2011-05-27 16:29:14

Papa Karitasit Ndërkombëtar: dashuria e krishterë nuk është thjesht filantropi, as ideologji, por dhurim i plotë i vetvetes, sipas shembullit të Krishtit.


Të jeni dëshmitarë të dashurisë së Zotit, duke e shtrënguar fort lidhjen me Mësimet e Kishës: kjo është porosia që Ati i Shenjtë u dha sot paradite, pjesëmarrësve në Asamblenë e Përgjithshme të Karitasit Ndërkombëtar, duke i pritur në audiencë, në Vatikan, me rastin e 60-vjetorit të themelimit. Papa i nxiti besimtarët laikë t’i mbrojnë vlerat e padiskutueshme me ndërgjegje të pastër e me zemër bujare.
Në fillim të takimit, Benediktin XVI e përshëndeti, në emër të pjesëmarrësve, kardinali Oskar Rodríguez Maradiaga, i rizgjedhur kryetar i Karitasit Ndërkombëtar.

“Dëshmimi i dashurisë së Zotit dhe lidhja e ngushtë me Kishën”: ky - theksoi Papa - është tipari themelor dhe forca e Karitasit Ndërkombëtar. E më pas, vuri theksin mbi ndihmesën që jep organizmi për një vizion të drejtë antropologjik, të ushqyer nga doktrina katolike e të impenjuar për të mbrojtur dinjitetin e çdo jete njerëzore.
Pa një bazë të fortë transhendente, pa lidhje me Zotin krijues, vërejti Papa, rrezikohemi të biem pre e ideologjive të dëmshme. E më pas ripohoi se Karitasi Ndërkombëtar duhet ta luajë rolin e vet, si forcë që thellon bashkimin ndërmjet Kishës universale e Kishave të veçanta, ashtu si dhe unitetin e të gjithë besimtarëve në ushtrimin e dashurisë së krishterë. Njëkohësisht - vijoi Ati i Shenjtë - është i thirrur të japë ndihmesën e vet për ta bërë të pranishëm mesazhin e Kishës në jetën politike e shoqërore, në plan ndërkombëtar. Në sferën politike - pohoi Benedikti XVI - besimtarët, e posaçërisht laikët, gëzojnë liri të madhe veprimi:
“No one can claim to speak ‘officially’…”
Por askush – sqaroi Ati i Shenjtë - nuk mund të pretendojë të flasë zyrtarisht në emër të mbarë laikatit e të të gjithë katolikëve, mbi çështje të hapura për diskutim të lirë. Nga ana tjetër - vërejti Papa - çdo katolik, madje çdo njeri, është i thirrur të veprojë me ndërgjegje të pastër e me zemër bujare për të mbrojtur me vendosmëri ato vlera, të cilat shpesh i kam quajtur “të padiskutueshme”, që nuk mund të shiten, e as të blihen. Ja pra, pse Karitasi Ndërkombëtar është i thirrur të punojë për edukimin e njerëzve të aftë për t’ua hapur zemrën të gjithëve, në mënyrë që secili, duke respektuar plotësisht lirinë e vet e duke kryer ndershmërisht detyrat e veta personale, të kontribuojë kudo e kurdoherë për të mirën e përbashkët e, posaçërisht, për të mirën e njerëzve më nevojtarë. Pastaj Papa foli gjatë për tiparet dalluese të Karitasit Ndërkombëtar:
“Being in the heart of the Church, being able…”
Të jesh në zemër të Kishës; të jesh në gjendje, në një farë mënyre, të flasësh e të veprosh në emër të saj - theksoi Papa - do të thotë të marrësh mbi vete një përgjegjësi të rëndësishme në këndvështrimin e jetës së krishterë, si personale, ashtu edhe komunitare. E shtoi: vetëm mbi bazën e impenjimit për ta pranuar e për ta jetuar plotësisht dashurinë e Zotit, mund të mbrohet dinjiteti i çdo njeriu:
“In my first Encyclical, Deus Caritas est…”
Në Enciklikën time të parë “Deus Caritas est”- vijoi Benedikti XVI - desha të pohoj se dëshmia e dashurisë së krishterë është zemra e Kishës së kohëve tona. Përmes kësaj dëshmie, Kisha arrin tek miliona burra e gra dhe u krijon mundësinë ta njohin e ta prekin me dorë dashurinë e Zotit, që është gjithnjë pranë njeriut nevojtar. Për ne të krishterët - shtoi akoma Benedikti XVI - Zoti vetë është burim bamirësie, e bamirësia nuk kuptohet vetëm si filantropi e papërcaktuar, por si dhurim i vetvetes, deri në flijimin e jetës, po të jetë nevoja, për të ndihmuar të tjerët, duke ecur kështu në gjurmët e vetë Jezu Krishtit:
“Caritas Internationalis differs from other social agencies…”Karitasi Ndërkombëtar – shpjegoi më pas Papa - ndryshon nga agjencitë e tjera shoqërore, sepse është organizëm kishtar, që bën pjesë në misionin e Kishës. Këtë - tha Benedikti XVI - e deshën gjithnjë papët, e këtë duhet ta pohojë me forcë edhe asambleja juaj. Duke kujtuar se Karitasi Ndërkombëtar përfshin Karitaset e ndryshme kombëtare, që i ndihmojnë ipeshkvijtë në ushtrimin e veprimtarisë bamirëse, Papa vuri theksin mbi përgjegjësinë e veçantë kishtare të ipeshkvijve e të Kishës, që duhet t’i prijnë çdo veprimtarie bamirëse. Selia e Shenjtë - vijoi Papa - e ka për detyrë ta ndjekë nga afër punën e Karitasit e edhe ta kontrollojë, që si veprimtaria e tij humanitare, ashtu edhe ajo e dashurisë së krishterë, siç theksojnë edhe dokumentet përkatëse, të jenë në përkim të plotë me Selinë Apostolike e me mësimet e Kishës dhe të mbarështohen në mënyrë transparente. Pikërisht ky tipar dallues - përfundoi Benedikti XVI - është forca e Karitasit Ndërkombëtar e, njëkohësisht, edhe burimi, që i siguron veprimtarisë së tij fryte të begata.








All the contents on this site are copyrighted ©.