2011-05-25 15:54:08

Shqipëri: Topi pohon se procesi zgjedhor ende nuk ka mbaruar


Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi zhvilloi në Tiranë një takim pune me Ambasadorin amerikan, Aleksander Arvizu, me kreun e Delegacionit të BE-së, Etore Sekui si dhe me kreun e OSBE së në Tiranë, Eugen Volfart. Biseda në këtë takim u përqendrua në situatën paszgjedhore në vend duke vënë theksin në domosdoshmërinë e përmbylljes së procesit të zgjedhjeve të datës 8 maj sipas ligjeve në fuqi dhe pritjes me durim e qetësi të gjykimit përfundimtar të paanshëm, profesional, të drejtë, ligjor e të pavarur nga ana e institucioneve që lidhen me këtë proces.
Edhe ambasadorët Arvizu, Sekui dhe Volfart u shprehën njëzëri se ndërsa procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar, respektimi i kornizës ligjore është një domosdoshmëri tashmë, në kushtet e ankimit të rezultatit nga opozita në Kolegjin Zgjedhor. Të tre ambasadorët shprehën mbështetjen e fuqishme e të palëkundur për Presidentin Topi dhe për apelet e tij për respektimin rigoroz të shtetit të së drejtës e të ligjit, çka do i kontribuonte qëndrueshmërisë dhe rikthimit të normalitetit demokratik në vend, thuhet në një komunikatë të Presidencës së Shqipërisë.
Presidenti Topi theksoi se "procesi zgjedhor ende nuk ka mbaruar, prandaj palët politike të përfshira duhet të vetëpërmbahen nga shpallja e parakohshme e rezultatit"! Ai tha se Kolegji Zgjedhor gëzon mbështetjen e plotë institucionale të Institucionit të Presidentit të Republikës për një proces të pavarur, transparent, me integritet të lartë moral e profesional, të drejtë dhe të lirë nga ndikimet dhe ndërhyrjet politike.







All the contents on this site are copyrighted ©.