2011-05-25 16:41:53

Sipas Bankës Botërore, Kosova është ndër vendet më të varfra në Evropë


Kosova është vendi më i varfër në Ballkanin Perëndimor dhe mbetet një nga vendet më të varfra në Evropë. Në vitin 2009, më shumë se një e treta e popullsisë (34 për qind) jetonin nën vijën e varfërisë absolute prej 1.55 euro për një person të rritur në ekuivalente ditore, dhe 12 për qind jetonin nën vijën e varfërisë së skajshme prej 1.02 euro. Ky është njëri nga përfundimet e nxjerra në raportin e Bankës Botërore të titulluar "Varfëria në konsum në Kosovë në vitin 2009", i cili është publikuar të dje në Prishtinë.
Në raportet më të fundit të Bankës Botërore mbi vlerësimin e varfërisë, niveli i varfërisë absolute në konsum është në masë të konsiderueshme më i ulët sesa është raportuar nga SBF 2005 06 (45.1 dhe 16.7 për qind), megjithëse të dy sondazhet nuk mund të krahasohen në mënyrë të besueshme. "Nuk është e mundur të bëhen konkluzione të qëndrueshme për trendët e varfërisë për shkak të ndryshimeve në mostrën e ABEF it të bëra në vitin 2008. Por ka mundësi që së paku disa nga zvogëlimet e varfërisë së dukshme janë reale kur llogaritet rritja modeste në Bruto e Produktit Vendor (GDP) për kokë banori dhe vëzhgimi se pabarazia gjatë kësaj periudhe ka mbetur relativisht e ulët dhe e pandryshuar”, thuhet në raport.
Në vitin 2009, GDP ja e Kosovës për kokë banori ka qenë 1,760 euro, e cila është më e ulëta në rajon sipas margjinës së gjerë, dhe e vendos atë si një nga vendet më të varfra në mbarë Evropën. Shkallët e varfërisë në vitin 2009 janë pothuajse të njëjta në zonat urbane dhe rurale - varfëria është diçka më e lartë në zonat rurale, derisa varfëria e skajshme është diçka më e lartë në zonat urbane.
Të rinjtë në Kosovë thuhet se janë pjesa më e varfër e vendit. "Kosova ka një popullsi të re dhe rinia e Kosovës është jo proporcionalisht e varfër, saqë mbi 40 për qind e tyre janë nën moshën 20 vjeçare dhe 60 për qind nga të varfrit janë më të rinj se 30 vjeç.
Të rinjtë në Kosovë janë në mënyrë disproporcionale të varfër, të tillë që 60 për qind e të varfërve janë më pak se 30 vjet, pra zhvillimin e politikave për të siguruar nxitje për punësimin e të rinjve duhet të jenë prioritet i Qeverisë dhe i të gjitha palëve të interesuara", tha Ranjit Nayak, drejtor i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovën.
Në raport thuhet se sa më i lartë të jetë niveli i arsimimit, aq më pak ka mundësi që një person të jetë i varfër. Megjithatë, është shqetësuese që 11 për qind e të varfërve e kanë mbaruar arsimin e lartë. Ndërsa 38 për qind e të varfërve e kishin mbaruar vetëm shkollën fillore dhe 28 për qind shkollën e mesme.
Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas Sondazhit të Fuqisë Punëtore (Enti Statistikor i Kosovës 2010) në vitin 2009 vlerësohet të jetë 46 për qind, kurse 48 për qind sipas një memorandumi ekonomik të vendit të zhvilluar së fundmi nga Banka Botërore. Shkalla e punësimit është vetëm 26 për qind. Shkalla e varfërisë është e lartë tek të papunët dhe punëtorët me punë ditore.
Gjithashtu, në raport thuhet se numri më i madh i personave që jetojnë me më pak se 1.02 euro në ditë jetojnë në zonat urbane. Kurse numri më i madh i atyre që jetojnë me më pak se 1.55 euro në ditë janë të koncentruar në zonat rurale. Por, siç thuhet në raport, ka një shkallë të ngjashme të varfërisë në zonat urbane dhe rurale.







All the contents on this site are copyrighted ©.