2011-05-24 15:08:32

U krijua në Lateranense një qendër ndërkombëtare kërkimesh shkencore për doktrinën shoqërore të Kishës.


U mbajt në Universitetin Papnor Lateranens, një tryezë e rrumbullakët, me të cilën u përurua qendra ndërkombëtare e kërkimeve shkencore “Caritas in Veritate”, përqendruar mbi doktrinën shoqërore të Kishës. Në konferencë morën pjesë personalitete kishtare dhe akademike, ndërmjet të cilëve, sekretari i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes, imzot Mario Tozo. Përshëndetjen e hapjes, drejtuar të pranishmëve, e mbajti rektori i ateneut, imzot Enriko Dal Kovolo i cili, në mikrofonin e Radio Vatikanit, flet për qëllimet e kësaj nisme të re:

Përgjigje: - Duhet të kemi synimin të formojmë të rinj, të aftë për të marrë mbi vete përgjegjësi në fushën shoqërore, të aftë për të frymëzuar krishterisht realitetet tokësore, duke vënë në jetë, atë që uron Koncili II i Vatikanit. Përsa u përket laikëve, më duket se janë dy, fushat ku duhet gjallëruar më tepër veprimtaria. Njëra është ajo e impenjimit shoqëror e politik, e për këtë Papa foli përsëri kohët e fundit, gjatë shtegtimit të tij në Akuile e në Venedik, duke theksuar, së pari, përgatitjen e të rinjve, të aftë për të përballuar detyra të rëndësishme politike. Ndërsa pika tjetër, është ajo e formimit të të rinjve, të aftë për të hyrë me sukses në botën e mjeteve të komunikimit. Këto aspekte, së bashkuara dhe me aspektin veprimtarisë afariste, ne i kemi shumë mirë parasysh për zhvillimin e një pune sa më të frytshme në qendrën tonë të re ndërkombëtare.

Pyetje: - Cili është urimi juaj për këtë nismë?

Përgjigje: - Uroj që kjo qendër kërkimesh të jetë vërtet ndërkombëtare e vërtet ndërdisiplinore, sepse këto tipare përkojnë me karakteristikat, që duhet të ketë një universitet i Papës. Ndërkombëtare, fuqimisht ndërkombëtare, dhe ndërdisiplinore, në kuptimin që qendra “Caritas in Veritate” të punojë në bashkëpunim me të gjitha fakultetet e me të gjitha institutet e universitetit lateranens. Natyrisht sinteza duhet të jetë, pastaj, e nivelit teologjik, sepse kjo është edhe karakteristika jonë.

Mbi përmasën ndërkombëtare të nismës, profesor Flavio Felice, pedagog i doktrinave ekonomike e politike pranë Institutit Baritor “Redemptor Hominis” të Universitetit Lateranens, shton:

Përgjigje: - Vërejtëm se këto vite, në një farë mënyre, kontribuam për formimin dhe informimin e shumë të rinjve, në mbarë botën. Pamë edhe se lidhjet tona me kolegët në botë, ishin e janë të vazhdueshme. Atëherë menduam të krijojmë, përmes kësaj qendre kërkimesh shkencore, një mjet të ri në shërbim të reflektimit e të përhapjes së doktrinës shoqërore të Kishës.

Pyetje: - Edhe kjo nismë nënvizon se doktrina shoqërore jo vetëm që është aktuale, por edhe u intereson mjediseve të shumta jo kishtare…
Përgjigje: - Ky është fakt. Papnia e Gjon Palit II dhe magjisteri i tij e revolucionarizuan doktrinën shoqërore të Kishës në shumë aspekte. Me Benediktin XVI patëm disa perla. Të nisim nga “Caritas in Veritate”, në të cilën, ndërmjet shumë risive, që na ofrorhen, po marrin si shembull rrugën institucionale të bamirësisë. Pastaj kemi shembullin e fjalimit të Uestminsterit, më 17 shtator 2010, në të cilin Benedikti XVI, duke u folur autoriteteve civile, vuri në dukje elementet institucionale, që përkojnë me magjisterin shoqëror të Kishës. Së fundi, po kujtoj Letrën e Benediktit XVI drejtuar presidentit Giorgio Napolitano, në të cilën flet pikërisht për kontributin e katolikëve edhe në procesin e bashkimit të Italisë. Këto tri perla përcaktojnë pikërisht rrugën, që lidh magjisterin shoqëror të Kishës, me kulturën e Italisë e me gjithë kulturën bashkëkohore.







All the contents on this site are copyrighted ©.