2011-05-24 12:12:29

Lulzim Basha, kreu i ri i bashkisë së Tiranës


Dy javë pas votimeve të 8 majit, pas rinumërimit të votave, Komisioni Qendror Zgjedhor shpalli fitues në bashkinë e Tiranës, Lulzim Bashën, me 81 vota më shumë nga kandidati tjetër Rama . Një vendim ky që u kundërshtua nga Partia Socialiste, e cila ngriti një padi për këtë çështje në Kolegjin Zgjedhor.
Pra me katër vota pro e tre kundër, Komisioni Qendror përmbysi rezultatin e Komisioneve Zonale, që i jepte Ramës 10 vota më shumë se Basha. Kandidatit të qeverisë Berisha i rezultojnë tani 124.786 vota në krahasim me 124.705 të Edi Ramës, ndërsa Hysni Milloshi, kandidati i Partisë Komuniste, ka marrë 1.394 vota.
Partia Socialiste dorëzoi sot në Kolegjin Zgjedhor kërkesë-padinë për anullimin e vendimit të Komisionit, i cili i cakton Lulzim Bashës 81 vota më shumë se kundërshtari i tij, pas rinumërimit të fletëvotimeve.

Sot paradite nuk kishte protesta para selisë së Komisionit Qendror Zgjedhor, por kreu i socialistëve, Edi Rama deklaroi hapur se koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” nuk do ta njohë rezultatin dhe u bëri thirrje ndërkombëtarëve të ndërhyjnë.

Pas mbledhjes së sotme, socialistët kanë vendosur të presin përgjigjen e Kolegjit Zgjedhor. Vetë Komisioni Qendror u mblodh për të shqyrtuar paditë e ankimimet, që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor të 8 majit.







All the contents on this site are copyrighted ©.