2011-05-23 17:13:54

Benedikti XVI: themelet e një shoqërie të pajtuar e paqësore tek rrënjët e krishtera
që i bashkojnë popujt evropianë.


Interesat ekonomike nuk mjaftojnë, për t’i dhënë një bazë të shëndoshë Evropës së re. Kontineti i Vjetër duhet të ngrihet mbi rrënjët e veta të krishtera: këtë pohoi Papa duke pritur, sot paradite, në dy audienca të veçanta, delegacionet e Bullgarisë dhe të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, ardhur si çdo vit në Romë, me rastin e festës së Shenjtorëve Çirili e Metodi, që do të kremtohet nesër.

“Pionierë të ndritur e të merituar të Ungjllëzimit në Evropë”, Çirili e Metodi, nderohen si nga Lindja, ashtu edhe nga perëndimi. Dëshmia dhe mësimi i tyre - vërejti Papa - duke iu drejtuar delegacionit maqedonas, kryesuar nga presidenti George Ivanov - mbeten gjithnjë aktuale edhe për ata, që janë thirrur sot të qeverisin fatet e kombeve. Në Planin shëlbues të Zotit, popujt mund të rigjejnë themelet e forta e të sigurta, mbi të cilat mund të ngrenë qytetërime e shoqëri të përshkuara tejembanë nga shpirti i pajtimit e i bashkëjetesës paqësore:
“Nuk mund të ketë unitet të vërtetë pa respekt për dinjitetin e çdo njeriu e për të drejtat e tij të pacënueshme”.
Ndonëse ndërmjet vështirësive të panumërta, Çirili e Metodi, të dërguar në gjirin e popujve sllavë, e kishin kuptuar mirë se Ungjilli i Krishtit është i aftë të mbushë përplot me dritë çdo skaj, skutë, mjedis e përmasë të përvojës njerëzore:
“Fjala e Zotit fton vazhdimisht për kthimin e zemrave, që çdo vendim e çdo rrugë e zgjedhur, të pastrohet nga interesat egoistike; e pikërisht nga kjo kthesë e vazhdueshme e zemrave kah Zoti, mund të krijohen mundësitë për lindjen e njerëzimit të ri”.
Popujve evropianë, që në këto vite u hapen perspektiva të reja bashkëpunimi – shtoi më pas Ati i Shenjtë, duke pritur delegacionin bullgar, kryesuar nga Kryetarja e Parlamentit, Tsetska Tsacheva - këta dy shenjtorë të mëdhenj u kujtojnë se uniteti i tyre do të jetë më i fuqishëm, në se bazohet mbi rrënjët e përbashkëta të krishtera, element kryesor e cilësor, sepse është feja e krishterë ajo, që e formoi kulturën e Kontinentit të Vjetër dhe u gërshetua në mënyrë të pazgjidhshme me historinë e tij.
Prej këndej, urimi që Evropa të rritet edhe në pëmasën shpirtërore, duke ecur mbi gjurmët më të mira të historisë së vet. Uniteti i Kontinentit, që vijon të fitojë pjekurinë në vetëdijen e banorëve të tij e të përcaktohet më qartë edhe në planin politik, përfaqëson – shtoi Ati i Shenjtë – një perspektivë të madhe shprese. Prej këndej, ftesa:
“Për ta ngritur mbi baza të forta Evropën e re, nuk mjaftojnë interesat ekonomike, por është e nevojshme edhe mbështetja mbi vlerat e vërteta, që bazohen në ligjin moral universal, të shkruar në zemrën e çdo njeriu”.







All the contents on this site are copyrighted ©.