2011-05-31 13:20:37

Gjermania i thotë lamtumirë energjisë bërthamore brenda vitit 2022


Brenda vitit 2022, Gjermania do t’i thotë një herë e përgjithmonë lamtumirë energjisë bërthamore. Vendimi, konsideruar “i pakthyeshëm” nga ministri i ambientit Norbert Rëtgen, u mor pas një debati të ashpër në parlament e në gjirin e shoqërisë civile. Nga 17 centralet bërthamore në territorin gjerman, të paktën 8 janë ndalur pas tërmetit në Japoni e problemeve në Fukushima. Berlini parashikon fikjen e 6 reaktorëve brenda vitit 2021. Tre të tjerët, që mbeten, do të mbyllen brenda vitit 2022. Pyetëm koordinatorin e projektit “Etika dhe Politika ambientale” në Fondacionin Lanca të Padovës, Mateo Masha, sa ndikoi incidenti i Fukushimës mbi këtë vendim:

Sigurisht, çështja e Fukushimës ndikoi fuqimisht në këtë debat, sepse, në një farë mënyre, tregoi se nuk ekzistojnë centrale bërthamore të sigurta. Gjermania është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të energjisë nga era, ose nga dielli e me 11 vjetët që mbeten për mbylljen e centraleve bërthamore, na bën të ditur se mjafton kjo kohë për të fuqizuar prodhimin e energjisë alternative deri në arritjen e autonomisë. Parashikohet gjithashtu fuqizimi i prodhimit të energjisë nga gazi i metanit, përmes lidhjeve me Rusinë.

Gjermania do t’i eliminojë centralet bërthamore, por mbeten ato në Francë për shembull. Pra, problemi nuk zgjidhet përfundimisht…

Po, por është e vërtetë edhe se vendimet tona nuk mund të varen nga fakti se pranë nesh kemi njerëz që sillen keq, ose zgjedhin diçka tjetër. Është e qartë se ekziston rreziku i centraleve të afërta, por besoj se mesazhi, që jep Gjermania, është se e ardhmja do të bazohet mbi energjitë e rinovueshme e mbi efikasitetin energjitik, si edhe për disa aspekte, mbi gazin e metanit.

Sipas jush, ky i Gjermanisë, është vendim politik, apo i shtyrë nga lëvizjet ambientaliste?

Nuk besoj se ky vendim u mor vetëm për shkak të Fukushimës, apo për shkak të fushatës elektorale të kancelares Merkel e të fitores së të gjelbërve. Mendoj se është një vendim i pjekur në kohë, mbi bazën e një sërë studimesh me karakter epidemiologjik, por edhe ekonomik, sepse të mos harrojmë se energjia bërthamore nuk ka leverdi ekonomike më shumë se energjitë e tjera. Gjithsesi, është pozitiv fakti që ku vendim u mor edhe pas konsultimit me subjektet aktive në bashkësi e ndër ta, edhe me Kishat, të cilat, që nga vitet ’90, promovojnë energjitë e rinovueshme.

Kësaj radhe, etika e politika u lidhën mirë, apo jo?

Absolutisht po, pasi ne kemi përgjegjësi etike për të ardhmen, për planetin e ambientin që u lemë brezave të rinj, për teknologjitë që lemë pas. Mendoj se vendimi për të investuar mbi burime energjitike me ndikim e rrezik më të vogël për popullsinë është një vendim etik shumë i rëndësishëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.