2011-05-26 19:02:08

Papa: Kisha respekton laicitetin e Shtetit por mbron jetën në çdo fazë dhe familjen


Papa në Bazilikën e Zojës së Madhe ia besoi Italinë Zemrës së shën Marisë. Lutje për pajtim e bashkim
“Guxim! Pavarësisht nga vështirësitë, “asgjë s’është e pamundur për Zotin”, për Atë që vazhdon të bëjë “gjëra të mëdha”, përmes atyre që, si Maria, e lëshojnë krejtësisht e pa kushte veten në dorën e Tij”
Në Bazilikën e parë të Perëndimit, kushtuar Nënës së Zotit, Papa Benedikti XVI, së bashku me ipeshkvijtë italianë, në asamblenë e tyre të përgjithshme, ia kushtoi krejt Italinë Zojës së Bekuar, thirrur me titujt “Salus Populi Romani” e “Mater Unitatis”. Ati i Shenjtë tha Rruzaren bashkë me prelatët, duke kremtuar kështu edhe 150-vjetorin e bashkimit kombëtar të Italisë e themelimin e shtetit italian. Më pas, Papa u foli ipeshkvijve, duke kujtuar se jemi në muajin e majit, kushtuar shën Marisë e duke përshkruar së bashku me prelatët rrugën e Rruzares Shenjte, në një mënyrë origjinale:
“Në shkollën e Marisë, ftohemi të bëjmë të njëjtat hapa me Jezusin: të zbresim me Të në lumin Jordan, që Shpirti i Shenjtë ta përforcojë hirin e Pagëzimit; të ulemi në dasmën e Kanës, për të marrë prej Tij “verën e mirë” të festës; të hyjmë në sinagogën e Nazaretit, si të varfër, të cilëve u drejtohet lajmi i mirë i Mbretërisë së Hyjit; e akoma, të ngjitemi mbi malin Tabor, për ta përjetuar kryqin në dritën e Pashkëve; së fundi, të marrim pjesë në Çenakull në flijimin e ri e të amshuar, që duke paralajmëruar qiejt e rinj e tokën e re, e gjallëron krejt Gjithësinë”.
Benedikti XVI kujtoi Papën Gjon Pali II dhe hapjen e Portës Shenjte të kësaj bazilike nga i Lumi i ri në vitin jubilar 2000. Ajo portë mund të kapërcehet përditë e të na afrojë me Krishtin, nëse lutemi, theksoi Papa:
“Lutja na ndihmon të njohim në Të qendrën e jetës sonë, të qëndrojmë me Të, t’ia përshtasim Atij vullnetin tonë, të bëjmë “ç’të na thotë” (Gjn 2,5), të sigurtë për besnikërinë e Tij. Kjo është detyra thelbësore e Kishës, që Ai vetë e ka kurorëzuar si nusen e vet mistike… Maria është modeli: ajo na jep pasqyrën, në të cilën ftohemi të njohim identitetin tonë”.
Por cilat janë karakteristikat e Virgjërës Shenjte, që e kthejnë atë në model për krejt Kishën? Maria i besoi Zotit, shpjegoi Papa, e lëshoi krejtësisht vetveten në dorën e Tij. E më tej:
“Prirjet e zemrës së saj – dëgjimi, mikpritja, përvujtëria, besnikëria, lavdërimi i Zotit e pritja – korrespondojnë me sjelljet e brendshme e me gjestet, që plazmojnë jetën e krishterë. Prej tyre ushqehet Kisha, e vetëdijshme se shprehin atë, që Zoti pret prej saj”.
Bërthama më e lashtë e Bazilikës së Zojës së Madhe në Romë është e shekullit V, ngushtësisht e lidhur me Koncilin e Efesit, në vitin 431, i cili e shpalli shën Marinë, Theotòkos - Nëna e Zotit. Titull me përmbajtje kristologjike, theksoi Benedikti XVI, sepse na çon në misterin e mishërimit të Birit, ku bashkohen natyra njerëzore me natyrën hyjnore. Prandaj, Maria është shprehja më e lartë e të gjitha grave e nënave, që pasqyrohen në Besëlidhjen e Vjetër, në vuajtje me popullin e tyre, por edhe me farën e shpresës në zemër. Maria na jep Birin, duke e bërë Zotin të pranishëm në histori e duke i dhënë mundësinë kështu, çdo njeriu të rilindë nga lart, të jetojë sipas vullnetit të Hyjit e ta realizojë jetën e vet në plotësi. Mënyra si e jetoi Maria besimin e saj në Zotin e dhurata që i la njerëzimit, pikërisht për hir të këtij besimi pa kushte, është shembulli, që tregon se feja nuk është largim nga shoqëria, përkundrazi:
“Në çdo epokë të historisë, takimi me fjalën gjithnjë të re të Ungjillit ka qenë burim qytetërimi, ka ndërtuar ura ndërmjet popujve e ka pasuruar indin e qyteteve tona, duke gjetur shprehjen e vet në kulturë, në art e jo më pak, në mijëra forma bamirësie”.
Që këtej, detyra e Kishës Katolike në shoqëri:
“Ajo nuk kërkon privilegje, as nuk merr përsipër përgjegjësitë e institucioneve politike; duke respektuar laicitetin e ligjshëm të shtetit, ajo tregon kujdes në përkrahjen e të drejtave themelore të njeriut… Kisha… vazhdon të ofrojë kontributin e vet për të mirën e përbashkët, duke thirrur secilin të promovojë dhe të mbrojë jetën njerëzore në të gjitha fazat e të mbështesë me vepra familjen; vërtet, ajo mbetet realiteti i parë, ku mund të rriten njerëz të lirë e të përgjegjshëm, të formuar me ato vlera të thella, që çojnë drejt vëllazërimit e që bëjnë të mundur edhe përballimin e problemeve të jetës”.
Duke iu drejtuar ipeshkvijve, Papa u kujtoi detyrën e tyre para besimtarëve e para shoqërisë në përgjithësi:
“Në një epokë, ku gjithnjë e më me forcë del në pah kërkesa për pika të qëndrueshme referimi shpirtëror, duhet të dini t’u propozoni të gjithëve veçantinë e përvojës së krishterë: fitoren e Zotit mbi të keqen e mbi vdekjen, si horizont, që hedh dritën e shpresës mbi të tashmen”.
Shembulli i Zojës është ai, që duhet të na udhëheqë nëpër rrugët e jetës, duhet t’i tregojë udhën politikës, që të punojë për paqen, për solidaritetin e për zhvillimin shoqëror. Para se t’i bekonte të pranishmit, por edhe gjithë popullin italian, Papa iu lut pikërisht Virgjërës së Shenjtë me fjalët:
“Shembulli i Marisë i haptë rrugën një shoqërie më të drejtë, më të pjekur e më të përgjegjshme, të aftë të rizbulojë vlerat e thella të zemrës njerëzore. Nëna e Zotit i inkurajoftë të rinjtë, i mbështettë familjet, i ngushëlloftë të sëmurët, nxjerrttë për secilin përtëritjen e dikimit të Shpirtit Shenjt, duke na ndihmuar, që edhe në këto kohë, ta njohim e ta ndjekim Zotin, i cili është e mira e vërtetë e jetës, sepse është jeta vetë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.