2011-05-30 14:36:38

Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore: atje ku kumtohet Ungjilli, lulëzon jeta.


“Atje ku kumtohet, Ungjilli bën të lulëzojë jeta, ashtu si shiu, që reshet mbi tokën e djegur nga thatësira”: këtë pohoi Papa në lutjen e djeshme të Mbretëreshës Qiellore, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e mijëra besimtarëve. Ati i Shenjtë ripohoi me forcë se edhe sot, detyra kryesore e Kishës është ungjillëzimi, siç e kanë dëshmuar figura të ndritura, si Shën Karl Borromeo, Nënë Tereza e Kalkutës dhe Karol Vojtila, të cilin Jozef Racinger e quajti ‘misionar i madh’.

Atje ku arrin Ungjilli, lulëzon jeta - nënvizoi Papa - që, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore u ndalua posaçërisht tek fragmenti i shkëputur nga Veprat e Apostujve, atje ku përshkruhen veprat e mrekullueshme të Filipit diakon, në Samari:
“Filipi dhe dishepujt e tjerë, me forcën e Shpirtit Shenjt, bënin në fshatrat e Palestinës, po atë, që kishte bërë Jezusi: predikonin Lajmin e Mirë e bënin mrekulli. Ishte Zoti vetë ai, që vepronte përmes tyre”.
E kështu, vërejti Shenjtëria e Tij, ndodhte, çka ndodh kur mbi tokën e rreshkur nga thatësira, nis të reshet shiu. E dheu merr jetë e vishet sërisht me blerim. Kështu edhe kumtimi i Ungjillit, sjell jetë, kudo që përhapet Lajmi i Mirë:
“Duke lexuar këtë fragment, mendojmë pa dashur për forcën gjallëruese të Ungjillit, i cili në rrjedhë shekujsh vaditi, si lum jetëdhënës, popullsi të tëra”.
Më pas Papa kujtoi disa shenjtorë të mëdhenj, që çuan shpresë e paqe në vendet ku kryen misionin e tyre, duke nënvizuar emrat e Karl Borromeos, në Milano, në kohën e kolerës e të së Lumes Nënë Terezë të Kalkutës. E ka edhe shumë misionarë të tjerë – shtoi Papa – emrat e të cilëve i di veç Zoti, që dhanë jetën për të kumtuar Krishtin, duke bërë që në shpirtrat e njerëzve të lulëzonte ai gëzim, të cilin vetëm Zoti di ta japë:
“Ndërsa sundimtarët e kësaj bote kërkonin të pushtotnin toka të reja për interesat e tyre politike dhe ekonomike, lajmëtarët e Krishtit shkonin në të katër anët e botës, për ta çuar Krishtin tek njerëzit e njerëzit tek Krishtit, duke e ditur mirë se vetëm ai mund t’u japë lirinë e vërtetë e jetën e pasosur”.
Edhe sot, pohoi Benedikti XVI, detyra kryesore e Kishës është ungjillëzimi. Kisha duhet të vijojë me guxim shtegtimjn e saj:
“Si drejt popujve, që nuk janë ‘vaditur’ akoma nga uji i gjallë i Ungjillit, ashtu edhe drejt atyre që, ndonëse me rrënjë të lashta të krishtera, kanë nevojë për limfë të re, e cila sjell fryte të reja e ndihmon për ta rizbuluar bukurinë dhe gëzimin e fesë”.
Në vijim Papa kujtoi edhe të Lumin Gjon Pali II që, nënvizoi, ishte misionar i madh. Karol Vojtila, vijoi Benedikti XVI, i dha një shtytje të re misionit ‘ad gentes’ e njëkohësisht, edhe ungjillëzimit të ri. Dy detyra, të cilat Papa ia besoi ndërmjetësimit të Marisë, së cilës iu lut:
“Nëna e Krishtit, shoqëroje kudo e kurdoherë kumtimin e Ungjillit, që kështu, të shtohen e të zgjërohen në botë hapësirat, në të cilat njerëzit rigjejnë gëzimin e të jetuarit si bij të Zotit”.
Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, Ati i Shenjtë u ndal tek figura e motrës Maria Serafina e Zemrës së Krishtit, lumnuar dje në Cerreto Sannita, të Italisë. Ndërsa në gjuhën polake, kujtoi 30-vjetorin e vdekjes së kardinalit Stefan Vishinskij, Primat i Mijëvjeçarit:
“Wypraszając dar jego beatyfikacji
“Duke u lutur për dhuratën e lumnimit – tha Benedikti XVI – mësojmë nga ai se duhet ta lëshojmë plotësisht vetveten në dorë të Nënës së Zotit. Besimin e tij, shprehur në fjalët: “E kam lënë gjithçka në dorë të Marisë”, duhet ta shikojmë si model të veçantë.
Në fund Papa kujtoi edhe Ditën e lehtësimit të vuajtjeve, kushtuar të sëmurëve, kremtuar dje nga Kisha, në Itali.







All the contents on this site are copyrighted ©.