Më 25 maj kalendari kishtar përkujton Shën Bedën e “ Nderuar", meshtar e dijetar i
Kishës.
Sot me 25 maj Kisha katolike kremton Shën Bedën që njihet me atributin “Venerabile”
- “i Nderuar” - meshtar murg e dijetar i Kishës. Murgu i shenjtë e mësuesi i madh
i Mesjetës, Beda lindi në Monkton të Jarrow - në Angli rreth vitit 672-673, vdiq në
Jarrow, më 25 maj të vitit 735. Është pajtor i studiuesve. Pak gjëra dihen për
Bedën: nuk dihet kush ishin prindërit e tij e as data e saktë kur lindi. Dihet vetëm
se ishte shtatë vjeç, kur iu besua Benediktinëve në kuvendin e Shën Pjetrit në Wearmouth,
ku filloi mësimet e para, të cilat më pas i vijoi në kuvendin e Shën Palit në Jarrow,
në kontenë e Durhamit, që të dyja qendra murgare, themeluar nga Shën Benedikti ipeshkëv,
i pari që nisi të kujdesej për vogëlushin, që shpejt shprehu dëshirën të ndiqte rrugën
e jetës rregulltare benediktine. Dihet se kur u shugurua për meshtar, ishte tridhjetë
vjeç. Pastaj jeta e Bedës zhytet në përsëri në heshtje. Ai nuk u bë as ipeshkëv
e as abat: tërë jetën mësoi e dha mësim. Çlodhej vetëm kur lutej ose kur këndonte
në korin e Kishës. Studioi Biblën e dha mësimin e Shkrimit të Shenjtë, Biblën,
duke shfrytëzuar gjithë diturinë e Etërve të Kishës. Arriti të shpikë një metodë personale
didaktike ndërdisiplinore, që e shpjegon Biblën duke y mbështetur edhe tek autorët
e lashtësisë pagane, gjë që e realizoi përmes njohjes së thellë të greqishtes së lashtë
si edhe të arritjeve shkencore të kohës. Kujtojmë këtu komentet e tij mbi libra të
ndryshëm të Biblës dhe librin e uratëve “Libellus precum”. Shkruante vazhdimisht
e veprat e tij nisën të përhapën në të gjitha kuvendet apo manastiret murgare e Evropës,
që ishin qendra kryesore të kulturës. Beda shkruante mbi argumente thella, të vështira
e të rëndomta. Mjafton të kujtojmë libërthin “De ortografia”, ose “Liber de loquela
per gestum digitorum”, i famshëm gjatë tërë Mesjetës, sepse mësonte për t’i bërë llogaritë
me gishta. Beda iu kushtua studimeve astronomike për përcaktimin e datës së kremtimit
të Pashkëve, duke arritur deri në vitin 1063. Murgjërve anglezë - murgu benediktin
u dhuroi historinë e Kishës në Angli “Historia Ecclesiastica Gentis Anglorum”, ku
ka një mori njoftimesh edhe nga jeta civile, qytetare, të cilat jo vetëm tregohen
por edhe i nënshtrohen vështrimit kritik. Beda meritoi që më të gjallë titullin
“i Nderuar”. E me këtë titull do të kujtohej përgjithmonë, edhe pasi më 1899 Papa
Leoni XIII e shpalli shenjt e dijetar të Kishës duke quajtur “lumen” jo vetëm i Kishës
në Angli por edhe i Kishës universale. Mbeti një nga komunikatorët më të mëdhenj të
diturisë në Mesjetën e vonë. Dymbëdhjetë shekuj pas vdekjes, Koncili i Vatikanit
II do ta shfrytëzonte mendimin e tij. Beda citohet në Kushtetutën dogmatike “Lumen
Gentium” mbi Kishën dhe në dekretin “Ad Gentes” , mbi veprimtarinë misionare. Shenjti
i madh dijetar vdiq në Jarrow, ku pat dhënë mësim për një kohë të gjatë, e tay edhe
u varros. Por më vonë mbreti Eduardi Rrëfyes (1002-1066) e barti trupin e Shën Bedës
në Katedralen e Durhamit.
Nga audienca e Papës Benediktit XVI kushtuar teologut
të lashtë, shën Bedës më 18 shkurt 2009
Papa flet në audiencë për Shën
Bedën, teolog i lashtë, e lutet që Evropa të rizbulojë rrënjët e krishtera për të
qenë "më njerëzore". (18.2.2009 RV) Të kujdesesh në mënyrë të pareshtur
për formimin fetar “për të mishëruar në jetë” atë që kremton në liturgji. Ky është
një prej mësimeve për të krishterët bashkëkohorë, që Benedikti XVI nxori nga shkrimet
e figurës së njohur erudite të Mesjetës së Lartë, Beda i Nderuar, të cilin e paraqiti
në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Vatikan para afër
20 mijë besimtarëve e shtegtarëve të ardhur prej vendeve të ndryshme të botës. Beda
i Nderuar, kontribuoi “në ndërtimin e një Evrope të krishterë”, tha Papa, duke uruar
që Kontinenti i Vjetër të rizbulohet si i tillë duke u nisur nga rrënjët e veta të
lashta. Teolog, biblist, liturgjist, historian i Kishës, Beda i Nderuar është
figurë poliedrike e mendjemprehtë e kohës së vet – asaj të mesjetës – kur studiuesi
ushtronte në të njëjtën kohë e me mjeshtëri disa disiplina (shkenca). Por Beda është
edhe një mjeshtër i jetës së krishterë e jashtëzakonisht aktual ende sot. Ai që nga
viti 1300 bëri thirrje që vlerat e Ungjillit të përshkojnë institucionet dhe jetën
shoqërore. Prej tij – që jetoi në verilindje të Anglisë ndërmjet dekadave të fundit
të shekullit të shtatë e në fillim të shekullit tetë – kemi marrë mësime, të cilat
tha Benediktit XVI, janë kurdoherë e plotësisht të përshtatshme për “ nivele të ndryshme
të jetës” së krishterë. E në mënyrë të veçantë, Papa nënvizoi: “Studiuesve ai u
përkujton dy detyra thelbësore: të vështrojnë mrekullitë e Fjalës së Zotit për t’i
paraqitur ato në formë tërheqëse për besimtarët; t’i paraqesin të vërtetat dogmatike
të fesë duke iu shmangur ndërlikimeve heretike e duke iu përmbajtur “thjeshtësisë
katolike”, me atë qëndrim që karakterizon të vegjëlit e të përvujtët, të cilëve Zotit
i pëlqen t’u dëftojë misteret e Mbretërisë Hyjnore”. Ndërsa atyre që kanë përgjegjësi
baritore në Kishë, Beda i Nderuar u sugjeron ta shoqërojnë predikimin me shprehje
e doke të përshpirtshme popullore –ikona, procesione, shtegtime – dhe të privilegjojnë
përdorimin e “gjuhës së popullit”. Rregulltarëve e rregulltareve u drejton thirrjen
të kujdesen për jetën asketike e kundruese, por edhe për veprimtarinë apostolike.
Tharmi ungjillor, për Bedën e Nderuar duhet të mishërohet në një imazh, atë të një
“Kishe të zellshme e të shkathët”, “ të zeshkur – shkruan ai – prej lodhjes së ungjillëzimit”.
Një Kishë, vijoi Papa Benedikti XVI : “Që synon të hap fusha tjera apo vreshta
e të vendos ndër popullsi të reja ‘jo një kasolle të përkohshme, por një banesë të
qëndrueshme’, çka do të thotë që Ungjilli të futet në indin shoqëror e në institucionet
kulturore. Në këtë perspektivë Doktori i shenjtë i fton e këshillon besimtarët laikë
të jenë të zellshëm në arsimimin fetar (...) I mëson ata si duhet të luten vazhdimisht
“duke mishëruar në jetë atë çka kremtojnë në liturgji”. Gjatë katekizmit të audiencës
së përgjithshme, Papa e quajti Bedën e Nderuar ekspert të Shkrimeve të Shenjta, “
mësues të shquar të teologjisë biblike”, historian të vëmendshëm të Kishës për të
cilën përpiloi, mes tjerash, një kronologji të gjashtë Koncileve të para ekumenike
dhe përshkrimin e herezive që u denoncuan në Koncilët Kishtare. Por Beda i Nderuar
është edhe autor i “Historie të njohur kishtare të Popujve Anglezë”, vepër që e bën
“atë” të historiografisë angleze, por sidomos – pohoi Papa – të një vizioni të Kishës
në kuptimin e plotë kristologjik, aty ku Besëlidhja e Vjetër gjen shpjegimin dhe plotësimin
në Krishtin: “Tiparet karakteristike të Kishës, që Beda i nxjerr në pah më me dashuri
janë: së pari , katoliciteti si besnikëri ndaj traditës e njëherësh si hapje ndaj
zhvillimeve historike, po kështu si kërkim i bashkimit në shumëllojshmëri, në diversitetin
e historisë e të kulturave. (...) Së dyti, apostullimi dhe aspekti romakë: e lidhur
me këtë Beda e konsideron si tejet të rëndësishëm bindjen e të gjitha Kishave Iro-Keltike
dhe Pite për t’i kremtuar të bashkuar Pashkët sipas kalendarit romak”. Katekizmi
i audiencës së përgjithshme përfundoi me konstatimin e përhapjes së madhe që patën
shkrimet e Shën Bedës në zona të ndryshme të Evropës mesjetare. Prandaj, Benedikti
XVI përfundoi duke nënvizuar vlerën e këtij aspekti: “Është një fakt se, me veprat
e tij, Beda kontribuoi në mënyrë efikase në ndërtimin e një Evrope të krishterë, në
të cilën, popullsi e kultura të ndryshme janë gërshetuar mes tyre. Të lutemi që edhe
sot të ketë personalitete të lartësisë e të vlerës së Bedës, për ta mbajtur të bashkuar
tërë Kontinentin; të lutemi që të gjithë të jemi të gatshëm të rizbulojmë rrënjët
tona të përbashkëta, për të qenë ndërtues të një Evrope thellësisht njerëzore e vërtet
kristiane”.