Vazhdojnë debatet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mes anëtarëve dhe përfaqësuesve
ligjore të partive politike. Në mbledhjen e nisur prej orës 17:00 po diskutohet lidhur
me projekt- aktin e paraqitur për miratim sot nga KQZ-ja, në të cilin parashikohet
të miratohet tabela përmbledhëse e njësisë bashkiake nr.5 dhe më pas shpallja e rezultatit
për bashkinë e Tiranës. Pra, Komisioni Qendror akoma vazhdon mbledhjen, pas së
cilës duhet të shpallë fitimtarin për kryetar te bashkisë së Tiranës ose ish-ministrin
e qeverisë Berisha, ose kryetarin aktual, socialistin Edi Rama. Sipas deklaratave
të sotme jo zyrtare, Basha e lë pas Ramën me 78 vota, të numëruara pasi u vendos që
të merreshin parasysh edhe votat e hedhura në kuti të gabuara.
Dita e sotme
mbylli një proces tejet të vështirë zgjedhor për Tiranën, shoqëruar me tension e protesta,
të cilat mblodhën në kryeqytetin e Shqipërisë përkrahësit e socialistëve nga i gjithë
vendi. Pati edhe ndeshje me policinë, në ditët e para të javës së kaluar. Fundi i
zgjedhjeve të 8 majit ia dha fitoren Edi Ramës, me një diferencë prej 10 votash.
Pavarësisht
nga protestat e socialistëve, Komisioni Qendror Zgjedhor vendosi të rinumërojë votat,
duke përfshirë edhe ato, që ishin hedhur gabimisht në kuti të tjera. Java u karakterizua
nga një ecejake jo e vogël ambasadorësh e përfaqësuesish ndërkombëtarë, e fundit prej
të cilave qe takimi i sotëm ndërmjet kreut të Komisionit, Ristani dhe atij të misionit
evropian ODIHR, Stounstrit. “Të respektohet ligji” u tha nga të gjitha palët, por
i njëjti ligj interpretohet ndryshe nga njëra palë tek tjetra. Raporti përfundimtar
i vëzhguesve ndërkombëtarë do të dalë pas dy muajsh, por që tani, ata kanë deklaruar
se nuk u ka pëlqyer loja e politikës shqiptare.