2011-05-26 17:37:52

Shugurohet Kisha “Zoja e Këshillit të mirë” në Klinë


Të dielën e kaluar në Klinë të Kosovës u bekua Kisha e re kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë. Tempulli i ri, dëshmon fenë në Zotin e tregon orinetimin për drejt vlerave shpirtërore e njerëzore për besimtarë e njerëz vullnetmirë.
Meshën Shenjte dhe ritet e shugurimit të Tempullit të ri i kryesoi ipeshkvi i vendit imzot Dodë Gjergji në bashkëkremtim me famullitarin e sotëm don Lenc Sopin, priftin që vuri gur themelin dhe ndërtoi Kishën, don Franë Sopin si dhe meshtarë tjerë nga mbarë vendi.
Në kremtim të Meshës së bekimit të Kishës së Klinës, morën pjesë një numër i madh beismtarësh e qytetarësh si dhe autoritete të larta shtetërore, kryeministri Thaçi, kryetari i Klinës, Bashota, autoritete të bashkësisë Islame të vendit e personalitete ushtarake.
Ipeshkvi Gjergji i falënderoi të gjithë ata që kontribuan për ndërtimin e Kishës katolike “Zoja e Këshilli të mirë “ në Klinë, duke e ka shpallur kumbarë të kësaj Kishe , ish komandantin e KFOR-it Gjerman-gjeneralin Roland Kather. “Kontributi juaj i madh, është që ne sot ju shpallim kumbarë të kishës “Zoja e këshillit të mirë” dhe ju falënderojë që keni pranuar kërkesën tonë. Veprën tuaj do ta kujtojmë çdo herë. Dhurata e juaj është një nder i madh për ne”. Imzot Gjergji tha se ish komandanti i KFOR-it Roland Kather, e dhuroi Kryqin për Kishën e “Zojës së këshillit të mirë” dhe shfrytëzoj rastin sot ti dhuroj hartën e Kosovës.
Ish komandanti Roland Kather falënderoi e tha: “Kjo është një ditë e madhe për mua, ndjehem i lumtur për nderin që më është bërë. Ju keni realizuar një mrekulli dhe Klina tani e ka shtëpinë e vet të takimit me zotin”.
Fjala e rastit ju dha edhe kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili Klinën e quajti kryeqytet i tolerancës ndërfetare në Kosovë. “Klina është kryeqytet i tolerancës ndërfetare, bashkëjetesës dhe mirëkuptimit. Për të gjithë është shembull i mirë bashkëpunimi si vëllezër të një gjaku” tha kryeministri Thaçi.
Po kështu, një falënderim ndaj komunës së Klinës e kryetarit të saj Sokol Bashota, u shpreh nga don Lorenc Sopi famullitar i kësaj bashkësie kishtare e saj, për kontributin e dhënë në asfaltimin e oborrit të. Një falënderim e mirënjohje e veçantë ndaj priftit që vuri gur themelet e ndërtoi këtë Tempull të Zotit, don Franë Sopit, meshtar që me vite shërben në këtë bashkësi kishtare të Klinës. Bekimin e Kishës dhe shugurimin e altarit e bëri ipeshkvi i Kosovës imzot Dodë Gjergji, i cili uroi që paqja , gëzimi dhe lumturia të mbretërojnë në çdo familje, si fryt i Hirit të Zotit që na dhurohet me ndërmjetësimin e Nënës sonë Qiellore, “Zojës së Këshillit të Mirë “.
Kujtojmë se, si Kisha kushtuar Nënës së Këshillit të Mirë, po ashtu edhe famullia kishtare kanë një histori të re, por vlera e tyre shpirtërore është e jashtëzakonshme e tejet domethënëse për kosovarët. Është meritë e famullitarit të dikurshëm të kësaj Kishe don Franë
Sopi që kjo Kishë e bartë këtë emër të bukur të Zojës së Këshillit të Mirë. Para 30 viteve kur ishte komunizmi e kur çdo gjë që ngjasonte me Shkodrën apo shqiptarët ishte e ndaluar, don Frana zgjodhi mu Zojën e Shkodrës si pajtore qiellore të kësaj bashkësie famullitare.
Jo vetëm pushteti i atëhershëm këtu në Kosovë, por edhe qarqet Kishtare të periudhës së ish-Jugosllavisë nuk ishin të pajtimit që kjo Kishë ta bartë këtë emër, por këmbëngulja dhe zelli i këtij meshtari bënë që kjo ide e ky plan të realizohen.
Klina tash ka një kishë të bukur dhe madhështore, kjo është vepër e Zotit por edhe e zellit të don Franës dhe ndihmës së shumë besimtarëve kudo në botë e në Kosovë.
Sa herë i është dashur këtij meshtari kosovar të shkonte nëpër gjyqe shtetërore për të fituar lejen e fillimit të ndërtimit të kësaj Kisha. Nuk mund të numërohet. Në kohën e komunizmit jugosllav edhe pati nisur ndërtimi i kësaj Kishe, por pushteti nuk vonoj e me makineritë e rënda e shkatërroi. Don Frana ishte ankuar edhe në Kombet e Bashkuara për këtë çështje, por as kjo nuk ndihmoi.
Po ndihmoi Zoti që solli lirinë e kjo Kishë lëshoj shtat dhe u rrit në nder e lavd të Zotit.
Tani më është e përfunduar, e rregulluar mirë dhe e pasuruar me dritare të bukura e me shtatoren e së Lumes Nënë Terezë përpara. Më hollësisht nga Prishtina të ndjekim shërbimin e Rabie Ibrajt...RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.