2011-05-30 17:20:50

Papa dikasterit të Ungjillëzimit të ri: “T’i kumtohet Krishti në mënyrë të re njeriut të sotëm, të shekullarizuar”.


“Shoqëria e shekullarizuar ka nevojë për ungjillëzues të rinj, të aftë për ta kumtuar Fjalën e Zotit në mënyrë të re, për të prekur zemrën e njeriut të sotëm, shpesh të çkujdesur e të pandjeshëm”: këtë pohoi Benedikti XVI sot paradite, duke iu drejtuar pjesëmarrësve të asamblesë së parë plenare të Këshillit Papnor për nxitjen e ungjillëzimit të ri, që e themeloi tetorin e vitit të kaluar.RealAudioMP3
Shekullarizimi ka lënë gjurmë të thella edhe në vendet me traditë të krishterë. E nga kjo krizë e jetës e krishterë - shpjegoi Ati i Shenjtë - buron kërkesa për ungjillëzimin e ri e, sidomos, për mënyrën e re të kumtimit:
“Ungjilli është kumtimi, gjithnjë i ri, i shëlbimit të kryer nga Krishti, për ta bërë njerëzimin pjesëtar të misterit të Zotit e të jetës së tij të dashurisë e për t’i hapur një ardhmëri shprese, të besueshme e të fortë. Të nënvizosh, në këtë çast të historisë, se Kisha është e thirrur të punojë për ungjillëzimin e ri, do të thotë të thellosh veprimtarinë misionare, për të përkuar plotësisht me mandatin e Krishtit”.
Në atmosferën e ndryshimeve të thella kulturore, Kisha duhet të tregojë vëmendje të veçantë, e vetëdijshme se e kumton fenë në situata të ndryshme nga ato të së kaluarës:
“Kriza, që provohet, sjell me vete prirjen për ta përjashtuar Zotin nga jeta e njerëzve, indiferencën e përgjithshme ndaj fesë së krishterë, deri në përpjekjen për ta përjashtuar nga jeta publike”.
Është shumë më e ndërlikuar sot, sesa në të kaluarën, ta kumtosh Krishtin, të vetmin shëlbues të botës. Po detyra jonë mbetet e njëjtë, që në agun e historisë së krishterimit. Misioni nuk ka ndryshuar, e nuk duhet të ndryshojë as entuziazmi e guximi, që vunë në lëvizje Apostujt e dishepujt e parë.
E, për ta bindur njeriun e sotëm, i cili gjithnjë më shumë është i çkujdesur e i pandjeshëm – shtoi Papa – Kisha ka nevojë për ungjillëzues të rinj. E për zell të ri, që ta bëjë kumtimin e shëlbimit sa më të frytshëm:“Edhe ai që vijon të mbetet i lidhur me rrënjët e krishtera, por jeton marrëdhëniet e vështira me modernitetin, duhet ta kuptojë se të qenët i krishterë nuk është petk, që vishet vetëm në jetën private ose në raste të posaçme, por është diçka e gjallë e absolute, e aftë për të përvetësuar gjithçka të mirë nga jeta moderne”.







All the contents on this site are copyrighted ©.