2011-05-25 16:31:47

Ngushëllimet e Papës për viktimat e tornados në Xhoplin: më se 120 të vdekur.


Papa shprehu ngushëllimet më të ndjera për viktimat e tornados katastrofike të së dielës së kaluar, që dëmtoi rëndë qytetin amerikan të Xhoplinit, në Misuri. Deri tani flitet për 120 të vdekur, ndërsa me qindra të tjerë konsiderohen të humbur.
Në një telegram, me nënshkrimin e sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone, drejtuar ipeshkvit të Springfield, imzot Xhejms Xhonston, Benedikti XVI shpreh afërsinë e tij, duke siguruar se i lutet Zotit t’u japë pushimin e pasosur e dritën e pambaruar të vdekurve; ngushëllimin familjarëve të tyre në zi, forcën e shpresën të pastrehëve e të plagosurve. I vetëdijshëm për punën vigane, që duhet të përballojnë autoritetet vendase për ta ngritur edhe një herë në këmbë jetën e rrënuar, Papa i lutet Zotit t’u japë të gjithë atyre, që po impenjohen në veprimtaritë e ndihmës së shpejtë, dhuratat hyjnore të urtisë, të forcës e të duresës. Tornado tani po kalon mbi Oklahomën fqinje, ku deri tani ka shkaktuar vdekjen e katër vetëve.“Pamje pikëlluese, që ta këpusin shpirtin”: kështu i komentoi Barak Obama nga Londra, pamjet nga Xhoplini, pas tornados më të fuqishme të 60 vjetëve të fundit. Më se dymijë, shtëpitë e bëra rrafsh me tokë e 1500, të humburit. Me një furi të paparë prej më se 320 kilometrash në orë, tornado ishte aq shkatrrimtar, sa të dëmtonte jo vetëm shtëpitë prej druri, por edhe ato me betonarme, si spitali i Shën Gjonit. Duke kaluar me tërbim, mori me vete shumicën e shtëpive, që takoi udhës, e varrosi për së gjalli nën gërmadha, familje të tëra. Kërkimet vijojnë, por jo pa dëshpërim, sepse që mbrëmë zona po rrihet si me kamxhik nga shtrëngata. Presidenti amerikan njoftoi se të dielën, menjëherë pasi të kthehet nga Evropa, do të vizitojë Misurin. Një muaj më parë, një qytet i Jugut të SHBA-së, u dëmtua rëndë nga një tornado tjetër: është fjala për zonën e Tuskalozës, në Alabama, ku humbën jetën 300 vetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.