Papa në audiencën e përgjithshme: lutja, luftë përkrah Zotit, fiton kur i dorëzohesh
dashurisë së tij.
“E gjithë jeta jonë është si një natë e gjatë lufte e lutjeje”. Ishte ky, një nga
mendimet kryesore, që përshkoi audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin
e Shën Pjetrit, në Vatikan, gjatë së cilës Benedikti XVI vijoi katekizmin kushtuar
lutjes, i frymëzuar nga tregimi biblik i luftës së Jakobit me Zotin. Në natën e
zezë, një njeri luhatet verbërisht nëpër errësirë, me një barrë të padurueshme mbi
ndërgjegje. Kërkon nëpër natë një aleat, që ta ndihmojë për ta shkarkuar barrën e
për të gjetur ndjesën, aq të dëshiruar. E pastaj, krejt papritmas, një i panjohur
del nga errësira dhe e sulmon. Nis ndeshja për jetë a vdekje, që vijon gjithë natën.
Janë elementet tregimtare të episodit, rrëfyer në Librin e Zanafillës, nga të cilat
u frymëzua Papa për katekizmin e sotëm. Njeriu, që çapitet tinzash në gjirin e natës,
është Jakobi, i cili rreket të hyjë përsëri në tokën e vet, pasi ka ikur që aty,
sepse i ka zënë padrejtësisht vendin të vëllait, Ezaut, djalit të madh, e i ka rrëmbyer
bekimin, që nuk i takon, babait të verbër. Bekim e vend, të cilat i ka bërë të vetat,
duke shkelur mbi ligjet njerëzore e hyjnore. Prandaj i rëndojnë mbi shpirt, si të
ishin mallkim. Provon, atëherë, të rikthehet tinzisht, si të gjithë mashtruesit, por
ndërsa është duke kaluar vaun e Jabokut, kundërshtari ia rrënon të gjitha planet: “Kishte
përdorur dinakërinë, për të dalë nga një gjendje e rrezikshme; mendonte se do të mund
ta kishte gjithçka nën kontroll, ndërsa tani i duhet të përballojë një ndeshje misterioze,
një sulm të papritur, ndërsa është krejt vetëm e pa asnjë mundësi për t’u mbrojtur
si duhet”. Ndeshja është e rreptë. Jakobi, shpjegoi Papa, i mbështjellë
nga errësira, nuk është në gjendje ta dallojë kundërshtarin. Por, më në fund, arrin
ta mposhtë. Atëherë i kërkon ta bekojë, nëse dëshiron ta lërë të shkojë i lirë në
punë të vet. Kërkon po atë bekim, që sapo e kishte rrëmbyer nga i jati, vërejti Papa.
Por kundërshtari e pyet së pari si e quajnë, e ai ia tregon emrin: “Këtu
lufta bën një kthesë të rëndësishme. Të dish emrin e dikujt, është njëlloj si të kesh
pushtet mbi atë njeri, sepse emri, në mendësinë biblike, është shprehja më e thellë
e njeriut, që e mban. Zbulon sekretin e fatit të tij. Atëherë t’ia dish tjetrit emrin,
do të thotë të njohësh të vërtetën mbi të e, sidomos, të mund ta sundosh”. Skena
kthehet përmbys. Fitimtari i ndeshjes, lëshohet në duart e kundërshtarit e kërkon
prej tij një emër të ri. Emri Jakob, shpjegoi Papa, na kujton foljen “gënjej”, “mashtroj”,
por tani emri i ri, që i jep Zoti, sepse ishte Zoti kundërshtari misterioz, është
“Izrael”. E Izrael do të thotë: “Zoti është i fuqishëm”; “Zoti fiton”: “Jakobi,
pra, ngadhënjeu, fitoi - e këtë e pohon vetë ai që e sulmoi – por identiteti i ri,
që ia dha kundërshtari, pohon e dëshmon se fitorja i përket Zotit. E kur Jakobi kërkon
të dijë emrin e atij, që e kishte sulmuar në errësirë, kundërshtari nuk pranon t’ia
tregojë, por i dëftohet me një gjest, i cili nuk mund të vihet në dyshim, duke i
dhënë bekimin. Atë bekim, që Patriarku e pati kërkuar që në fillim të luftës e që
i jepet në fund të saj”. Kisha, shpjegoi Ati i Shenjtë, shikon në këtë
tregim simbolin e lutjes, si betejë e fesë e fitore e durimit. Teksti biblik flet
për natën e gjatë të kërkimit të Zotit, të luftës për t’ia mësuar emrin e për t’ia
parë fytyrën: është nata e lutjes, gjatë së cilës njeriu, me guxim e duresë, kërkon
nga Zoti një bekim, një emër të ri e një jetë të re, fryt i pendimit e i faljes. Mund
të themi, prandaj, nënvizoi në përfundim Papa, se nata e Jakobit në vaun e Jabokut,
bëhet për besimtarin një pikë, ku mund të mbështetet, për të kuptuar lidhjen me
Zotin, që gjen shprehjen e vet më të lartë, në lutje: “Lutja kërkon besim,
afërsi, në një ndeshje simbolike gati trup për trup, jo me një Perëndi kundërshtare
e armike, por me një Zot bekues, që mbetet gjithnjë misterioz e duket i paarritshëm.
Një ndeshje e tillë nuk mund të mos arrijë kulmin me një dhurim: njeriu ia dhuron
krejt vetveten Zotit, duke pranuar ligështinë e vet e duke e kuptuar se fiton, pikërisht
kur dorëzohet plotësisht në duart e Tij të mëshirshme”. E gjithë jeta
jonë, tha në përfundim Ati i Shenjtë, është si nata e Jakobit: e errët, e gjatë, natë
lufte e lutjeje. Duhet kaluar me dëshirën e zjarrtë për një bekim, në kërkim të këtij
bekimi, që nuk mund ta rrëmbejmë e as ta fitojmë duke u mbështetur mbi forcat tona.
Bekimin mund ta marrim vetëm duke u dorëzuar përvujtërisht para Zotit, si dhuratë
pa asnjë shpërblim, e cila, në fund të fundit, na ndihmon të shohim vetë fytyrën e
Tij. Ndërmjet përshëndetjeve, drejtuar 15 mijë shtegtarëve e besimtarëve të pranishëm
në Sheshin e Shën Pjetrit, kujtojmë atë, që Benedikti XVI ia drejtoi, në gjuhën angleze,
grupit të ushtarakëve amerikanë, të plagosur gjatë luftimeve në Afganistan e në Irak.
Papa i siguroi se do t’i ndjekë me lutje.