Hilari Klinton në Pakistan kërkon nga qeveria të distancohet nga al Kajda
Al Kajda “akoma është kërcënim” edhe pas vrasjes së Osama bin Laden e do të jetë i
nevojshëm “shumëfishimi i përpjekjeve për ta shuar ekstremizmin e terrorizmin” që
buron prej tij, angazhim ky që për Sekretaren amerikane të shtetit, Hilari Klinton
sot në Islamabad, duket të jetë angazhim parësor në nivelin rajonal e atë ndërkombëtar. Për
Pakistanin, pohoi Hilari Klinton sot në mbarim të udhëtimit të shkurt në Islamabad,
“ka ardhur koha për të bërë zgjedhje të vështira e për të bërë më shumë” në luftimin
e lëvizjeve terroriste të pranishme në territorin e vet, si dhe për të larguar dyshimet
e marrëdhënieve të mundshme me krerët e al Kajdës. H. Klinton siguroi liderët
e Pakistanit për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër
terrorizmit. Qëllimi i vizitës së H- Klinton ishte edhe përmirësimi i marrëdhënieve
të tensionuara mes SHBA-së e Pakistanit, pas vrasjes së liderit të al-Kaidës, Osama
bin Laden, në Pakistan nga forcat amerikane. Hilari Klinton siguroi presidentin pakistanez,
Asi Ali Zardari dhe zyrtarët e tjerë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura
për të punuar me Pakistanin e për ta mbështetur atë në luftën kundër terrorizmit dhe
të rivendosjes së demokracisë. Klinton në këtë vizitë shoqërohet nga shefi i Shtatmadhorisë
së ushtrisë amerikane, admirali Majk Malen. Hilari Klinton e Majk Malen, theksuan
se Pakistani duhet të tregojë më përkushtim e angazhim për interesat e sigurisë së
SHBA-ve, e veçanërisht për çrrënjosjen e strehimeve të militantëve islamikë e të terroristëve,
të cilët i sulmojnë forcat amerikane në Afganistan e kërcënojnë paqen në rajon e në
botë.