2011-05-27 18:03:01

G8, 40 miliardë dollarë për “pranverën arabe”.


Të mëdhenjtë e botës bekojnë me të dyja duart “pranverën arabe” e nga Franca shpallin “partneritetin e Dëvilit” për të mbështetur reformat politike e zhvillimin ekonomik të vendeve të Afrikës së Veriut e të Lindjes së Mesme.
Presidenti francez Sarkozi ka propozuar një plan program ndihmash për të mbështetur demokracitë e reja arabe, duke përuruar kështu një program që synon inkurajimin e ndryshimeve në Afrikën e Veriut e në Lindje të Mesme.
Por G8-a, e mbledhur në qytezën franceze, nuk qe thjesht takimi i lodhshëm i 8 vendeve më të zhvilluara të planetit. Në Dëvil filloi një proces i rishikimit të ekuilibrave politiko-ekonomike në nivel botëror. Kthesa mbi Libinë me ndërmjetësimin e Rusisë, marrëveshja në parim mbi emërimin e Kristinë Lagard në krye të FMN-së janë sinjale të qarta se loja diplomatike ka filluar e se shpejt do të çojë në ekuilibra të rinj.
Në skenarin ndërkombëtar, superfuqia e SHBA-ve mbetet e vetmja pikë e qëndrueshme. Është Uashingtoni ai, që përshpejtoi ngjarjet e Afrikës së Veriut, duke ia hapur derën ndërmjetësimit rus për Libinë dhe Gedafin e gjithnjë Shtëpia e Bardhë qe vendimtare për emërimin e francezes në krye të organizmit financiar ndërkombëtar, jetë e mot i udhëhequr nga amerikanët.
Gjithashtu, sulmi i të ashtuquajturve “BRICS” (Kina, India, Rusia, Brazili e Afrika e Jugut) kundër konventave e marrëveshjeve “obsolete” e të vjetra nuk kaloi pa efekte. Evropa nuk mund të mos i marrë parasysh ekonomitë emergjente. Ndoshta, funksionimi i këshillit prej 24 anëtarësh dhe struktura e përgjithshme e FMN-së janë të destinuara të ndryshojnë së shpejti. Kufizimet e BRICS-it vijnë nga fakti se nuk janë një grup homogjen e nuk arrijnë, akoma, të bëjnë propozime të përbashkëta.
Përsa i përket bregut jugor të Mesdheut, 8 të mëdhenjtë e botës nuk bien dakord mbi ndihmat financiare për demokracitë e reja, por garantojnë investime, që arrijnë shumën 20 miliard dollarë. Presidenti francez Sarkozì lajmëroi se së bashku me kryeministrin britanik, Dejvid Kamerun do t’u bëjnë një vizitë kryengritësve libianë. Por me NATO-n në duart e amerikanëve e me rolin ndërmjetësues të Rusisë mund të merret lehtë me mend se struktura e re politike e Mesdheut varet nga ish-protagonistët e Luftës së Ftohtë. Aristokracia e fuqive evropiane luan akoma një rol vendimtar, por ridimensionohet në favor të të pasurve të rinj të BRICS-it, ndërsa Uashingtoni nuk është gjithnjë i gatshëm të rreshtohet përkrah kontinentit të vjetër, pa kushte.







All the contents on this site are copyrighted ©.