Koncert në Vatikan ofruar Papës nga Presidenti hungarez, Shmit
Sonte, duke nisur nga ora 18.00, në Sallën e Palit VI, në Vatikan, mbahet koncerti,
ofruar Benediktit XVI nga presidenti i Republikës së Hungarisë, Pál Shmit, me rastin
e presidencës hungareze në Këshillin e Bashkimit Evropian dhe të 200-vjetorit të lindjes
së kompozitorit dhe pianistit gjenial, Franc List. Orkestra Filarmonike Kombëtare
Hungareze, Grupi Koral Kombëtar dhe tenori István Horvath, interpretuan tre kompozime
të famshme të Listit e të Zoltan Kocsis (Zoltan Koçish) : marshin festiv për ditëlindjen
e Gëtes; Luginën e Obermanit dhe Ave Maria (që njihet edhe me titullin “Këmbanat e
Romës”), si dhe Psalmin 13 të Listit. Koncertin e drejtoi Mjeshtri Zoltan Kocsis.
Lidhur me këtë ngjarje të këndshme kulturore në Vatikan, për nder të Papës pianist,
flet kardinali Péter Erdë, kryeipeshkëv i Estergom-Budapestit e kryetar i Këshillit
të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës:
Përgjigje: - Në Hungari
është ende i freskët kujtimi i hyrjes së popullit hungarez në bashkësinë e popujve
të krishterë të Evropës: e me të drejtë, mbasi njëmijë vjet më parë, ishte i pari
mbret i krishterë, Shën Shtjefni, ai që organizoi hjerarkinë dhe misionin ndër hungarezë
e u kurorëzua nga vetë Papa Silvestri II. Prej këndej, roli i Selisë Apostolike për
rikthimin tonë në gjirin e Evropës, ishte, që në zanafillë, themelor. Të gjithë janë
të bindur për këtë e prandaj deshëm t’i shprehnim, me mirënjohje, afërsinë tonë Selisë
së Shenjtë dhe pasardhësit të Shën Pjetrit. Ndonëse Evropa e sotme është mjaft e shekullarizuar,
këto ide e këto bindje, të përbashkëta për shumë evropianë, falë fesë së krishterë,
që i lidh fort, janë forcë e madhe, e cila na ndihmon të kapërcejmë një mori problemesh
të jetës së përditshme. Prandaj, sipas meje, ky gjest i qeverisë hungareze, është
edhe inkurajim e simbol shprese për ardhmërinë.