Presidenti i Serbisë Tadiq konfirmon arrestimin e Mlladiqit
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, konfirmoi personalisht arrestimin e të akuzuarit
për krime lufte, Ratko Mlladiq. Tadiq përgëzoi anëtarët e Ekipit veprues dhe të Këshillit
Kombëtar për bashkëpunim me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, për të cilët tha se "kanë
punuar me përkushtim çdo ditë dhe çdo orë". Ai tha "tani është mbyllur një faqe e
historisë dhe është hapur një e re". "S'kemi kalkuluar se kur do ta arrestojmë. Ne
kemi bashkëpunuar që nga fillimi me Gjykatën e Hagës, prejse kjo qeveri ka marrë mandatin
e saj", tha Tadiq. Menjëherë pas arrestimit filloi procesi i ekstradimit të Mlladiqit
për në Hagë. Duke folur për mundësinë e protestave, Tadiq tha se nuk do të përfshihet
në spekulime të tilla. "Serbia vazhdon të përmbushë detyrimet e saj. Institucionet
po bëjnë punën e tyre dhe Serbia do të bëjë gjithçka të mundur që të mbetet e qëndrueshme".
Tadiq premtoi se së shpejti do të arrestohet edhe krimineli tjetër i luftës Goran
Haxhiq.