2011-05-31 15:22:47

Benedikti XVI: zhvillimi i muzikës kishtare duhet t’i mbetet besnik traditës e t’i japë dinjitet liturgjisë


Është Kisha “subjekti i vërtetë” i liturgjisë e, në këtë kuptim, muzika kishtare duhet ta bëjë për vete asamblenë, duke i kthyer asaj shijen e “lutjes, të dinjitetit e të bukurisë” së kremtimit. Kështu pohon Papa në letrën, që i dërgon kardinalit Zenon Groçolevski, prefekt i Kongregatës për Edukimin Katolik, me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Institutit Papnor të Muzikës Kishtare.
Në ditët e sotme, mund të jetë muzika pop ajo, që mund të ndikojë negativisht mbi muzikën liturgjike. Para një shekulli, ishin ariet e operave e Papa Piu X vendosi që muzika kishtare nuk mund të ishte terren fitoresh për partitura muzikore të papërshtatshme për të shprehur lidhjen e ngushtë ndërmjet notave dhe domethënien e hyjnores në liturgji. Prandaj – kujton Benedikti XVI në letrën e tij – Piu X themeloi më 1911, Shkollën e Lartë të Muzikës Kishtare, e cila 20 vjet më vonë, u ngrit në rangun e Institutit Papnor nga Papa Piu XI. Nevoja për këtë organizëm bazohet në domosdoshmërinë për të pasur një qendër studimi e orientimi, që u përçon me besnikëri e cilësi të lartë kompozitorëve, maestrove të kapelave e liturgjistëve, direktivat e Atit të Shenjtë.
Edhe Papa Pali VI e i Lumi Gjon Pali II konfirmuan kriteret themelore, që karakterizojnë muzikën kishtare: shija e lutjes, e dinjitetit dhe e bukurisë; përkimi i plotë me tekstet dhe gjestet liturgjike; përfshirja e asamblesë e si rrjedhojë, edhe përshtatja me kulturën lokale, duke ruajtur universalitetin e gjuhës muzikore; primati i këngës gregoriane, si modeli më i lartë i muzikës kishtare dhe, vlerësimi i kujdesshëm i formave të tjera të shprehjes, që bëjnë pjesë në trashëgiminë historiko-liturgjike të Kishës, veçanërisht polifonia, por jo vetëm ajo; rëndësia e “schola cantorum”, sidomos në kishat katedrale.
Megjithatë – vazhdon Papa – subjekti i vërtetë i liturgjisë nuk është personi, ose grupi, që e kremton atë, por Kisha. Liturgjia është kryesisht veprim i Zotit përmes Kishës, e cila ka historinë, traditën dhe krijimtarinë e vet. Liturgjia – nënvizon më tej Benedikti XVI – jeton në marrëdhënie të drejtë me traditën e shëndoshë e me zhvillimin e ligjshëm e kjo duhet pasqyruar edhe në muzikën kishtare. Tradita – përfundon Papa – është realitet i gjallë, prandaj përmban në vetvete parimin e zhvillimit e të përparimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.