Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 6-të të Pashkëve ‘A’
Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj
radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës
Hyjnore të dielës së 6-të të kohës së Pashkëve, ciklit të parë sipas kalendarit liturgjik
të Kishës.. Jemi duke ju afruar festës së Rrëshajëve, festës së Shpirtit Shenjt,
dhe liturgjia e Fjalës Hyjnore e dielës së 6-të e kohës së Pashkëve na fton të reflektojmë
mbi dhuratën e Shpirtit Shenjt Zot. Ai është “Shpirti i së vërtetës” (Gjn 14,17).
Ai që, duke mbet, pra qëndruar me ne e në ne për gjithmonë, do të na mundësojë të
zbatojmë e të mishërojmë në jetën e përditshme thirrjen e Pjetrit: “adhurojeni Zotin,
Krishtin, në zemra tuaja, përherë të gatshëm ti përgjigjeni kujtdo që të ju pyes mbi
arsyen e shpresës që është në ju” (1Pt 3,15). Sot më shumë se kurrë, në një kulturë
të relativizmit në çdo fushë, si teorike e po kështu edhe praktike, jemi të ftuar
ta dëshmojmë të Vërtetën e të rrëfejmë arsyen e fesë sonë të krishterë. Në leximin
e parë nga Veprat e Apostujve (Vp 8,5-8.14-17) Pjetri e Gjoni bëjnë një vizitë
në Samari e ky udhëtim i tyre konfigurohet se një etapë e udhës drejt bashkimit dhe
ekumenizmit. Imponimi apo vënia e duarve të apostujve mbi të krishterët samaritanas
zbulon një mënyrë për të konfirmuar e vërtetuar punën e bërë nga themeluesi i kësaj
bashkësie të krishterësh që është Filipi. Në leximin e dytë nga Letra e Parë
e shën Pjetrit (1Pt 3,15-18) armët e të krishterit para padrejtësive, mashtrimeve,
përndjekjeve, nuk është asgjë tjetër përveç se butësia, respekti i pakushtëzuar për
të tjerët, dëshmia e dashurisë dhe faljes së Zotit. Vetëm duke pranuar vdekjen, Kisha
mund ti sjell dritën botës, sepse nuk është institucioni ai që duhet të triumfoi,
por feja. Në pjesën e Ungjilli nga Gjoni (Gjn 14,15-21) Siguria e dhuratës
së Shpirtit Shenjtë e gjallëron fenë tonë e na mbështet në shpresë. Ngushëlluesi i
premtuar është prani hyjnore, që përforcon dashurinë e amshuar që Ati e Biri Hyjnor
kanë për çdo njeri. Pra, mesazhi i leximeve biblike të kësaj së diele mund të pohojmë
se është Shpirti i së vërtetës dhe arsyeja e shpresës. Duke ju afruar festës së Rrëshajëve,
liturgjia e dielës së 6-të të Pashkëve na fton të reflektojmë mbi dhuratën e Shpirtit
të Zotit. Ai është “Shpirti i së vërtetës” (Gjn 14,17). Shpirti i Krishtit të Gjallë
krijon bashkimin mes të gjithë nesh të mbledhur në asamblenë liturgjike rreth tryezës
eukaristike: Ai na dhuron Fjalën në mënyrë që të bëhet realitet i jetës e të mishërohet
dhe të pasqyrohet në veprat tona të përditshme të frymëzuara nga Ungjilli. Liturgjia e FjalësLeximi i parë (Vap 8, 5-8. 14-17)
Pjesa
biblike tregon zgjerimin misionar të Kishës.Banorëve të Samarisë diakoni
Filip u shpall Ungjillin që vjen pastaj i përforcuar nga apostujt Pjetri e Gjoni që
shtrijnë duart mbi ta dhe u dhurojnë Shpirtin Shenjt. Lexim
prej Veprave të Apostujve
Në ato ditë, Filipi zbriti në qytet të Samarisë
dhe filloi të predikojë Mesinë. Turmat ua vinin veshin me kujdes mësimeve të Filipit,
sepse i dëgjonin dhe i shikonin shenjat e mrekullueshme që bënte. E njëmend, prej
shumë të djallosurish dilnin shpirtrat e ndytë duke bërtitur me zë të lartë, shëroheshin
shumë të paralizuar e të çalë. Dhe u bë gëzim i madh në atë qytet. Kur apostujt
dëgjuan në Jerusalem se Samaria e kishte pranuar Fjalën e Hyjit i dërguan atje Pjetrin
e Gjonin. Këta zbritën atje, u lutën për ta që ta merrnin Shpirtin Shenjt, sepse ende
nuk kishte zbritur mbi asnjërin ndër ta; ata vetëm ishin pagëzuar në Emër të Jezusit
Zot. Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata morën Shpirtin Shenjt. Fjala e Zotit
Psalmi 66 (65) Ref: Veprat e Zotit janë të mëdha. _____________________________
Mbarë
toka le t’i brohorasë Hyjit, këndoni lavdisë së Emrit të tij, lartësojeni
lavdinë e tij të pamasë! Thuani Hyjit: “Sa të mrekullueshme janë veprat e tua! _____________________________
Le
të të adhurojë mbarë toka e le të të këndojë, le t’ia thotë këngës për nder të
Emrit tënd”! Ejani e shikoni veprat e Hyjit: bëri mrekulli shtanguese mes bijve
të njerëzve! ________________________________
Ai e shndërroi detin
në terik, këmbë e kaluan lumin për këtë galdojmë me gëzim. Ai sundon për
amshim me pushtetin e vet, _____________
Ejani, dëgjoni, të gjithë ju që
e druani Hyjin, do t’ju tregoj çfarë i bëri shpirtit tim. Qoftë bekuar Hyji që
s’ma hodhi poshtë lutjen time e nuk ma mohoi mëshirën e vet! _____________
Leximi
i dytë (1 Pjt 3, 15-18)
Të krishterëve që janë bërë objekt
i shpifjeve dhe persekutimeve Pjetri u shkruan fjalë që u japin guxim, duke deklaruar
që dëshmia e tyre nuk do të jetë e kotë.Të pyetur mbi besimin
e tyre do të duhet të përgjigjen me qetësi dhe qartësi, duke demostruar me fakte që
janë dishepuj të Krishtit.
Lexim prej Letrës së parë të shën Pjetrit
apostull
Fort të dashur, adhuroni me shenjtëri në zemrat tuaja Krishtin
Zot! Jini gjithmonë të gatshëm t’i jepni përgjigje gjithsecilit që prej jush kërkon
arsyen e shpresës që është në ju, por me butësi dhe me nderimin e duhur, me ndërgjegje
të mirë, në mënyrë që ata, që flasin keq për jetën tuaj në Krishtin, pikërisht në
atë pikë, në të cilën juve ju shpifen, të mbesin të turpëruar. Përnjëmend është më
mirë të hiqni keq - nëse është vullneti i Hyjit - duke bërë mirë se duke bërë keq. E
njëmend edhe Krishti një herë vdiq për mëkate (tona), i Drejti për të padrejtët që
t’iu shpinte te Hyji - njëmend i vrarë në trup, por i ngjallur me anë të Shpirtit. Fjala
e Zotit
ALELUJA,Aleluja. Nëse ndokush më do, ai do
të ma mbajë fjalën, thotë Zoti. Ati im do ta duajë e tek ai do të banojmë.Aleluja.
VUngjilli (Gjn 14, 15-21) Jezusi në këtë Ungjill u premton
atyre që e duan Shpirtin e së vërtetës, sepse Ai do të jetë për ata Zbuluesi. Jezusi
i lavdishëm do të kthehet tek ata pas ringjalljes së tij për t’i siguruar për praninë
e Shpirtit Shenjt. Krishti do të vijë për të banuar në ta së bashku me Atin për të
jetuar gjithmonë me ta.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit Në
atë kohë, Rezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia.
Edhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me
ju përgjithmonë: Shpirtin e së Vërtetës, që bota s’mund ta marrë, sepse nuk e sheh
as nuk e njeh. Ju e njihni sepse Ai banon me ju e është në ju. Nuk do t’ju lë jetimë;
do të vij tek ju. Edhe pak kohë e bota nuk do të më shohë më, ndërsa ju do të më
shihni, sepse unë jetoj edhe ju do të jetoni. Atë ditë do ta kuptoni se unë jam në
Atin tim, ju në mua e unë në ju. Kush i ka urdhërimet e mia dhe i mban, ai më do;
dhe atë që më do mua, do ta dojë edhe Ati im, edhe unë do ta dua dhe do t’i dëftohem.” Fjala
e Zotit Këtu mund të dëgjoni më tepër mbi Liturgjinë e Fjalës së Zotit
të kësaj së diele.. Homelia e dielës VI të kohës së Pashkëve Të dashur vëllezër e motra! Dalëngadalë
rrugëtimi ynë shpirtëror merr kahje dhe shkon gjithnjë e më shumë drejt Rrëshajëve.
Në fakt në leximin e Ungjillit të kësaj të diele, në fjalimin e tij të lamtumirës,
Jezusi lë hapur perden e një horizonti që na nxjerr në pah Shpirtin e Shenjtë Ngushëllues.
Bashkësia e parë e krishterë ka jetuar çastet e pritjes së Shpirtit të Shenjtë për
të konfirmuar misionin e saj ungjillëzues. Në fakt Shpirti i Shenjtë është forca me
të cilën dishepujt dhe gjithë Kisha në të gjitha kohërat, shpall Mbretërinë e Hyjit. Të
shohim më nga afër leximet kësaj të diele. Në leximin e parë nga veprat e Apostujve
shohim se si dishepujt përhapin Fjalën jashtë kufijve të Jerusalemit. Pas vrasjes
së Shtjefnit dishepujt shpërndahen, por apostujt mbeten në Jerusalem. Fjala, përveçse
në Jerusalem, përhapet në Jude në Samari e deri në kufijtë e tokës. Veprimtaria misionare
e dishepujve është frutdhënëse. Diakoni Filip shkon në Samari të përhapë fjalën e
të pagëzojë e më pas apostujt dërgojnë Pjetrin e Gjonin për t’u dhënë atyre Shpirtin
e Shenjtë. Ne e dimë nga Ungjilli i Gjonit se samaritanët qysh më Jezusin i ishin
hapur risisë që ai kishte ardhur të sjellë. Tashmë ata marrin edhe Shpirtin e Shenjtë
përmes shtrirjes së duarve të Apostujve. Në këtë mënyrë krijohet një lidhje e fortë
nëpërmjet apostujve që ndërton unitetin e Kishës. Leximi i dytë nga Letra e Parë
e Pjetrit Apostull na vendos në një situatë përndjekjeje, e cila për autorin e letrës
është e nevojshme në mënyrë që të plotësohet vullneti i Hyjit. Pasi i porosit të krishterët
të adhurojnë Zotin në zemrat e tyre, u kujton atyre se janë të thirrur t’u japin arsye
kujtdo që ua kërkon për besimin që ata kanë. Mënyra e dhënies së kësaj arsye duhet
të jetë me ëmbëlsi dhe respekt, me një ndërgjegje të drejtë. E gjithë jeta e apostujve
e në mënyrë të veçantë ajo e Palit dhe e Pjetrit ka qenë një dëshmi shumë e bukur
e marrëdhënies autentike me ata që e mendonin ndryshe në fushën e besimit. Është kjo
një pikë delikate e jetës së Kishës por edhe e jetës shpirtërore të çdo të krishteri.
Jo rrallëherë ndeshemi me njerëz që duan të dinë arsyet e besimit tonë, nganjëherë
ata janë miqësorë e nganjëherë nuk janë miqësorë. Shpeshherë të japësh arsye për besimin
tënd duket sikur është një punë e atyre që studiojnë dmth punë profesorësh ose priftërinjsh.
E vërteta e këtyre fjalëve të Pjetrit është paksa më ndryshe. Mënyra e parë dhe më
e besueshme për të dhënë arsye për besimin që ne kemi është dëshmia e jetës. Nuk duhen
përgatitjet intelektuale dhe teologjike pa një dëshmi autentike jete sikurse thotë
Pjetri “ëmbëlsi, nderim dhe ndërgjegje të drejtë”, madje mund të jetë edhe një kundër
dëshmi. Edhe një herë shenjtërit janë një ikonë e gjallë e arsyes që duhet dhënë për
besimin. Shumë kanë ardhur në besimin e krishterë nga dëshmia e bashkësisë së krishterë
apostolike. Por kjo ka ndodhur dhe ndodh në të gjithë epokat. Nganjëherë kam dëgjuar
tregime burgu të meshtarëve shqiptarë. Dëshmia e tyre në burgje ka qenë një arsye
e fortë besimi për shumë njerëz. Pa e forcuar shumë tekstin do të doja të thoja
edhe diçka tjetër në lidhje me një shprehje të Pjetrit në këtë lexim. “Është më mirë
– thotë Shën Pjetri – nëse Zoti do kështu, të vuash duke bërë të mirën se sa duke
bërë të keqen”. Duket sikur e keqja shpeshherë është rruga më e shkurtër për të dalë
nga shumë situata. Në fakt është vetëm një iluzion pasi e keqja infekton me praninë
e saj e nuk mund ta përdorim atë për të bërë mirë. Mjetet nuk e justifikojnë qëllimin.
Por ka ende më shumë. Ia vlen të vuash në emër të së mirës kudo të shohësh gjurmët
e saj e të shmangësh çdolloj kompromisi me të keqen. Kohët e vuajtjes për të mirën
nuk janë të caktuara, por e mira triumfon herët a vonë. Për ne të krishterët e mira
ka një emër, e Mira absolute është Zoti. Ia vlen të vuash për të qenë gjithnjë besnik
dhe pranë të Mirës Absolute. Leximi i Ungjillit sikurse e thamë edhe në fillim
të këtij komenti është një pjesë nga Fjalimet e Lamtumirës së Jezusit me Dishepujt
tij. Jezusi ndihmon dishepujt që të kuptojnë domethënien dhe vlerën e ikjes së tj
te Ati dhe i ngushëllon për dhembjen që kjo shkëputje shkakton në ta. Jezusi kryen
një shtegtim dhe këtë shtegtim ua kërkon edhe dishepujve të tij. “Nëse më doni, do
t’i zbatoni urdhërimet e mia”. Jezusi flet për dashuri ndaj tij. Në fakt dashuria
sikurse na e ka zbuluar dhe na e ka treguar vetë Jezusi me jetën e tij është një shtegtim.
Në radhë të parë është një shtegtim i brendshëm, pasi të duash do të thotë të dalësh
nga vetvetja dhe t’i jepesh një tjetri. Dashuria absolute vetëm për veten quhet egoizëm
dhe çon njeriun drejt mbylljes, drejt përkuljes në vetvete e krijimit të një rrethi
vicioz. Kurse dashuria kërkon patjetër dalje nga vetvetja drejt tjetrit, njeriut dhe
Tjetrit absolut Zotit. Ky shtegtim është edhe i jashtëm pasi kërkon kohë, madje gjithë
jetën. Të duash Jezusin nuk është vetëm një ndjenjë që ka të bëjë më shumë me ndjesinë
se sa me thellësinë e njeriut. Ndjenja mund të jetë edhe e thellë por mbetet gjithnjë
ndjenjë një ditë mund të shuhet. Shuarja e ndjenjës nuk do të thotë që ka mbaruar
dashuria. Sa herë na ndodh të themi: “Dikur e doja Zotin shumë, lutesha shumë, e ndjeja
thellë. Tani më ndodh që mezi i them lutjet në mëngjes apo në darkë, nganjëherë nuk
i them fare, apo kur lutem nuk kam më atë entuziazëm që kisha në fillim. Edhe mesha
e të dielës më peshon e shkoj sa për të shkuar. Sa do të doja të kthehesha në atë
gjendje që isha dikur”. Kjo është një simptomë e qartë që dashuria për Zotin nuk është
vetëm ndjenjësore, por para së gjithash është shpirtërore. Edhe kur mendojmë se ftohet
entuziazmi, besimi vazhdon dhe dashuria ndaj Zotit vazhdon në një formë tjetër që
do të thotë të bësh dhe të jetosh gjerat e përditshme me dashuri dhe këmbëngulje pa
u dorëzuar asnjëherë. Zoti na jep gjithnjë hirin e nevojshëm për ta dashur dhe për
ta adhuruar. Po kështu edhe në jetën martesore, në jetën familjare në përgjithësi.
Të mos ndjesh diçka nuk do të thotë se nuk e don më atë person. Madje në atë moment
dashuria ka rastin të bëhet më e thellë dhe autentike, pasi e dua tjetrin për veten
e tij, jo sepse më jep kënaqësi mua. E dua sepse është ai/ajo dhe sepse i kam premtuar
besnikëri para Zotit e jo sepse ai apo ajo nxit kënaqësinë time ndjesore, materiale
apo fizike. Kështu të dashur vëllezër e motra, dashuria për Jezusin nuk është
një ndjenjë, por një jetë besnike ndaj fjalës së tij, kështu sikurse nuk është një
ndjenjë dashuria e Jezusit për njerëzit, dashuria është një person, është Shpirti
i Shenjtë që bashkon Birin me Atin në përjetësi dhe që derdhet në zemrat e besimtarëve.
Në ungjillin e Gjonit Shpirti i Shenjtë thërritet me emrin “Ngushëllues” që do
të thotë edhe mbrojtës, apo dëshmitar në favor të dikujt. Jezusi është ngushëlluesi
i parë që na ka dërguar Ati. Pas ikjes së tij te Ati ai do të ndërhyjë pranë Atit
i cili do të na dërgojë një Ngushëllues tjetër që do të qëndrojë gjithmonë me ne.
Praninë e këtij Shpirti bota nuk e percepton pasi nuk mund të kapet nga ndjesitë por
njihet nga ata që janë të kujdesshëm ndaj zërit të Zotit. Kjo në jetën personale sikurse
edhe në jetën e Kishës. Janë një sërë ngjarjesh dhe personash që na tregojnë për Shpirtin
e Shenjtë të pranishëm në jetën tonë. Së pari ai është gjithmonë i pranishëm në jetën
e Kishës dhe e udhëheq atë çdo ditë. Ai është i pranishëm në zemrat e besimtarëve
dhe lutet në ta dhe për ta. Të dashur vëllezër e motra të përgatisim zemrat tona
në këto javë pritjeje të Rrëshajëve, që Shpirti i Shenjtë të hyjë e të banojë në zemrat
tona, në familjet tona, në famullitë e në dioqezat tona e kështu të jemi një bashkësi
që e don Zotin dhe të afërmin. Kemi nevojë për praninë e Shpirtit të Shenjtë. Ta thërrasim
praninë e tij në Kishën shqiptare që të jetë pranë ipeshkvijve tanë, pranë meshtarëve
dhe të gjithë atyre që janë të angazhuar në veprën ungjillëzuese. Eja o Shpirt i Shenjt
dhe ndriçojë zemrat tona. Amen.