2011-05-27 14:17:38

Shqipëria duhet të pres 3 qershorin për të ditur fituesin për Tiranë


Shqipëria duhet të pres deri më 3 qershor, e ndoshta nuk do të mjaftojë, për ditur përfundimisht fituesin për kryetar Bashkie të Tiranës që u votua me 8 majin e kaluar. Partia socialiste ka paraqitur pranë kolegjit zgjedhor një padi të re më të plotë, e cila ka në thelb kërkesën për të shpallur të pavlefshme veprimet e KQZ-së, për të numëruar fletët e hedhura gabimisht. Veprimi i ri ligjor i socialistëve erdhi pasi kolegji nuk miratoi kërkesën e PS për të shtuar objektin e kërkesë padisë së parë, të shqyrtuar paraditen e së premtes. Kolegji zgjedhor ka vendosur që padia e dytë për këtë çështje të shqyrtohet më 3 qershor.
Partia Socialiste u tërhoq nga padia ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për pavlefshmëri absolute të vendimit të datës 18 maj për vlerësimin e fletëve të votimit për kryetar bashkie të cilat u gjenden në kutitë për funksione të tjera. Tashmë Kolegji do të shqyrtojë padinë për vendimin e datës 23 maj që KQZ mori si KZAZ për Bashkinë e Tiranës. Tërheqja e socialistëve nga padia e parë u bë, pasi në seancën e kësaj të premteje të Kolegjit Zgjedhor, ku do të merrej vendimi, përfaqësuesit juridikë të PS paraqitën që në fillim një kërkese të re. Ata kërkuan bashkimin e çështjes, duke ankimuar krahas vendimit të datës 18 edhe atë që u votua në tërësi të datës 23, për votat e pavlerësuara e të panumëruara. Ky ishte vendimi që u miratua pas numërimit të votave të hedhura aksidentalisht në kutitë të tjera, vendim që u pasua dhe me shpalljen e tabelës përmbledhëse të rezultateve për Bashkinë e Tiranës, nga ku rezultoi fitues Lulzim Basha me 81 vota plus. Për demokratët si palë ë interesuar nuk ka vend për bashkim, por pasi ata e konsideruan si inekzistente çështjen për vendimin e datës 18. Trupi gjykues u tërhoq, per t'u kthyer pas pak minutash në sallë. Relatorja Sashenka Jonuzi refuzoi komunikoi refuzimin e kërkesës së socialistëve për bashkimin e dy padive, pasi nuk kishin ndjekur procedurën ligjore.







All the contents on this site are copyrighted ©.