2011-05-29 10:27:48

Atë Lombardi mbi udhëtimin e Papës në Zagreb: Kthim në Kroaci


Papa Benedikti XVI përgatitet të shkojë në Kroaci më 4 e 5 qershor. Është udhëtimi i parë ndërkombëtar i tij në vitin 2011 e jo rastësisht, bëhet në një vend, ku 89,88% e popullsisë e quan veten katolike. Kisha është e organizuar në gati 1.600 famulli, me 25 ipeshkvij e 2.343 meshtarë dhe, jep kontributin e saj, sidomos në fushën e edukimit, me 22 kopshte e shkolla fillore, me 12 shkolla tetëvjeçare e 7 shkolla të mesme e universitare.
Benedikti XVI do të arrijë në Zagreb më 4 qershor e gjatë vizitës do të flasë gjashtë herë në publik, do të takojë presidenten e Kroacisë, eksponentë të shoqërisë civile e të botës politike e akademike, si edhe do të lutet në mbrëmje me të rinjtë. Më 5 qershor, mesha solemne me rastin e Ditës kombëtare të familjeve katolike kroate në Hipodromin e Zagrebit, kremtimi i lutjeve mbrëmësore në katedralen e Zojës së Madhe e më pas, kthimi në Romë, ku Papa parashikohet të mbërrijë në orën 21.15. Vizitës e rëndësisë së saj, ia kushton komentin e sotëm javor, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi:
“Benedikti XVI do të shkojë në Kroaci më 4 e 5 qershor. Është një kthim në këtë vend, pasi ai vetë ka qenë aty disa herë si kardinal; është kthim edhe pse një Papë ka shkuar tri herë gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit. Pra, në një farë kuptimi, Papa është njeri i shtëpisë në Kroaci. Vend, me rrënjë të thella të krishtera e katolike, ruajtur me besnikëri në kohë të vështira, që nuk kanë munguar, sidomos gjatë shekullit të kaluar. Besnikëri, e shpërblyer me afërsi e solidaritet të sinqertë nga ana e Selisë së Shenjtë.
Kroacia përjeton tani sfidën e shekullarizimit: familja, rinia janë fushat më të rëndësishme për ta përballuar atë. Prandaj, çastet kyç të udhëtimit janë pjesëmarrja e Papës në takimin e parë të familjeve katolike kroate e në takimin me të rinjtë, që kremtohet çdo dy vjet. “Së bashku në Krishtin” thotë motoja e vizitës. Në një botë, në të cilën format e komunikimit shumëfishohen dhe pushtojnë jetën, vërtet takimi e bashkimi ndërmjet njerëzve duket se bëhet gjithnjë e më i vështirë. Kisha mbështetet te Krishti për të përkrahur unitetin dhe misionin e familjes, si edhe për të ushqyer shpresën e rinisë në të ardhmen. Kështu i shërben Kisha bashkësisë njerëzore, bashkësisë kombëtare, e cila, me kalimin e fazës së turbullt të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, përgatitet të integrohet më thellësisht në bashkësinë e popujve evropianë, duke hyrë në Bashkimin Evropian. Papa uron dhe inkurajon që kjo të bëhet duke e pasuruar kulturën dhe vlerat e traditës së madhe të popullit kroat. Figura të jashtëzakonshme vazhdojnë ta frymëzojnë në rrugën e tij, si shkencëtari jezuit Ruxhero Boskoviç, i riu i Lum Ivan Merc e, sidomos, bariu e martiri i madh, i Lumi kardinal Stepinac. Së bashku në Krishtin, me Papën, duhet parë me besim e guxim e ardhmja”.







All the contents on this site are copyrighted ©.