Disa thonë se Hyji është orëndreqës... Ose ndoshta-ndoshta është arpunues e njerëzit
s’janë tjetër, veçse gurët e çmuar me të cilët stolis veprën e tij të krijimit. Kur
e punon një diamant, e bën të vezullojë me gjithë shkëlqimin e vet. Filip Neri është
një nga këto diamante. Gjithçka nisi në vitin 1544, pranë Romës, në errësirën
e katakombeve, varreza të nëndheshme, ku të krishterët e parë varrosnin të vdekurit
e tyre. Kur ishte duke vizituar katakombet, Zoti i dha një hir të posaçëm, një lloj
dhantie: mund të depërtonte në zemrat më të gurta, ku nuk ishte aspak e lehtë të hyje.
Për të mos e dredhur më shumë fjalën, ishte në gjendje t’i njihte hallet e dhimbjet
e njerëzve, para se t’ia rrëfenin. Kur takonte ndonjë të ri – e Filipi shkonte për
t’i kërkuar në vendet më famëkeqe të Romës - e kuptonte menjëherë se diçka nuk shkonte.
E i mjaftonte të thoshte një fjalë të vetme, që i riu ta merrte me mend se Filipi
tashmë dinte gjithçka. Atëherë nuk mund të mos e zbrazte menjëherë ç’ kishte në zemër,
për t’u ndjerë sakaq më mirë, më i lirë më i fortë. Shumë nga ata që mblidhen rreth
Filipit janë djem të lënë në duart e fatit. Disa prej tyre flejnë në Kishë, mbi banka
e deri në varret e familjeve të mëdha romake. Formojnë një grup, një grigjë, e Filipi
bëhet bariu i tyre…. Flet me ta, lutet, këndon, organizon shëtitje e lojra. Me këtë
grup bashkohen edhe muzikantë e poetë. Në vitin 1575 papa i dhuron Kishën e Shën
Jeronimit, ku Filipi ndërton një sallë. E quan oratorio, fjalë me shumë kuptime. Kuptimi
i parë: sallë lutjesh. Aty organizohen oratoriot e para në historinë e muzikës. E
ky është edhe kuptimi i dytë i fjalës: oratorio quhen edhe koncertet e koreve me zëra
të bardhë, solist e orkestër. Së treti, kështu quhet edhe shoqata e të rriturve dhe
e priftërinjve, e themeluar nga Filipi, për të ndihmuar të rinjtë. Një ditë, njëri
nga djelmoshat shkon te Filipi, i cili sapo ka kryer kremtimin e Meshës: “Kam parë
diçka të çuditshme, më beso…. Pashë me sytë e mi këmbët tua duke u shkëputur nga toka
… duke u ngritur lart ngadalë-ngadalë !”. “Nuk mund të mos ngrihem!”, përgjigjet
prifti, duke qeshur me lot. Filipi merr shpesh hire të jashtëzakonshme e i kërkon
Hyjit të mos i japë tepër: “Mjaftojnë këto që më ke dhuruar, o Zot, m’i ruaj këto
që kam, sepse asnjë i vdekshëm nuk mund ta përballojë një gëzim kaq të madh!”. Por
Arpunuesi hyjnor, specialist i paarritshëm në skalitjen e diamantit, e ruan me kujdes
të madh këtë stoli të njerëzimit dhe e bën të vezullojë çdo ditë më shumë.Filip Neri
vdiq në vitin 1595 dhe të gjithë nisën ta quajnë Shenjt. Vetëm pak vjet më vonë iu
njoh edhe zyrtarisht ky titull, që ia kishte dhënë menjëherë populli i Zotit.