Historia e Zotit në historinë e njerëzimit. Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore
kërkon mbrojtjen e jetës e asgjësimin e çdo forme të dhunës.
Impenjimi për të kumtuar Krishtin, “rruga, e vërteta, jeta”, është detyrë kryesore
e Kishës. E pohoi dje Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, duke marrë shkas nga
fragmenti i Ungjillit, në të cilin Jezusi i njofton dishepujt se së shpejti do të
ngjitet kah shtëpia e Atit Qiellor.
Beso në Zotin e beso në Krishtin!
Ky urdhërim i dyfishtë, nga faqja e Ungjillit të djeshëm, është një akt i vetëm feje.
Është bashkim i plotë me shëlbimin, kryer nga Hyji Atë, përmes Birit të Tij të Vetëm.
Me Besëlidhjen e Re - pohoi Papa – Ati nuk është më i papashëm, i padukshëm. Na e
tregoi fytyrën e Tij, gjë që e pohon vetë Jezusi, duke iu drejtuar Filipit Apostull:
“Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin”: “Biri i Hyjit, me mishërimin, vdekjen
e ngjalljen e tij, na çliroi nga skllavëria e mëkatit, për të na dhuruar lirinë e
bijve të Hyjit e na bëri ta njohim fytyrën e Zotit, që është dashuri . Ati mund të
shihet, mund ta shohim në Krishtin!”. Vetëm duke besuar në Krishtin, duke
mbetur gjithnjë të bashkuar me Të, dishepujt mund të vijojnë veprën e Tij të përhershme
në histori. “Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them – na kujton Zoti – kush beson
në mua, edhe ai do të kryejë veprat, që kryej unë: “Të besosh në Jezusin,
do të thotë ta ndjekësh pas ditë për ditë, në të gjitha veprimet që bëjmë gjatë ditës
sonë. Duhet të shkrihemi në misterin e Zotit, i cili, dalngadalë, ndërton historinë
e vet, në historinë e madhe të njerëzimit. Bëhet njeri, por në mënyrë të tillë, që
të mbetet fare i panjohur nga bashkëkohësit, nga forcat e pushtetshme të historisë”. Jezusi
i fton njerëzit të bëhen dishepujt e Tij e u troket në zemra, për t’ua ndriçuar jetën
me dritën e Ungjillit: “Pëson e vdes e, si i Ngjallur, dëshiron të
arrijë në zemër të njerëzimit vetëm përmes fesë së dishepujve të vet, të cilëve u
dëftohet. Ai vijon e vijon të trokasë në zemrat tona e, në se e përbujmë, dalëngadalë,
sytë tanë hapen për ta parë”. Impenjimi për ta kumtuar Krishtin “rruga,
e vërteta, jeta” – kujtoi Ati i Shenjtë – përbën detyrën e parë e kryesore të Kishës: “Për
të krishterët, për secilin prej nesh, Rruga e Atit është të ndjekim Jezusin, fjalën
e tij të së Vërtetës, ta pranojmë dhuratën e Jetës së Tij. Ta bëjmë, prandaj, tonën
ftesën e Shën Bonaventurës: “Hapi, pra, sytë, e edhe veshët e shpirtit, hapi gojën
e zemrën, që të mund ta shikosh, ta dëgjosh, ta lavdërosh, ta duash, ta nderosh Zotin
tënd, në të gjitha krijesat”. Pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Ati
i Shenjtë kujtoi se dje, në Brazil, shpallej e Lume motra Dulçe Lopez Pontes, që la
pas një vazhdë të zjarrtë drite e mirësie, duke e shkrirë gjithë jetën në shërbim
të njerëzve më të humbur të shoqërisë, aq sa të quhej “Nënë Tereza braziliane”. Papa
u bashkua edhe me gëzimin e Kishës së Portugalisë për një lumnim tjetër, kremtuar
në Lisbonë, ku u lartua në nderimet e elterit Nënë Maria Kjara e Krishtit Fëmijë,
themeluese e Kongregatës së Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer, në shërbim
të spitaleve. Duke i përshëndetur shtegtarët në gjuhën angleze, Benedikti XVI i
nxiti të gjithë të krishterët ta festojnë Ditën e veçantë kushtuar paqes, me rastin
e Lutjes ekumenike për paqen, kremtuar në Kingston të Xhamajkës, nga Këshilli Ekumenik
i Kishave. Ati i Shenjtë uroi që të gjithë të krishterët e botës të impenjohen për
zhdukjen e dhunës në familje, në shoqëri e në bashkësinë ndërkombëtare. Përshëndeti,
pastaj, në veçanti, grupin e madh të të rinjve të sapokrezmuar të dioqezës së Gjenovës,
kryesuar nga kardinali Anxhelo Banjasko dhe grupin masiv të Lëvizjes në Mbrojtje të
Jetës: “Miq të dashur, ju përgëzoj posaçërisht për impenjimin, me të cilin
ndihmoni gratë, që kalojnë shtatzani të vështira dhe të fejuarit e bashkëshortët,
që dëshirojnë ta kurorëzojnë martesën me frytin e fëmijëve; kështu ju punoni konkretisht
për kulturën e jetës. I lutem Zotit që, falë edhe kontributit tuaj, mbrojtja e jetës
të bëhet gjithnjë burim bashkimi në Itali e në çdo vend të botës”. Në përfundim,
Papa u dha zemër të sëmurëve dhe vullnetarëve të pranishëm, me rastin e Javës kombëtare
të sklerozës multiple dhe bekoi fëmijët që, duke i kapërcyer pasojat e sëmundjes,
bëhen dëshmitarë të paqes. Përfaqësuesit e tyre ishin aty, në Sheshin e Shën Pjetrit,
të shoqëruar nga Unitalsi.