri, në mënyrë
që kush të na takojë e të na pyesë – siç e patën pyetur Nënë Terezën: “Pse i bën këto
gjëra?” - të mund të përgjigjemi: “Sepse m’i ka mësuar Zoti im, që quhet dashuri”.
Pse është bërë traditë, në fund të majit, organizimi i procesioneve kushtuar
Zojës së Bekuar? Çfarë kuptimi kanë? Procesioni na nxit të meditojmë për misterin
e Vizitës së Virgjërës Mari tek Shën Elizabeta, në sa mbante në kraharor Jezusin.
Ajo është vajzë e re, por nuk ka frikë, sepse Zoti është me të, brenda saj. E ne,
në një farë mënyre, mund të themi se ky udhëtim i saj qe procesioni i parë i historisë.
Tabernakull i vërtetë i Zotit të mishëruar, Maria është arka e Besëlidhjes, në të
cilën Zoti e vizitoi dhe e shpërbleu popullin e vet. Procesioni i besimtarëve
na kujton edhe çastin kur Zoja hyri në shtëpinë e Elizabetës e Gjoni kërceu prej
hareje në kraharorin e së ëmës, gati sikur të donte të paralajmëronte ardhjen e Atij,
Mesisë, që në një të nesërme do t’ia kumtonte Izraelit. Galdojnë foshnjat, galdojnë
nënat. E ky takim përplot me gëzimin e Shpirtit Shenjt gjen shprehjen e vet tek himnin
e Madhërimit - Magnificat, që vijon të jehojë në zemrat e besimtarëve, për të shprehur
gëzimin e Kishës, e cila e mirëpret gjithnjë Krishtin në Eukaristinë shenjte dhe e
çon në botë, me dëshminë e bamirësisë vepruese plot fe e shpresë. Po, gëzimi i vërtetë
i të krishterit është pikërisht ta mirëpresë Jezusin e t’ua çojë edhe të tjerëve.
Prandaj mund të pohojmë se dita e fundit e majit, muajit të Zojës tingëllon si ftesë
drejtuar gjithë të krishterëve për ta ndjekur e për ta imituar Virgjërën Mari, gruan
me shpirt eukaristik, që jeta e secilit të bëhet një Madhërim - Magnificat – një këngë
e vërtetë lavdërimi lartuar Zotit!